Politika, drejtësia dhe pushtetarët në Kosovë e kanë “frikë” fjalën VETTING!?

Opinione

Politika, drejtësia dhe pushtetarët në Kosovë e kanë “frikë” fjalën VETTING!?

Nga: Skënder Kapiti Më: 28 shtator 2019 Në ora: 09:00
Skënder Kapiti

Duke e ndjekur politikën, opinionin qytetar dhe mediat pozitive në Kosovë , atë të cilën kam konstatuar është kjo : pothuajse të gjithë politikanët në Kosovë as nuk e përmendin fjalën VETTING.

Kjo për një fakt mjaft kokëfortë dhe bindës, sepse ata nuk e duan VETTING-un, pra nuk e duan ligjin e lustracionit, ligjin e sitës së pastërtisë së figurës së politikanit, pushtetarit , gjyqtarit, prokurorit, as te kryekuvendarit dhe as te kryekomunarit.

Nuk e duan VETTING-un ata të cilët e kanë mizën në kapuç. Nuk e duan VETTING-un ishkuislingët e regjimit serbo-kominist, ishfunksionarët, shërbëtorët , servilet, spiunët e tij.

Nuk e duan VETTING-un në Kosovë as gjyqtarët e as prokurorët e ishregjimit serb dhe as mediatikët e atij regjimi si dhe nuk e duan VETTING-un  as pinjollët, trashëgimtarët e tyre që janë edhe sot kudo në politikë,pushtet dhe administratë.

Nuk e duan VETTING-un as ata të cilët kanë bërë korrupsionin, krimin, hajninë dhe që kanë grumbulluar pasuri të fituar në shkelje të rëndë të ligjit.

Nuk e duan ata të cilët janë të lidhur e të kapur nga mafia e krimi i organizuar.

Nuk e duan VETTING-un injorantët e parlamentit, të qeverisjeve, të pushtetit vendor dhe as injorantët që kanë mbushur administratën  shtetërore.

Por VETTING-un nuk e duan as intelektualët servilë e puthadorë të pushteteve, nuk e duan as mediat e mediatikët e shitur dhe mercenarë të politikës e të politikanëve.

Politikanët në Kosovë aq frikë kanë nga VETTING-u sa që jo vetëm se nuk iniciojnë miratimin e tij në parlament , por kanë “frikë” ta zënë me gojë edhe si koncept apo si fjalë.

Nuk po e dëgjojmë madje as tani në fushatë elektorale prej asnjërit prej tyre akoma as fjalën VETTING.

VETTING-u është ilaçi shërues i demokracisë, politikës, drejtësisë dhe i gjithë sistemit në Kosovë, është reforma jetike për Kosovën. VETTING-u me votën qytetare të 6 Tetorit 2019 do ta do ta pastronte politikën edhe prej tradhëtisë politike e kombëtare.

Lind pyetja se si do ta pastronte politikën, si do ta bënte VETTING-un vota popullore!?

Po, është e thjeshtë: shkoni sa më shumë votues në votim, shkoni të gjithë Ju që keni të drejtë vote dhe mos i votoni individët e kriminalizuar, të korruptuar dhe hajdutë; ndëshkoni ato parti politike të cilat kanë kapur ligjin, shtetin dhe kanë montuar krimin dhe korrupsionin me pushtetin e tyre!

Bëjeni këtë, dhe nëse nuk veproni tani, mos i bini pishmanit me 7 Tetor dhe mos ua vëni pastaj fajin as   faktorit ndërkombëtar, SHBA e BE-së!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat