Vetëm me Albin Kurtin kryeministër, kufiri me Malin e Zi do të kthehet në Kullë dhe Çakorr

Opinione

Vetëm me Albin Kurtin kryeministër, kufiri me Malin e Zi do të kthehet në Kullë dhe Çakorr

Rexhep ELEZAJ Nga Rexhep ELEZAJ Më 12 shtator 2019 Në ora: 12:34
Albin Kurti

Ata të cilët ne banorëve të trevës së Rugovës na mashtruan, më mirë me thënë, na tradhtuan, se kufiri me Malin e Zi do jetë në Kullë dhe Çakorr, e që ne me sinqeritet iu besuam, duhet ta dinë se kurrë më nuk do t’i marrin votat dhe përkrahjen tonë, sepse t’i premtosh popullit mbrojtje të kufirit dhe ruajtje të pronave të tyre private, të cilat me marrëveshjen e bërë nga Komisioni i Murat Mehës dhe e nënshkruar në Vjenë të Austrisë me 26 gusht 2015 nga H. Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni, banorët e Rugovës, gjegjësisht Republika e Kosovës i humbi në tavolinë mbi 8300 hektarë toka shekullore, dhe mos ta mbash më pas premtimin, kjo ishte puro tradhti kombëtare..!?

Ne, Rugovasit si banorë autokton dhe si pronarë denbabaden të atyre trojeve, kurrën e kurrës nuk do të pajtohemi me vendimet e asaj marrëveshjeje të tradhtisë së madhe, që për interesa personale të nënshkruesve të saj, të pranojmë me dëshirë që fqinjit tonë perëndimor t’ia falim tokat që amanet dhe trashëgim na i lanë të parët.

Një heshtje dhe pranim nga ana jonë i një akti të tillë antikombëtar, me të cilin janë tjetërsuar dhe falë pronat tona private dhe shtetërore, me të cilin akt është cenuar rënd sovraniteti territorial e Kosovës (jo me fajin e Malit të Zi), por me fajin e “udhëheqësve” tanë që bën pazare pa hanxhiun, duke i falë ato për ndonjë pazar dhe ç’ kusuritje borxhi sekret, thua se Kosova ishte pronë që ua ka lënë baba në bahshqe..!?

Që nga viti 2015, kur është nënshkruar ajo marrëveshje dhe deri më sot, Rugovasit dhe i gjithë populli shqiptar e mbanë mend mirë, se cili udhëheqës politik dhe cili subjekt partiak ka luftuar me mish e me shpirt, me të gjitha mjetet e lejuara demokratike, përfshirë këtu protestat e shumta në qendër dhe rrugët e Prishtinës, sidomos na kujtohet mirë lufta e guximshme e  deputetëve të LVV-je, me në krye z. Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, të cilët brenda Kuvendit të Kosovës vetëm për ta pamundësuar ratifikimin e asaj marrëveshjeje të pistë, madje duke e vënë në pikëpyetje edhe postin e deputetit, me dhjetëra herë e kallën sallën e Kuvendit duke hudhur gaz lotsjellës, me qëllim të vetëm, që ta pamundësojnë votimin e këtij dokumenti antikushtetues, me të cilin Kosova i humbte 8300 hektarë toka me vetë dëshirë..!?

Pra, falë kundërshtimit këmbëngulës dhe rezistencës së LVV-je dhe deputetëve të saj patriot dhe atdhedashës, votimi në Kuvend i kësaj marrëveshjeje u shty për tri vite, derisa në pushtet erdhi qeveria Haradinaj, e cila e solli në Kuvend të njëjtën marrëveshje të komisionit Meha, të cilën siç e dimë, edhe deputetet e AAK-së  me ata të LVV-je për tri vite e kishin kundërshtuar bashkërisht! Prandaj, sjellja në Kuvend e të njëjtës marrëveshje ishte në fakt tradhti e dyfishtë, sepse në njërën anë i tradhtuan kolegët e tyre deputet të LVV-je, dhe në anën tjetër mashtruan banorët e trevës së Rugovës, Podgurit dhe Deçanit, të cilëve për tri vite në çdo takim dhe tubim iu kishin garantuar se kufiri do jetë në Kullë dhe Çakorr. Por nuk doli ashtu, sepse i njëjti aktor i cili kishte dhënë besë e fjalë para popullit të trevës së Dugagjinit dhe Rugovës, se nuk do ta pranojë kurrë atë marrëveshje, vetë ky atë marrëveshje e solli në Kuvend me 22 mars 2018, duke i detyruar bashkë me Isa Mustafën deputet dy partive të tyre që ta ratifikojnë marrëveshjen, e cila po atë ditë nën diktatin e tyre do ratifikohet me votat e 80 deputetëve, por të cilët treva e Rugovës i ka shpallur tradhtarë..!?

Ky është rrëfimi tronditës, tragjik dhe antikombëtar lidhur me marrëveshjen antikombëtare me të cilën treva e Rugovës i ka humbur, vetëm përkohësisht 8300 hektarë, por të cilat nuk do i falë kurrë dhe askujt, sepse do na mallkon përgjithmonë gjaku, zëri, kënga, vaji dhe varret e heronjve tanë, të cilët kanë dhënë jetën për ato troje dhe toka stërgjyshore!

Prandaj, të jeni të sigurt, se me ardhjen e kryetarit të LVV-je, z. Albin Kurti, në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, pa fije dyshimi, kufiri i Kosovës me Malin e Zi, do të jetë aty ku ka qenë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, 1945/6, pra vetëm në Kullë dhe Çakorr e jo në Kuçishtë dhe Savinovodë, siç kanë gënjyer disa dallkaukë. Këtë rikthim të tokave të humbura nga djajtë në mesin tonë, do ta përjetojmë si gëzim dhe festë kombëtare, jo shumë kohë pas datës 6 tetor 2019..!!      

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat