Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Vjosa, kryetare reformuese e LDK-së!

Opinione

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Vjosa, kryetare reformuese e LDK-së!

Prof.Dr.Mehdi HYSENI Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI Më 30 shtator 2019 Në ora: 16:53
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Realisht, PA reformimin rrënjësor dhe decentralizues të LDK-së dhe të PDK-së ( si dy parti më të mëdha politike në Kosovë), nuk mund të priten kurrfarë ndryshimesh radikale as në sistemin e drejtësisë, as  të arsimit, as të demokracisë, as të ekonomisë, as të  zhvillimit, as të shëndetësisë, as gjendjes sociale e as të mirëqenies në Kosovë.

Prandaj, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, parapëlqehet dhe, njëherazi, është e domosdoshme, që të gjithë qytetarët e Kosovës, ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për kryeministër të qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndryshe, do të vazhdojë  “kënga e vjetër” (agonia) e diferencimit të klasave (në të pasur dhe në të varfër) e mjerimit migjenian social, ekonomik, politik, juridik, kushtetues dhe e mirëqenies. –Shumica dërrmuese të papunë, të uritur, të varfër dhe të diskriminuar përpara ligjit dhe drejtësisë.

“Sa më e vogël mendja , aq më e madhe arroganca”(Ezopi)

Sa më sipër, politikisht dhe diplomatikisht,  e vogël, shpirtmeskine dhe JO vizionare u tregua Vjosa Osmani për ta bindur Amerikën, Evropën Perëndimore, qytetarët e Kosovës, diasporën dhe Shqipërinë Etnike se gjoja Albin Kurti “ëshë si  Hugo Chavezi” !? 

Ky krahasim është banal, edhe nëse Albini ka  deklaruar që hajnat dhe korrupcionistët, duhet të tërheqen zvarr në pizhame, ka të drejtë, sepse në këtë rast, duhet zbatuar ligji, jo demokracia  me kamera dhe me flamuj solemnë të arrestimit të kriminelëve  për të xhiruar filma të “drejtësisë normale”  të Vjosa Osmanit, e cila paska deklaruar  “Ne ofrojmë drejtësi normale. Me i ngre zhag njerëzit me pizhama është hakmarrje, nuk është drejtësi”.

-E, ku paska këso farë “drejtësie normale” ndaj hajnave dhe ndaj kriminelëve? –Çfarë “hakmarrjeje” është ajo, nëse policia dhe organet kompetnete të sigurimit i arrestojnë kriminelët me urdhrin e prokurorit të shtetit. –S’mund të flitet këtu për kurrfarë “hakmarrjeje”, por vetëm për zbatimin e ligjit. Pikërisht, kjo procedurë e mjeteve juridiko-ligjore  quhet  “drejtësi normale”, sepse asnjë polici në botë nuk i arreston njerëzit me lule, duke i përqafuar  në mënyrë demokratike e paqësore, por në mënyrë të dhunshme sipas ligjit në fuqi . Prandaj, kjo formë e arrestimit nuk mund të cilësohet   si  “drejtësi  jonormale”, por shumë normale dhe e justifikueshme.

Pavarësisht se çfarë “drejtësie normale” premton Vjosa Osmani në emër të  të LDK-së, sa i përket kësaj farë “drejtësie normale” deri më sot nuk ka funksionuar në Kosovë as nga LDK-ja e as nga PDK-ja, sepse krimi i organizuar, korrupsioni dhe plaçka kanë tejkaluar çdo limit. Prandaj, kjo farë “drejtësie normale” nuk mund të pritet as nga LDK-ja e as nga PDK-ja, sepse kanë favorizuar dhe pasuruar vetëm pjesëtarët e tyre. Kjo është merita kryesore e këtyre dy partive-nepotizmi, korrupsioni, papunësia, varfëria, ekzodi sistematik dhe shkatërrimi i shtetit të së drejtës.

