Loja me njohjet dhe çnjohjet e shtetit të Kosovës

Opinione

Loja me njohjet dhe çnjohjet e shtetit të Kosovës

Nga: Sylejman Krasniqi Më: 20 shtator 2019 Në ora: 18:50
Sylejman Krasniqi

Loja cic- mic ndaj çnjohjeve të shtetit të Kosovës ka fillua para  më shumë se dy vjetësh. A është shkaktare e kësaj loje vetë Kosova me diplomacinë saj  të ngathtë  apo  është diplomacia shumë e shkathtë e Sërbisë, mbetet për t'u analizuar. Një  gjë është e vërtetë. Se kemi prirje që, për çdo gjë që nuk na shkon mbarë, fajin e kërkojmë diku jashtë vetes. E është e njohur botërisht se gjërat që nuk na shkojnë sipas dëshirës duhet të analizohen nga të gjitha anët e mundshme. Nga faktorë të jashtëm e të brendshëm. Nga komponentet  dashamirëse dhe jodashamirëse. Pra pa analizë nga të gjithë përbërësit që janë me ndikim në atë çështje nuk mund të ketë zgjidhje të drejt të problemit. Prandaj  pa diagnozë të saktë edhe  shërimi nuk bëhet  i suksesshëm.

Problemi të nisë që nga njohjet e furishme të shtetit të Kosovës. Ato njohje a ishin meritë e diplomacisë tonë të re dhe të papërvojë, apo ishin meritë e shteteve dashamirëse tonat sic ishin: Shqipëria, SHBA-ja, shtetet e fuqishme të BE-së, shtetet anëtare të NATO-së dhe disa shtete dashamirëse, në kohën kur e kishim një përkrahje të madhe nga shumica e shteteve të Europës dhe të botës dhe në kohën kur Sërbia u paraqitë e zhveshur para botës si gjenocidiale ( ashtu si ishte në të vërtetë) ndaj Kosovë dhe shqiptarëve në përgjithësi?

Por, me sa  po duket, me problemin e çnjohjeve nuk po merret askush tek ne. Thua se ky problem nuk na takon neve por miqëve tanë të cilët na kanë vënë në telashe me këto njohje të shumta, e me të cilat na është ngarkua një barrë e rëndë mbi supet tona të njoma. Tek e fundit këto njohje nuk janë meritë e jona por e miqëve tanë, prandaj atyre u bije edhe kjo barrë! Ata le të merren me këto çnjohje  e jo ne. Që nga çnjohja e parë e deri tek kjo e fundit ( e pesëmbëdhjeta me rradhë e ardhur nga Togo) neve na kanë zënë në befasi.

Për termin  “çnjohje” nuk e di se a është i drejt dhe i sakt. Po përmendet edhe termi “tërheqje e njohjes”. Unë nuk mund ta përcakojë se cili term është më i përshtatshëm për përdorim në këto raste. Prandaj unë  do ta përdori termin çnjohje.

Ministria jonë e jashtme nuk e prishë as tymin e duhanit për këto çnjohje! Nuk merren me këtë problem të “vockël” sepse ka probleme më madhore. Tani janë zgjedhjet e rradhës dhe duhet të kenë kujdes se si të sillen në këto fushata. Njohjet dhe çnjohjet vijnë e shkojnë e zgjedhjet, tek ne,  mbahen “rrallë” e për mallë…Bile sa më pak, e mundësisht  fare,  të mos përmenden këto çnjohje të mallkuara  sepse e dëmtojnë fushatën e mund  të   mbeten vetëm  me 1 deputet ( mendoj në partinë e cila do të ketë Ministrinë e Jashtme ). E kjo, domosdo, duhet të jetë AKR-ja sepse ka “përvojë” të shkëlqyer në punët e jashtme. Këtij vargu mund  t'i bashkangjitet e tërë qeveria në dorëheqje, sepse edhe ajo e ka hisen e “meritës” për këto çnjohje. Merita e qeverisë është  se ajo  pati  “guximin” dhe “durimin” e nuk e trazojë fare ministrinë për këto çnjohje.  Fundja më e vlershme është të ruhet  “stabiliteti” i brendshëm se sa të merremi me probleme të jashtme. Me këto punë le të merren ata që na i kanë prua këto njohje. Këtë virus infektiv e hoqën  nga vetja edhe shtypi i ditës bashkë me analistët e kujdesshëm.

Po thonë se Ivica Daçiq  çnjohjen e fundit e “bleu “ me disa qinda mijëra dollarë. Gjithashtu thonë se ministri ynë i jashtëm, Behgjet Pacolli, nuk ka lënë  vend  pa shkua, në të pesë kontinentet. Flitej se po shkon për lobim dhe njohje. Por nuk është e sqaruar se a po shkon për njohje të Republikës së Kosovës apo për njohje të bizneseve të veta private.  Derisa ministri i jashtëm sërb po kryen punë për shtetin e tij, ministri i ynë kryen punë për vete dhe thotë se Daçiqi po propagandon për konsum të brendshëm. Tani më nuk po dihet se cili nga këta ministra është më hajgarexhi!?

Për “fatin” tonë të mirë, kësaj here e patëm një qeveri shumë  të prajshme, të qetë dhe të ballansuar  e cila nuk muarr masa ndaj kësaj ministrie të jashtme sepse ishim bërë gazi i botës. Dhe  realisht,  kur  shikohen gjërat më shtruar,  nuk prishet “qetësia” në shtëpi për dhjetë a pesëmbëdhjetë çnjohje dhe për asnjë njohje të re. Njohjet dhe ç'njohjet vijnë e shkojnë por aleancat  parimore, ose edhe joparimore qofshin, nuk bën të prishen me asnjë çmim.

Por , për habinë  tonë, kësaj here nuk ka patur asnjë koment ose reagim rreth çnjohjeve. Së paku nuk ka patur reagime të bujshme e as analiza të thukta nëpër të përditëshmet  tona e as nëpër portale. Ndoshta na u ka dukur e pa rëdësishme kjo fushatë e Daçiqit!  Fundja kush është Ivica Daçiqi krahasuar me Pacollin tonë  të cilin e njeh bota mbarë dhe i cili ka miq ( afaristë) në të gjithë globin? Bile edhe në Sibirin e largët e të ftoftë ka miq baraz ose edhe  më shumë se Daçiqi. Pak me i përvjel mëngët  dhe me i mbath qizmet Behgjeti ynë mund të ketë ndikim, në atë rajon, edhe më shumë se ministri i jashtëm sërb.

Është tepër çuditshme që as kabineti qeveritarë publikisht nuk dha asnjë sqarim se si është e mundur të bëhen  të tëra këto çnjohje në ditën me diell. Apo ndoshta nuk kanë patur  kohë të merren me këtë problem “periferik” sepse i  tërë kabineti qeveritarë me pesë z. kryeministra, me mbi njëzet e kusur ministra dhe me afër njëqind z.ministra kanë qenë  të zënë me përpilimin e orarit të pushimeve vjetore për këta dyqind  fukcioarë tanë tepër të vlefshëm e të cilët, pas lodhjeje nga punët  e përditshme, kanë tepër nevojë për një pushim të merituar diku në Antali, Dubai, në Monte Carllo ose në ndonjë vend edhe më atraktiv, për të cilin opinion nuk ka nevojë ta di.

Për të qenë hataja edhe më e madhe,  tani i tërë kabineti qeveritarë në dorëheqje, është i zënë pas fushatës së zgjedhjeve dhe të bërjes së kualicioneve parazgjedhore dhe paszgjedhore, parimore dhe joparimore, vetëm e vetëm që të bëhen edhe njëherë pjesë e çfardo qeverie. Dhe pastaj do të dinë se si me iu përgjegj këtyre çnjohjeve, nëse  e ka “guximin”  Sërbia që të vazhdojë me avazin bajat të çnjohjeve. Nuk e besoj se partitë që kanë qenë në qeverisje do të kenë guximin që ta përdorin problemin e çnjohjeve në fushatë për arsye se kanë frikë se mos po ua kopjojnë mënyrën e reagimit të tyre ndaj çnjohjeve partitë e deritashme opozitare dhe kjo do të ishte një dështim i tyre në garën për të qeverisur, me çdo kusht,  edhe një herë me Kosovën. Nuk është befasi që edhe mandatin e ardhshëm  të jetë Pacolli minister  i  “jashtëm” sepse kështu do të dëshironin edhe “miqët” tanë ndërkombëtar sepse deri tani është treguar shumë i ballacuar në raport me Sërbinë. Ky variant do të ishte tepër i levërdishëm edhe për kryetarin tonë  të shtetit sepse ai ia din “vlerën”  e të bërit politikë të Pacollit dhe të kabinetit të ti ministror.

Më 10 shtator 2019 në të përditshmën  “Zëri” zëvendëskryeministri  në dorëheqje, Enver Hoxhaj,  paralajmëroi edhe dhjetë çnjohje të reja. A ishte ky paralajmërim serioz i Hoxhajt  apo ishte  një hapje e fushatës nga partia e tij? Nëse me këto çnjohje dëshiron të tubojë vota  për levërdi të partisë që i takon, unë mendoj se bënë gabim të rend Hoxhaj bashkë me partinë të cilën e përfaqëson. Për këto çnjohje fajtore është e tërë qeveria e fundit, pra koalicioni PAN e jo vetëm ministri i jashtëm i cili me një deputet e muarr  tri-katër ministritë më të rëndësishme dhe një zëvendëskryeministër. Çfarë force politike pati Behgjet Pacolli që e detyroj PAN-in t'ia jap gjithë këto pozita kyçe? Mos ishte ky peshqesh për rindërtimin e Kremlinit të djegur. Apo mos dikujt  iu ka zënë  bishti me rrotë e pastaj domosdo që duhet me i plotësua të gjitha kërkesat e Pacollit.

Mendoj se është turp dhe skandaloze, njëkohësisht, që të hudhen në tregun zgjedhor njohjet dhe çnjohjet e Kosovës për inetersa partiake dhe klanore. Kosova nuk është e partive politike dhe as e liderëve të panumërt që po mbijnë si këpurdhat pas shiut, por e popullit të saj të shumëvuajtur. Liderët dhe partitë politike ia kanë humbur orientimin popullit me  ide dhe programe të parëndësishme, me shkëmbime dhe falje teritorresh, me eksteritorialitete dhe me asociacione të ndryshme të komunave.

Tani Enver Hoxhaj i sulet  Behgjet Pacollit  sikur ky i fundit të vjen nga ndonjë planet  tjetër dhe në kohën sa ka qenë Pacolli në pozitën e ministrit dhe të zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj do të kishte qenë diku në ndonjë planet krejt tjetër, prandaj edhe nuk e ka njohur Behgjetin kurrë më parë. Ja se çfarë vlerësimi jep ky për ministrin tonë  të jashtë:

“Njeriu i fundit që duhet të merret me politikën e jashtme ësht Pacolli”  thotë Enver Hoxhaj zëvendëskryeministër në qeverinë e të cilit ishte minister i jashtëm pikërisht Pacolli,

“Mosdija e Pacollit vuri në pikëpyetje shtetin e Kosovës” dhe

“Mos dija dhe mungesa e strategjisë nga ministri Pacolli për të vepruar kanë  bërë fushatën e Sërbisë dhe Rusisë kundër Kosovës shumë më lehtë të realizueshme” . Të gjitha këto i thotë Enveri në KOHA net. Po ku isha more Enver kur u bënë ose nuk u bënë këto veprime nga Pacolli. Thuhet se bashkëfajtor është edhe ai që i din veprimet e dëmshme dhe nuk flet! A duheshe të hesht  kur ishte në pikëpyetje shteti i Kosovës a? E mjer Kosova çfarë klase politike paska patur deri tani…Dhe përsëri del dhe e lypë votën. A ban ta dimë se për çfarë arsye ti e kërkon votën? Për ta mbrojtur Kosovën nga Pacolli apo nga kush?!

Nuk e di se çfarë don të përfitojë Enver Hoxhaj  me aktualizimin e këtyre çnjohjeve, në kohën e fushatës  zgjedhore, kur dihet se edhe vetë ai ka qenë në strukturat e qeverisjes prej çlirimit të vendit e deri më sot dhe në çdo kohë ka patur mundësinë që në rrethe të ngushta qeverisëse,  ta ngrit problemin e njohjeve të pakta, në këto dy-tri vjetët e fundit,  e sidomos ngritjen në nivel të alarmit të çnjohjes së pesëmbëdhjetë të cilën ia kumtoi opinionit ministri i  jashtëm i Sërbisë Ivica Daçiq?! Nuk e di se sa vota mund t'i grumbullojë Enveri dhe partia e tij, dhe të gjitha partitë që kanë qenë në qeverisje në  legjislaturën që e lamë pas, në emër të njohjeve dhe të çnjohjeve?  Apo ndoshta  Enver Hoxhaj  dëshiron që t'ua bëjë, sado pak, një shërbim të vogël e të  pahetueshëm  partive,  deri tani,  opozitare në mënyrë që ato t'i hapin sytë dhe mos  të bëjnë kësi lloj gabimesh të cilat mandej votuesi i ynë syçel do t'i ndëshkojë me forcën e votës në zgjedhjet e rradhës, pas katër vjetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat