Si të jesh një mësues i mirë?!

Opinione

Si të jesh një mësues i mirë?!

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 14 shtator 2019 Në ora: 08:45
Nexhmedin Saqipi

Fjala mësues është e shenjtë. Simbolika e kësaj fjale kaq të dashur për nxënësit dhe shoqërinë tonë, qëndron në atë se nuk është lehtë të jesh një pedagog i mirë.

Misioni i mësuesit, thjesht, nuk është një përpjekje sa për të mbjell tek nxënësit shkrim-këndimin, por është një diçka që duhet ta dëshmoj me shpirt e zemër se është pedagog i mirë, një shembull se si duhet të sillej në shkollë, rrugë e shoqëri.

Kujtoni mësuesit e vjetër dhe tërhiqni një paralele me ata të kohës sonë se si duken, çfarë bëjnë dhe si e kryejnë detyrën të cilën ia beson institucioni, prindi dhe shoqëria.

Ka këtu një hendek mes mësuesit të dikurshëm dhe të atij të ditëve tonë. Kujtoni mësuesit e mirë, që kishim dikur, të cilët me shumë sakrifica mundoheshin ta përhapnin shkrim-leximin.

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë se ka mësues të mirë dhe të keq. Mësues të keq ka pasur edhe në të kaluarën i cili është quajtur “Daskall”.

 

Interesimi

 

E sot kur shkollat tona ballafaqohen me probleme të shumta me furnizimin e nxënësve me libra, pra mungesën e teksteve shkollore dhe zvogëlimin e nxënësve për shkak migrimit të popullsisë, problemi i mësuesit të keq, bartet te prindërit dhe shkollarët.

Jo rrallë flitet se ka rënë interesimi për shkollë, fëmijët lakmojnë të shkojnë jashtë vendit se nuk kanë perspektivë për shkollim të lartë dhe perspektivë në punësim. Po ashtu thuhet edhe për prindërit se ata fort nuk kujdesen për fëmijët e tyre të shkollohen, me arsyetimin se nuk presin diçka të madhe nga mbarimi i shkollimit.

Të gjitha këto marifete fshihen pas rolit të mësuesit dhe pedagogut, i cili nuk mund të ankohet se ka pagë të vogël dhe nuk është i kënaqur me misionin të cilin ia ka besuar institucioni, prindi dhe nxënësi.

Mirëpo, mësuesit e sotëm, mjerisht, janë larguar nga rruga e mirëfilltë e procesit edukativo-arsimor, ata veç punës që bëjnë si mësimdhënës, kryejnë edhe punë të tjera biznesi, me të cilat delvalvojnë misionin e tyre të shenjtë.

Devalvimi

Sot, mësuesin e sheh të veshur “allafrënga” pa kravatë e garderobë elegante, që i ka hije një pedagogu, por veshja e tij sot shëmbëllen me një gangster filmash. Po ashtu mësuesin e sodit e shihni duke shitur deviza, duke punuar në treg, duke u marrë me shit-blerje e kontrabandë nga më të ndryshme.

Thënë shkurt e shqip, disa nga mësuesit aktualë, nuk e vlejnë të dalin para nxënësve e as ta gëzojnë një mision të tillë, ngase qëllimin nuk e kanë të përhapja e diturisë, por te fitimi.

Shoqëria jonë duhet të jetë më aktive në këtë drejtim, për të parandaluar veprimet e “Daskallëve”, të cilët po e prishin imazhin e shkollave dhe misionin e mësuesve të mirë.

Shoqëria jonë, gjithashtu, duhet të kërkoj nga institucionet përkatëse që merren me fushën e arsimit, sferës më të ndjeshme të shoqërisë sonë, të jetë më e vëmendshme ndaj veprimeve të pahijshme të disa mësuesve, të cilët e keqpërdorin misionin e tyre për çka paguhen dhe sigurojnë jetën e tyre.

Morali

Punëtorët e arsimit duhet të jenë shembull për të mirë në ushtrimin e profesionit të tyre të shenjtë. Ata duhet t’i përmbahen kodeksit të tyre të mirësjelljes si ndaj nxënësve, ashtu edhe ndaj prindërve dhe vetë institucionit shkollor ku punojnë dhe veprojnë.

Nëse ky kodeks vlen për mjekët, gjykatësit, politikanët, imamët, pse mos të vlejë edhe për punëtorët e arsimit, nga të cilët varet ardhmëria e arsimimit të brezit të ri. 

Nuk guxon të bie morali i mësuesve nga të cilët ne presim reflektim pozitiv në fushën e arsimit. Nuk mund të jetë një mësues i mirë, i cili sillet me fodullëk, mendjemadhësi, matrapazllëk e dukuri të tjera negative, të cilat ia prishin imazhin jo vetëm të atij, por edhe të shoqërisë sonë, që ia ka besuar një rol të tillë në jetën arsimore.

Mësuesit e pamoralshëm, kudo qofshin ata, janë një e keqe jo vetëm për shkollat tona, nxënësit tanë, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Ata duhet të përmirësohen ose të izolohen nga institucioni ku veprojnë.

Masat

Nëse kështu vazhdohet, pa marrë masa veprimi në këtë drejtim, jo vetëm shkollat tona do ta humbin kuptimin e tyre, por ato do të braktisen nga nxënësit për t’u rekrutuar pastaj në analfabetë.

E ku do të mbetet ajo shprehja jonë shumë e përfolur “Hapja e një shkolle – mbyllja e një burgu!”? Një pyetje që do përgjigje sa më parë, për të mos na u bërë vonë!

(Autori është publicist, koordinator i shoqërisë civile dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat