Shkaqet dhe motivi që më shtynë të aderoj në Lëvizjen “Vetëvendosje”..?! - Bota Sot
Shkaqet dhe motivi që më shtynë të aderoj në Lëvizjen “Vetëvendosje”..?!

Opinione

Shkaqet dhe motivi që më shtynë të aderoj në Lëvizjen “Vetëvendosje”..?!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 11 shtator 2019 Në ora: 17:10
Në këtë foto nga e majta; Abdyl Zhaveli, Albin Kurti, Agim Polloshka, Rexhep Eelzaj, momenti i aderimit tonë në LVV-je.

Që në fillim dua ta potencoj faktin, se nuk pajtohem me mendimin e disa analistëve të cilët aderimet nga njëra në partinë tjetër i konsiderojnë si “lavirizëm” politik, dhe këtë për shumë arsye, por më kryesori sipas meje është fakti, sepse sot 30 vite pas rënies së Murit të Berlinit, pothuajse e gjithë bota më nuk udhëhiqet nga ideologjitë e majta as të djathta, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtetin, ekonominë, sigurinë kombëtare, mbrojtjen ekologjike, etj.!  

Shekulli -XXI- për nga dinamika e ngjarjeve në çdo fushë të jetës, nuk mund të bartë me vete katrahurat dhe luftërat shkatërrimtare të cilat ia kanë shkaktuar njerëzimit ideologjitë politike ose ato fetare, sepse njeriu në natyrën e tij gjithnjë evoluon drejtë më të mirës dhe më pragmatikës, lirisë e cila kurrë nuk është e mjaftueshme, prandaj nisur nga ky këndvështrim duhet të flasim edhe për politikën e cila sot përmban premisa të reja që dominohen nga kapitali si dhe vlerë sociale që lidhin dhe afrojnë  më shpejt popujt dhe interesat e tyre politike dhe ekonomike.        

Prandaj, bazuar në këto vlera aderimin tim në LVV-je, si intelektual shqiptar, e kam bërë, para së gjithave për arsye puro kombëtare.

Së pari, LVV-je në krye të saj e ka liderin më të ri politik në Kosovë, z. Albin Kurtin, një njeri me shpirt prej revolucionari atdhetar, një njeri që ndërmerr veprime aktive në politikë, që ka vizion të qartë kombëtar, i cili është shumë konzistent në mendime, në qëndrime, në vendime, në përcaktime, i përkushtuar ndaj Programit dhe politikës socialdemokrate të LVV-je. Është njeri i urtë, besnik ndaj elektoratit të tij, njeri i fjalës dhe i besës, një intelektual trim dhe i guximshëm në ballafaqim më sfidat politike dhe kombëtare që i dalin përpara, i thellë në vizionin e tij modern politik dhe properëndimor, posedon edukim dhe kulturë të lartë njerëzore dhe intelektuale, është njohës shumë i mirë, për moshën e re që e ka, i rrjedhave politike në arenën ndërkombëtare, posaçërisht i atyre në Ballkanin perëndimor, është burrë i parimeve si dhe mjaft i kujdesshëm ndaj fjalës dhe përgjegjësisë publike, mbase një politikan shumë pragmatik dhe artikulues konciz i aktiviteteve brenda LVV-je, por edhe jashtë saj. Kritikues i ashpër dhe luftëtar i pa kompromis kundër bartësve të krimit, korrupsionit dhe nepotizmit brenda dhe jashtë institucioneve tona shtetërore, i ashpër kundër mashtruesve dhe manipuluesve me patriotizëm të rrejshëm, mbase i pa mëshirshëm kundër profiterëve të luftës dhe keqpërdoruesve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e deri në denoncimin e hapur kundër kapjes së organeve të drejtësisë si dhe shtetit të Kosovës nga klane dhe individë të pamoralshëm, për fajin ekskluziv te të cilëve Kosova që 20 vite vazhdon të ngelë vendi dhe shteti më i izoluar në Evropë dhe botë..!?

LVV-je, me liderin e saj karizmatik, z. Albin Kurtin, është subjekti i duarve më të pastra sot në Kosovë, subjekti dhe politikani më i pa korruptuar, por edhe shumë dinjitoz në vendime politike, i qartë në qëndrime, posaçërisht kur shteti ynë rrezikohet nga jashtë, por edhe kundër degradimeve të brendshme të shtetit, pa marrë parasysh pozitën politike dhe shtetërore të cilit do politikan qoftë. Pra, LVV-je është subjekti politik me anëtarësinë më të re në Kosovë, një garancë kjo që vendit tonë i siguron një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt drejt anëtarësimit në BE dhe Aleancën Verio-Atlantike-NATO, aty ku Kosova e ka vendin natyrshëm!

LVV-ja me liderin e saj të talentuar, z. Albin Kurtin, është subjekti i vetëm politik në Kosovë, i cili u qëndroi besnik idealeve kombëtare, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, se territori i saj është i paprekshëm dhe i pandashëm, siç ishte qëndrimi i tij/saj këmbëngulës kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar me 26 gusht 2015 në Vjenë nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni, dhe e ratifikuar nga Kuvendi me iniciativën e PAN-qeverisë Haradinaj, me 22 mars 2018, me të cilën marrëveshje të mbrapshtë treva e Rugovës i humbi mbi 8300 hektarë toka shekullore. Deputetet e LVV-je bënë luftë heroike brenda Kuvendit të Kosovës duke hudhur gaz lotsjellës vetëm për ta ndaluar të keqën, pra humbjen e tokave dhe territorit më të bukur të Kosovës, siç janë alpet e zonës së Rugovës!

LVV-je është subjekti i vetëm në Kosovë i cili me tërë potencialin e tij/saj, i doli në mbrojtje copëtimit të shtetit të Kosovës, siç ishte qëndrimi dinjitoz i deputetëve të saj brenda Kuvendit të Kosovës kundër pazareve politike të presidentit aktual të Kosovës me A. Vuçiçin për ndarjen e Kosovës, gjegjësisht për këmbimin e veriut të Kosovës me disa fshatra të vogla në Luginën e Preshevës, etj. !?

LVV-je ka një lider politik dhe nacional, i cili me konsekuencë dhe vendosmëri të pathyer i ka mbrojtur interesat e popullit, sidomos sovranitetin e shtetit të Kosovës, që, jo vetëm se këtij subjekti duhet t’i bashkëngjiten qytetarët dhe simpatizuesit e tij, por pa asnjë hezitim në përkrahje të tij/saj, duhet të radhitet i gjithë populli shqiptar i Kosovës, duke ia dhënë votëbesimin, me qëllim që shtetin tonë ta shpëtojmë nga zhbërja territoriale dhe juridike, si shtet i pavarur dhe sovran, që mos të mbetemi për 20-30 vitet e ardhshme në margjinat e Evropës, si një vrimë e zezë në hartën e saj në Ballkanin perëndimor, me fajin ekskluziv të udhëheqësve të deritanishëm shtetëror, të pa dijshëm, primitivë dhe të korruptuar deri në fyt..!?

Zgjedhjet e 06 tetorit 2019, janë pa dyshim, shansi historik dhe i pa përsëritshëm që atdheun dhe shtetin tonë ta nxjerrim nga katrahura aktuale, duke ia dhënë besimin LVV-je dhe liderit të saj elokuent, politikani të talentuar me karizëm të fortë personale, i cili si lider i ri po i vjen popullit dhe shtetit të Kosovës, dhe, kush tjetër përveç se, z. Albin Kurti..!? 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...