Pa profilizim ideologjik partiak dhe pa përfundim të negociatave me Serbinë, ndryshimi në Kosovë s’mund të ndodhë

Opinione

Pa profilizim ideologjik partiak dhe pa përfundim të negociatave me Serbinë, ndryshimi në Kosovë s’mund të ndodhë

Nga: Fadil Maloku Më: 25 shtator 2019 Në ora: 15:06
Fadil Maloku

1. Rëndomë thuhet se elementet kyçe të një partie politike duhet të jenë: Ideologjia që ka të bëjë me një kontingjent idesh apo konceptesh që mundohet t’i fuqizojë ajo në publik: pastaj, Statuti që në fakt është një përmbledhje kodesh, qëndrimesh dhe vendimesh ku në mënyrë më detale përshkruhen format, detyrat dhe sidomos obligimet e pjesëtarëve të asaj partie, si edhe Programi politik që duhet të dominohet përmes konkretizimit të një ideje konkrete ( p.sh. të drejtat kombëtare, të drejtat sociale, mbrojtja e grave, rinisë, punëtorëve, ndërtimin e shtetit, etj.) e cila publikut të gjerë zakonisht i eksplorohet përmes debateve, grupeve parlamentare, mediave, etj. pra formave të ndryshme të “kontaktit”, në mënyrë që të arrihet një qëllim i caktuar. E ai qëllim ka të bëjë me marrjen e pushtetit, pra implementimin e këtij programi e ideologjie të pranuar nga qytetaret, në mënyrë që vazhdohet realizimi i synimeve qofshin ato : sociale, politike, ekonomike, e mund të ndodhe edhe kulturore e ekologjike. Në realitet duket që kur janë në pyetje organizatat partiake në kushtet dhe rrethanat e një pluralizmi fillestar, siç ishte ai i vendeve të tranzicionit, pra shteteve që në një mënyrë e kishin të realizuar identitetin e tyre kombëtar, pjesa më e rëndësishme apo ajo pjesa më mobilizuese që i fuqizojë masat e gjëra popullore, (apo dosido edhe pjesën amorfe të publikut) në projektet nacionale demokratike, na del pjesa e parë, pra elementi ideologjik. Në rastin e Kosovës, duket që ky element nuk ishte i dorës së parë, meqë procesi i realizimit të identitetit kombëtar kishte mbetur në gjysmë të rrugës, dhe si i tillë vendin e tij e zëri sintagma kombëtare e cila me vete mori edhe pranoi ideologjinë e secila e mundësojë këtë proces të realizimit (anipse akoma gjysmak, pra jo në plotëni!) në kushte dhe rrethana pak a shumë specifike edhe me vetë faktin se rrugëtimi ishte dy binarësh: ai shtetërorë (kombëtarë) dhe ai demokratik që është një temë në vete e që me këtë rast nuk mund t’i kushtojmë vëmendje më të gjerë.

2. Nëse u adresohemi rrethanave të pasluftës, fenomeni i fuqizimit ideologjikë në Kosovë hetohet se gjithnjë fshihet apo të paktën partitë politike aktuale pretendojnë ta kamuflojnë, e në disa raste edhe “kontrabandojnë” përmes elementit kombëtarë, e që si pasojë po sjellë gjithnjë ngërçe e herë herë edhe konfuzion në raport me proceset e reja integruese që për synim afatgjatë nuk e kanë identitetin kombëtar, por atë ideologjikë të cilin në shkrimet e mëhershme pak a shumë jemi përpjekur ta elaborojmë nga këndvështrimi sociologjikë. Thënë më thjesht, problemet ideologjike, ato sociale, ekonomike, kulturore, etj. në Programet partiake Kosovare zënë vend sa për sy e faqe, apo të paktën të identifikohen me standardet unifikuese vetëm për të dërguar sinjale se janë si simotrat tjera në rajon dhe Evrope. Sipas kriterit ideologjikë tashmë të njohur, partitë politike duhet të përfaqësohen me petkun ideologjikë, i cili më vonë ato i apostrofon si të majta, të djathta apo të mesit. Në Kosovë, si fenomen që është evident gjatë gjithë periudhës së pasluftës kemi në njërën anë prononcime pro et contra këtij sistemimi logjikë të këtyre organizatave, kurse në anën tjetër veprimet e tyre shpesh ndodhë që të bien në kundërshti edhe me vetë statutin, ideologjinë dhe vetë programin e tyre?!Partitë politike kosovare vetën e matin shpesh herë edhe me kriterin e madhësisë (pra numrit të votave të publikut, që në të gjitha zgjedhjet e gjertanishme çka është interesant është kontestuar edhe për shkak të dyshimeve se ishin vjedhur, ishin kontrabanduar në mënyra dhe forma të ndryshme, pastaj kriterin e sjelljeve autoritare që pak a shumë nuk e proklamojnë vetën me këtë kriter edhe për shkak se në publik zgjon kërshërinë e identifikimit më partinë moniste, ku çdo gjë vendosej dhe rekomandohej nga lideri partiake, si edhe me kriterin e cilësimit të tipit të mbyllur dhe atij të hapur. Me sa mund të shihet, kriteret e madhësisë, ato të autoritarizmit dhe ato të tipizimit të hapur dhe të mbyllur, në një mënyrë apo tjetër më së miri shfaqin karakterin dhe synimet ideologjike që pak apo shumë pak përdorën me aplikativitet masiv në diskurset publike qoftë në medie apo ato politike.

3. Kosovës, duket që i mungon edhe një tip i partisë që nga disa shquhet si parti kadrovike, apo unë kisha më thënë parti teknokratësh (njerëzish të rëndësishëm dhe me reputacion të suksesit në sferat e biznesit në terrenin lokal) të cilët duke qenë të pakënaqur më mënyrën qeverisëse të pandanëve marrin iniciativa të ofrojnë programe (kryesisht) ekonomike vetëm e vetëm të rrisin bizneset e tyre lokale. Gjithashtu, një tip tjetër që kujtojë duhet të marr vëmendjen e publikut kosovar, e që në literaturën politike sociologjike njihet si tip revolucionar i organizimit politik që në fakt ilustrohet me angazhimet apo qëllimet antikushtetuese, pra me një back graund tipik jo ideologjik (për këtë tip nuk është me rëndësi gjithaq kriteri ideologjikë sa ai strategjik), që mund të jetë i natyrës së një interesi tipik kombëtar e që si imperativ ka përmbysjen e sistemit aktual. Për të arritur synimet strategjike, ky tip partish zakonisht përdorë frymën makiaveliste (“qëllimi arsyeton mjetin”) dhe kombinon metodat e veprimit legal me ato kuazilegal. Andaj, pa ndodhë profilizimi ideologjik partiak dhe pa u përfundu negociatat me Serbinë, janë të kota pritjet për ndonjë ndryshim substancial në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat