Pse e gjithë mërgata shqiptare e përkrah Albin Kurtin dhe VV-në?!

Opinione

Pse e gjithë mërgata shqiptare e përkrah Albin Kurtin dhe VV-në?!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 13 shtator 2019 Në ora: 17:38
Rexhep Elezaj

Sepse, mërgata shqiptare kudo në botë, që nga mbarimi i luftës sonë çlirimtare (10 qershor 1999) e deri më sot, nga të gjitha qeveritë e deritanishme është injoruar, diskriminuar, nënçmuar, abuzuar dhe keqpërdorë në mënyrat më bizare që ka njohur historia e diasporave të shumë popujve në botë..!?

Më poshtë po i sjelli vetëm disa, nga qindra fakte, që flasin në favor të konstatimit tim;

Me të përfunduar të Luftës sonë Çlirimtare, me 10 qershor 1999, pjesë aktive dhe ushtarë të së cilës kanë qenë me qindra djem dhe vajza shqiptare nga diaspora, qeveritë inerte dhe egoiste të Kosovës, asnjëherë nuk e kanë falënderuar mërgatën tonë patriotike zyrtarisht për kontributin e saj historik në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!?

Menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga barbarët serbë, mërgata shqiptare do të lihet në harresë plotësisht dhe nën mëshirën e fatit të saj, pa kurrfarë përkujdesjeje shtetërore me të cilën do këputet çdo lloj komunikimi dhe bashkëpunimi nga ana e qeverive tona, sidomos nga ardhja në pushtet e disa partive, thua se Kosova kurrë nuk ka pasur mërgimtarë të saj në ekzil, për të ngelur marrëdhëniet me të në nivel të kontakteve individuale dhe familjare!

Mërgata jonë heroike pas luftës ka vazhduar të milet dhe plaçkitet pamëshirshëm dhe hajnisht, së pari në kufi, ku mërgimtarët tanë nga viti 2006 e deri më sot u detyruan të paguajnë sigurime shtesë për automjetet e tyre, pranë kartonëve të gjelbër ndërkombëtarë që kishin me vete nga shtetet imigruese, dhe për një muaj qëndrim në Kosovë paguanin 70, për tri javë 50, për dy javë 30-40 euro!

Që nga koha e UNMIK-ut dhe deri më sot mërgimtarët tanë u detyruan, se kinse nuk janë harruar nga shteti i tyre, me votuar përmes postës, sa për t’iu hedhur pak hi syve, por që asnjëherë votat e tyre nuk janë llogaritë bashkë me votat e votuesve vendorë. Kjo praktikë dhe lojë me mërgatën, mjerisht po vazhdon edhe sot, pra votimi përmes postës, votim që është kushtëzuar vetëm për ata mërgimtarë që kanë nënshtetësi kosovare, ngase dihet mirëfilli se me mijëra shqiptarë kanë marrë nënshtetësi të vendeve ku punojnë dhe jetojnë dhe ata janë përjashtuar pa kurrfarë të drejte nga votimi!

Pastaj, mos harroni, se votat e atyre të cilët do votojnë me postë do arrijnë me shumë vonesë në KQZ, pra pas zgjedhjeve, dhe ato nuk do kenë kurrfarë ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve, në vend se qeveria e Kosovës t’i organizonte votimet nëpër ambasada dhe përfaqësitë tona diplomatike, që do ishte veprim i drejt ndaj tyre si dhe shumë më pak i kushtueshëm, sesa votimet me postë!?

Mërgata shqiptare kudo që gjendet nëpër botë është diskriminuar ligjërisht dhe kombëtarisht, sepse përgjatë 20 viteve të pas luftës, ajo kurrë nuk është përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe ministritë përkatëse, me asnjë delegatë dhe përfaqësues të saj, që ishte vërtetë një skandal në vete, i cili shpalonte qartë qëndrimet ogurzeza  të pushtetarëve në Prishtinë ndaj djemve dhe vajzave tona që kishin arritur tituj akademik dhe famë botërore në lëmi të shumta shkencore dhe shoqërore!

Mërgata shqiptare, për të cilën, gjoja qeveritë e Kosovës formuan e ministrinë e diasporës, jo vetëm se ajo e dëmtoi atë edhe më shumë, duke e përçarë mbi baza dhe favore partiake, mbase ajo ministri asnjëherë nuk u drejtua nga një ministër i zgjedhur nga radhët e mërgatës, i cili me kompetencë si një njohës i mirë i natyrës së problemeve të mërgatës, do kishte qenë njeriu më i duhur për zgjidhjen e tyre, siç është çështje e shkollës shqipe në diasporë, çështje e nostrifikimit të diplomave midis Kosovës dhe shteteve gjegjëse nga ata vijnë dhe shkojnë, çështje e bursave dhe stipendive, çështje e specializimeve, sigurimet shëndetësore, pensionet, dhe kështu me radhë.

Por jo, kjo nuk mund të ndodhte, sepse ajo ministri nuk ishte formuar për interesat e mërgimtarëve por për t’ia siguruar një post ministror ndonjë sekseri dhe servili partiak, të cilët (ministrat) as që i njihnin mirë gjuhët, kulturën dhe ligjet e vendeve nga vinin mërgimtarët tanë, gjë të cilën e dëshmon katërçipërisht lodhja e madhe, mërzitja, gërditja, pasiviteti, largimi, mosinteresimi, ikja nga manifestimet kulturore, mbyllja në rrethe familjare, etj., për shkak të anashkalimit, injorimit dhe diskriminimit të tyre për dy dekada rresht nga ana e qeverive të Kosovës, pa dallim se për cilin shtet bëhej fjalë, në Evropë, SHBA, Kanadë, Australi, etj. !?

 

Albin Kurti dhe LVV-je, pas gjithë këtij injorimi që i është i bërë mërgatës sonë, është i vetmi udhëheqës politik dhe partiak qëkur ky subjekt vepron, i cili ka mbajtur qëndrim afrues, respektues, vlerësues si dhe falënderues ndaj gjithë mërgatës shqiptare, duke e vizituar atë rregullisht si dhe duke i ftuar publikisht afaristët tanë që të vijnë dhe kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovën e tyre të dashur.

Prandaj, nuk duhet habitur askush, pse sot gati e gjithë diaspora shqiptare e donë, përkrah dhe mbështet zgjedhjen e z. Albin Kurti për kryeministër të Kosovës, sepse është shpresa e vetme për ndryshime pozitive edhe në raportet shtetërore të Kosovës me diasporën e saj..!!   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat