Viktimë e një krimineli serb për inat të Kosovës

Opinione

Viktimë e një krimineli serb për inat të Kosovës

Nga: Beqir Elshani Më: 11 shtator 2019 Në ora: 08:18
Ana Lind

Më 10 shtator 2003, u vra zonja Ana Lind (Anna Lindh), ministre e punëve të jashtme të mbretërisë së Suedisë, kurse të nesërmen në mëngjes më 11.09.2003 vdes nga plagët e rënda. Ajo ishte në shtëpinë e mallrave NK të Stokholmit kur u qëllua me thikë nga krimineli 24-vjeçar Mihajlo Mihajloviq. Atentatori me prejardhje serbe i kishte rënë në pusi në krye të shkallëve elektrike. Prandaj me thikën e vjedhur, në shitoren e afërme të sportit dhe gjuetisë, Ana Lindin e qëlloi disa herë në gjoks dhe në bark me një shpejtësi të rrufeshme. Të gjitha këto ishin zbuluar me anën e videokamerës vëzhguese të shitores NK, ku lëviznin plot njerëz. Sipas ankesës thuhet se vrasësi kishte lëvizur disa herë para dhe prapa, sikur të kërkonte ndonjë gjë të humbur. Pas kryerjes së krimit Mihajloviqi i hodhi thikën dhe kapelën. U mundua të qethë flokët te floktari, mirëpo duhej pritur në radhë, prandaj me një taksi iku në shtëpi, kështu që kapela e tij me disa fije flokë u bë objekt zbulimi i vrasjes profesionale.

Tregojnë se si dikur një qytetar kishte deklaruar se do të fyente xhaminë dhe në fund do t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Prandaj qytetari hynte me shpinë në xhami, po ashtu falej duke ia kthyer shpinën kiblës. Lajmi për njeriun që kishte fyer xhaminë mori dhenë, ndaj qytetarët prisnin ditën e varjes së tij publike. Para se të dënohej me vdekje, sheriati kërkoi të dinte shkakun e fyerjes. I pandehuri tha se ai kishte bërë një mëkat dhe se nuk e meritonte të dilte me fytyrë përballë xhamisë. Kështu sheriati e liroi prej dënimit me vdekje. Duket se edhe akti i kriminelit Mihajlo Mihajloviç i ngjante këtij skenari të mbrapshtë arab, që me disa fjalë do të thotë se mund të vriste një njeri me autoritet të lartë shtetëror dhe në fund do t’i shpëtonte dënimit të përjetshëm. Një version të ngjashëm tregonin edhe dëshmitarët që dorasi para se të kryente krimin kishte deklaruar se në mënyrë perfide do të vriste një politikan të rëndësishëm të Suedisë, saqë askush të mos besojë se është vrasje politike. Pa dyshim që vrasjen e ndonjë personalitetit të lartë suedez e kishte planifikuar një kohë të gjatë me motive politike për shkak të luftës në Kosovë.

Atë ditë kur u vra zonja Ana Lind, mërgata shqiptare në Suedi ishte e bindur që ndonjë serb e ka vrarë për inat të Kosovës. Kështu mendonte edhe mërgata dhe ajo kroate mirëpo duhej pritur edhe ndonjë ditë derisa t’i binin në gjurmë. Kjo hamendje, deri diku, ishte e arsyeshme, sepse kryeqyteti i Suedisë, njëkohësisht edhe kryeqendra ndërkombëtare për ndarjen e Çmimit Nobël, shpeshherë tronditet nga kriminelët serbë. Prandaj nuk vonoi muaji dhe e vërteta doli në shesh. Në fillim u arrestua një suedez i dyshimtë, por menjëherë u lirua, meqë policia nuk mundi të gjente fakte lidhur me vrasjen e ministres suedeze. Megjithatë sipas rrjedhjes së ngjarjes, duket se për gjykatën suedeze më i përshtatshëm për dënim do të ishte i dyshuari i parë suedez si element nazist, se krimineli me prejardhje serbe si element çetnik.

Vrasjen e ministres suedeze që ka kryer krimineli me prejardhje serbe, nuk do të mund të bënte asnjë i huaj. Ai një kohë të gjatë ishte përgatitur për vrasjen e ndonjë personaliteti të lartë shtetëror të Suedisë, prandaj viktimë e tij ishte ministrja e punëve të jashtme suedeze, Ana Lind. Për dallim me atentatorët kroatë, Mirko Bareshiq dhe Angjellko Brajeviq, të cilët më 7 prill 1971 kishin vrarë ambasadorin jugosllav, Vladimir Roloviqin, në Stokholm, por që heroikisht e kishin pranuar vrasjen se e bënë për të mirën e kombit të tyre kroat, përkundrazi krimineli serb Mihajloviq ishte shtirë se është i sëmurë mendor. Në anën tjetër, në analet serbe ky radhitet si hero pas atentatorëve serbë, të cilët vranë princin dhe trashëgimtarin e fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinand, në Sarajevë më 28.06.1914, për shkak se popullit boshnjak i premtoi pavarësi kombëtare, por që e kundërshtonte politika hegjemoniste serbe me kryeqendër në Beograd. Kështu me anën e dy plumbave në Sarajevë serbët sollën Luftën e Parë Botërore.

Pastaj kishin vrarë albanologun dhe ballkanologun e shquar kroat, Millan Shufflay, vetëm pse merrej me hulumtimin rreth prejardhjes së popullit më të vjetër shqiptar. Vrasja e shkencëtarit me famë botërore kishte shkaktuar zemërim të thellë të inteligjencës përparimtare, ku krahas protestuesve të shumtë ishin edhe shkencëtari i famshëm Albert Ajnshtajni dhe shkrimtari gjerman Hajnrich Mann. Prandaj me anën e atentatit ndaj ministres ndërkombëtare, Ana Lind, vrasësi me prejardhje serbe ia ka shtuar frikën diplomacisë ndërkombëtare për ta njohur Pavarësinë e Kosovës dhe të drejtën e bashkimit me Shqipërinë nënë. Në përfundim, vlen të shtohet se policia suedeze nuk diti të ruante fshehtësinë e vrasjes… Qysh ditën e dytë pas vrasjes, shefi policisë para mediave deklaroi se vrasësi as që e ka njohur viktimën. Prandaj ky ishte një sinjal i paralajmërimit për dorasin, me anën e së cilës krimineli diti të sajojë intrigën para se t’u binte organeve policore në dorë. Vlen të shtohet se pikërisht ato ditë mbreti suedez, Adolf Gustaf, e dekoroi një gazetar serb. Siç duket sipas ngjarjes së tragjedisë mund të jetë ndonjë tradhti e mahnitshme brenda aparatit shtetëror.

Në muajin korrik gjykata e lartë suedeze e shqyrtoi lëndën e avokatit mbrojtës, Peter Altin, duke e shfuqizuar dënimin me burg të përjetshëm për vrasësin e ministres së jashtme të Suedisë. Dihet që zotimi i këtij avokati ka qenë bukur i madh, ai e ka njohur psikologjinë e diplomacisë suedeze, prandaj pa vështirësi arriti që të sfidojë gjykatën suedeze. Gjatë kontrollit të dytë psikiatrik u vërtetua se Mihajloviqi është mendërisht i sëmurë dhe atij i nevojitet tretmani mjekësor. Ky vendim i gjykatës së lartë ishte një fitore për avokatin mbrojtës Peter Altini, i cili e kontestoi vendimin e gjykatës së ulët për dënim me vdekje. Prandaj sipas fjalës së urtë latine ”Cudex chamnatur cum nocens absolvitur” (Kur fajtori lirohet, dënohet gjykatësi) nuk po dënohet gjykatësi, por populli, që detyrohet të jetoj me ankth në zemër. Prokurorja Agneta Bilberg kishte deklaruar se vrasësi Mihajloviq nuk është i sëmurë psikikisht, por është i shëndoshë në pikëpamje mendore, kështu që vrasja është bërë me prapavijë politike, i cili me thikën e tij të kobshme ka manovruar në trupin e ministres. Se vrasja ka qenë plotësisht me motive politike dëshmon edhe rasti i vjedhjes së thikës në sektorin e sportit dhe gjuetisë, e cila nuk kushtonte dhe aq shtrenjtë, por që krimineli Mihajloviq nuk donte të lente gjurmë në arkën me videokamerë vëzhguese.

Duket qartë se krimineli me prejardhje serbe, M. Mihajloviq, ka qenë i stërvitur për një atentat të nivelit ndërkombëtar, për inat të ndërhyrjes së forcave ushtarake të NATO-s për mbrojtjen e popullit shqiptar nga gjenocidi serb në Kosovë. Përveç kësaj, po të ishte me të meta mendore ai nuk do të lëvizte në mënyrë të shkujdesur dhe nuk do të mbante kapelën me shikim në tokë. Ngjarja të kujton edhe vrasjen e ish-kryeministrit të Suedisë, Olof Palme, i cili në shenjë hakmarrje më 28 shkurt 1986 në qendër Stokholmit u vra nga agjentura e UDB-ës jugosllave, për inat të vrasjes së ambasadorit jugosllav, Vladimir Roloviq, nga atentatorët kroatë, por që ende nuk është zbuluar. Për fat të mirë që vrasësi Mihajloviq është zbuluar me ndihmën e kamerës vëzhguese, përndryshe edhe ky do të kishte ikur sikur të parët e tij, kriminelë me duar të përgjakura, në drejtim të Beogradit – qendër e stërvitjes për vrasjen e shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Serboçetnikët e adhuronin Rolloviqin malazias, i cili ka qenë komisar politik në masakrimin e partizanëve shqiptarë në Tivar. Me fjalë të tjera, atentatori Mihajloviq e ka ditur se çfarëdo sulmi ndaj personalitetit shtetëror do të dënohet, prandaj vrasja e ministres së jashtme suedeze, Ana Lind, ishte vrasje profesionale duke ia bluar me thikë zorrët në bark, në mënyrë që vdekja të jetë e pashmangshme. Vlen të theksohet se me shpalljen e kriminelit Mihajloviq me të meta mendore, rinia suedeze u zhgënjye dhe humbi besimin në organet shtetërore. Humbi besimin edhe në armatën suedeze për të cilën, kryetari amerikan, Xhorxh Bush, e mohoi ekzistimin e saj fizik. Me fjalë të tjera, të gjithë qytetarët suedezë reaguan se paraqitja e vrasësit Mihajloviq me shtysë shpirtërore, kinse e kishte udhëhequr zëri i Jezu Krishtit që t’i dali para dhe ta sulmojë ministren, ishte një tregues sa për t’iu shmangur burgut të përjetshëm. Ngjarja të kujton vrasësin e fëmijëve, Hikmanu, (sipas psikologut Alfred Adler), i cili tha: “Mua më ka drejtuar urdhri nga lart”. Prandaj nëse Mihajloviqin e ka urdhëruar zëri i Jezu Krishtit që ta vrasë gruan suedeze në qytetin dhe në shtetin e saj, atëherë si mundi të sajojë edhe intrigën. Si kundërpërgjigje ndaj justifikimit të tij fetar shihet se si gjatë mbajtjes së seancës gjyqësore Mihajloviqi ka qëndrim serioz dhe se nuk vuan nga ndonjë ves karakteristik i të sëmurëve të zakonshëm psikik. Jo vetëm psikologu, por edhe populli është në gjendje të zbulojë të metat dhe veset e të sëmurëve mendorë. Tani avokati mbrojtës, Peter Altin, ka marrë rolin e profetit dhe sa herë që ndodhin krimet nga ana e personave me të meta mendore, ai nuk ngurron të përmendë edhe rastin e klientit të tij. Dikur moti një bashkëvendës imi, me një urrejtje të jashtëzakonshme, kishte grisur fotografinë e Josip Broz Titos, kryetarit të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe mund të dënohej me burg të rëndë; mirëpo lirohet falë zotimit të avokatit mbrojtës, i cili deklaroi se klienti i tij ka qenë i dehur. Prandaj nuk është çudi që në të ardhmen të gjithë kriminelët anekënd botës të vrasin diplomatë me epilog se i ka urdhëruar zëri i shenjtë i zotit. Domethënë se kriminelët dhe hajnat do të jenë ata, të cilët do të flasin me zotin në vend se t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit. Në përfundim shkruhet se “heroi” i mitit serb së shpejti do të përcillet për në vendlindjen e tij, atje ku rriten akrepat kundërshqiptare dhe të nderohet si trim.

E njëjta gjë ndodhë edhe sot: atë ditë që të pranohet Republika e Kosovës në OKB, po atë ditë do të vriten disa nga ministrat e shteteve evropiane nga gjakatarët serbë, të cilët kurrë nuk do të gjunjëzohen para drejtësisë ndërkombëtare. Ata nuk janë gjermanë të civilizuar në krye me kancelarin, Vili Brant, që e kritikuan fashizmin hitlerian, por janë serbë që e përkrahin fashizmin e tyre në krye me Millosheviqin dhe pasardhësit e tij çetnikë, gjithashtu të stimuluar nga Rusia pansllaviste.

Ishin serbët që për inat të Republikës së Kosovës e shkatërruan Jugosllavinë Federative, tani mundohen që për inat të Pavarësisë së Kosovës të shkatërrojnë Bashkësinë Evropianë dhe OKB-në. Evropa është aq e ligë saqë nuk ka guxim t’i parashtrojë pyetjen Rusisë së pasur me art dhe letërsi: përse i urrejnë shqiptarët e pambrojtur, dhe se a do t’u ndalet turri ndonjëherë që të shtypin Kosovën tremilionëshe duke privilegjuar krijimin e shumë shteteve sllave vetëm për inat të shqiptarëve?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat