Pse Albin Kurti takoi Rexhep Qosjen në prag fushate?! - Bota Sot
Pse Albin Kurti takoi Rexhep Qosjen në prag fushate?!

Opinione

Pse Albin Kurti takoi Rexhep Qosjen në prag fushate?!

Enver Bytyqi Nga Enver Bytyqi Më 21 shtator 2019 Në ora: 09:57
Albin Kurt, Rexhep Qosja dhe Sabri Kiçmari

Para dy ditësh Albin Kurti u shfaq në krah të akademikut që vetëm rrogën e merr si i tillë, Rexhep Qosjen. Ishte një lajm surprizë në një kohë kur qytetarët e Kosovës kishin harruar faktin se kreu i Vetëvendosjes kishte si mentor të tij Qosjen. Por, ishte gjithashtu një veprim jo i zgjuar i liderit opozitar, që synon karrigen e kryeministrit të Kosovës. 

Askush, në asnjë rrethanë nuk mund t’i kërkojë zotit Kurti të heq dorë nga takimet dhe respekti për profesorët e miqtë e tij. Askush dhe në asnjë kohë nuk do të ishte e moralshme t’i kërkosh atij të heqë dorë nga kontaktet me Rexhep Qosjen. Por, ajo që ndodhi pati sfond politik, u shfaq me ngjyrat e miqësisë politike të kreut të Vetëvendosjes me ish-kreun e një partie, i cili në vitin 2000 mori aq vota sa i takonin udhëtarëve të një autobusi.

Atëherë çfarë e shtyn zotin Kurti të ndërmarrë akte politike në shoqërinë e akademikut Qosja?! Përgjigja është shumë e thjeshtë, ai ndjehet nxënës në politikë i tij, ai nuk e respekton atë thjesht si profesor, as si mik familjeje, madje as si shok shkolle, universiteti, burgu apo ushtrie!  E takoi dhe e respekton si mentor politik, si ideolog të lëvizjes së tij, si udhëheqës i tij. Ky është problemi që unë dalloj në paraqitjen e fundit të Albin Kurtit me Rexhep Qosjen. Megjithatë, dikush do të më pyesë: Çfarë të keqe ka kjo thashë më lart?

Le të shpjegohem: 

1. Rexhep Qosja është politikan i dështuar. U përpoq që me qëndrime anti-Rugovë ta sfidonte atë. U krekos edhe në Rambuje si babai i kombit, me prezencë sfide për këtë rol tashmë të konfirmuar të Ibrahim Rugovës. Ndërtoi platformën e zhvillimit të Kosovës bazuar në armiqësitë e tij për kundërshtarët politikë, në radhë të parë bazuar në armiqësinë e tij ndaj presidentit historik të Kosovës. Kësisoj dështoi, madje turpshëm përballë tij. Sepse Kosova nuk kishte nevojë për alternativa armiqësish të brendshme. Përkundrazi, kishte nevojë për alternativën e zhvillimit bazuar në urtësinë dhe mençurinë e brazave. Këtë lloj sentimenti dhe karakteri i barti vetëm Rugova.  Kam frikë se Albin Kurti e ka të injektuar këtë lloj ndjesie anti-Rugovë nga mentori i tij Rexhep Qosja. Këtë lloj armiqësie Qosja ia injektoi edhe Edi Ramës.

2. Idetë dhe qëllimet e Qosjes janë të ndryshme nga atë që proklamon Albin Kurti. Atëherë akti simbolik politik i takimit të tij në prag fushate do të shtojë dozat e mosbesimit ndaj programit që ai ka shpallur. Kjo do të thotë se kreu i vetëvendosjes, nëse presupozojmë se merr mendët dhe veset e Rexhep Qosjes, nuk thotë të vërtetën kur flet për bashkim kombëtar. Sepse Qosja është një titist jugosllavist i dëshmuar. Kjo do të thotë se me veset e Qosjes dhe këshillat e tij nuk mundet dikush, as zoti Kurti ta luftojë korrupsionin, sepse nuk ka korrupsion më të madh se ta marrësh pagën e akademikut pa shkuar asnjë ditë në akademi. Nëse Qosja duket se është prish me Thaçin, kjo ka ndodh se ky i fundit ia ndali qindra-mijë eurot që ia jepte gjoja për veprat e tij. Nuk rron dot Rexhep Qosja pa e ngjye gishtin në pasurinë e qytetarëve të Kosovës. Po zotin Kurti çfarë e lidh me këtë filozofi?!

3. Së treti Rexhep Qosja është i pari shqiptar i Kosovës, i pari prej njerëzve të letrave dhe të penës, që ka elaboruar idenë e shkëmbimit të territoreve, duke sjellë në mendimin akademik dhe opinionin e Kosovës programin politik të kreut të Akademisë serbe të Shkencave, Dobrica Qosiq. Me idetë e Qosjes u frymëzua sa i përket kufijve të Kosovës fillimisht Edi Rama, u frymëzua dhe entuziazmua Baton Haxhiu dhe u marros Hashim Thaçi.

Po Albin Kurti, i cili është shprehur gjithnjë kundër ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, çfarë merr në këtë aspekt prej Rexhep Qosjes?! Edhe në këtë aspekt rritet dyshimi te Albin Kurti.

4. Dhe së fundi, idetë e akademikut Qosja janë ide titiste që kanë evoluar deri te idetë enveriste. Që do të thotë se mendimi i tij politik është një përzierjeve  komunizmit liberal të Titos dhe bolshevizmit stalinist. A mund t’i jepet Kosovës sot në shekullin e XXI modeli ideologjik titist, enverist dhe stalinist?! Nëse jo! Pse Albin Kurti e takoi publikisht majtistin titisto-stalinist Rexhep Qosja? Edhe këtu vihet në dyshim programi politik i zotit Kurti. Një qeverisje me idetë dhe vlerat që mbron Qosja do të ishte katastrofë për Kosovën. Nëse Kurti mban si mentor Qosjen, atëherë do të vinte në krye të shtetit të Kosovës një kopje e keqe e Hahim Thaçit!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...