Sa më sipër,  me gjithë  sqarimin e “drejtësisë normale ndaj njerëzëve në pizhame”, krahasimi i Albin Kurtit me Hugo Chavezin, është një  trillim i sajuar  fantastik sa për t’u hedhur pluhur syve partnerëve-miqve tanë amerikanë dhe evropianë perëndimorë (që të shfaqin rezervat e tyre ndaj oportunitetit të Albin Kurtit, e meriton apo jo të jetë kryeministër i Kosovës)  dhe, sa për t’i mashtruar zgjedhësit  në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, që votën e tyre të mos ia hedhin Albin Kurtit (shpëtimtarit reformues të Kosovës), por Vjosa Osmanit (shpëtimtare e LDK-së).

Albini është demokrat shqiptar si Avni Rrustemi, JO diktator si  Hugo Chavez  i Venezuelës !

Megjithëkëtë shpifje skandaloze dhe infantile, një krahasim i tillë iracional apolitik, nuk do t’i sjellë më shumë vota për kryeministre, Vjosa  Osmanit, por oponentit të saj, reformatorit demokrat dhe patriot shqiptar, Albin Kurti.

Pra, nuk  do të ishte racionale dhe aspak demokratike, që Vjosa Osmanit t’i hidhej vota për kryeministre, e cila konkurrentin e saj potencial për kryeministër të qeverisë së ardhshme të Kosovës,  Albin Kurti e ka  ofenduar dhe shpifur, duke e krahasuar me ish-presidenin e Venezueles, Hugo Chavez, të cilin kundërshtarët e tij politikë  e kanë akuzuar si diktator, antisemitist, armik të rrezikshëm të Amerikës dhe të Izraelit,  dhe  si perhapës dhe mbështetës radikal  të majjtizmit dhe të socializmit në vendet e Amerikës Latine…etj. 

Ky krahasim  diskualifikues politiko-propagandistik i marketingut  të fushatës parazgjedhore të Vjosa Osmanit, është absurd dhe jashtë çdo  logjike të shëndoshë njerëzore, jashtë çdo norme etike dhe politike, sepse Albin Kurti nuk ka asgjë të përbashkët me ish-presidentin e ndjerë spanjol Hugo Chavez të Venezuelës,  por ky krahasim është diletantizëm politik, shpifës, provokues dhe aspak demokratik, që ka për qëllim të ndikojë tek partnerët tanë evropianë perëndomorë, gjoja se Albin Kurti nuk duhet të mbështetet nga Amerika dhe nga BE-ja,  sepse  “programi i tij ka karkater socialist dhe majtist sikurse ai  i Hugo Chavezit”.  Kjo është prapavija e thellë politike dhe propagandistike e këtij krahasimi të rremë, të  trilluar dhe skandaloz.

Megjithëkëtë akuzë brutale dhe iracionale politiko-propagandistike në  adresën e gabuar të Albin Kurtit, me qëllim të fundit, që Vjosa Osmani të tregohet mëe avansuar, më demokrate dhe më evro-perëndimore sesa Albin Kurti,  në sy të partnerëve dhe miqve tanë amerikanë dhe evropianë për ta frikësuar Amerikën, Evropën dhe elektoratin vendor), si dhe  për të vjelur  më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, si opinioni i brendshëm publik në Kosovë, ashtu edhe Amerika dhe shtetet mike të Evropës Perëndimore e dinë mirë se Albin Kurti është me orientim dhe me program properëndimor dhe proamerikan, që nuk ka lidhje as me  Chaveza e as me Kimil Sungë e as me Todor Zhivkovë…, etj., por vetëm  me Uashingtonin, me Berlinin, me Londrën, me Parisin dhe me Romën etj. Kjo është rruga demokratike dhe paqësore e Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuar nga kryelideri i saj Albin Kurti, i cili, tani po garon që të zgjedhet kryeministër i qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, që de fakto dhe de jure është alternativa e vetme politike për shpëtimin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat