Duaje armikun e brendshëm

Opinione

Duaje armikun e brendshëm

Nga: Fadil Lepaja Më: 2 tetor 2019 Në ora: 14:58
Fadil Lepaja

Sot , askush nuk e konteston më hutinë tonë kolektive. Dikush, madje duke u shërbyer me metaforat, përmend patat edhe mjegullën. Apo, me fole me gjuhë lokale, shotat. Shotat në mjegull, sot janë metaforë politike.  Sidoqoftë, debati  ka të bëje veç me arsyet. Gjithë secili nxjerr arsye nga më të ndryshme, por unë kam argumentet e mija dhe mbetem kokëfortë pran tyre. Kokëfortë jemi të gjithë, edhe kur themi nuk di. Nuk dimë si është, por të gjithë e dimë si nuk është. Nuk është ashtu. Po si është?

Puna është se kemi mbetur pa armikun e jashtëm. Thjesht, s’ka më armiq kolektiv, askush nuk na rrezikon, askush nuk synon të na shfarosë e rrjedhimisht, nuk ka as nevojë as për trima që e lëshojnë kushtrimin.

Armiqtë tonë janë armiqtë e Amerikës, dhe të Evropës. Amerika nuk ka armiq, në parim. Ka vetëm interesa, kështu që ne i kemi lidhur interesat tona afatgjata me të, dhe armiqtë kur duan të luftojnë me ne, është zgjedhje e tyre, jo e jona.

Kur është fjala te Evropa, prapë mjegull. Armiqtë e Evropës nuk janë tonët, sepse Evropa nuk i ka të qartë, armiqtë. Jo se nuk ka, por edhe kjo çështje vendoset me konsensus. Interesat janë të ngatërruara, prandaj edhe puna e armiqve mbetet e paqartë. Ende pesë shtete evropiane, na mbajnë të hutuar.

Kjo te ne është manifestuar me emra të fëmijëve na më të ndryshmit. As fëmijët e gjeneratës më të re, “prodhim” i viteve të fundit, nuk marrin më emrat Kushtrim, as Heroinë, as ... hiç bre. As Vlora, Milot, luftëtar, ..!  As veteran. As Berat më nuk i vë kush fëmijës emrin. Kjo s’ka të bëjë gjithsesi me arsye lokale. Madje As Gadaf, apo Sadat, më nuk u vë emra fëmijëve të vegjël dhe krejtësisht të pafajshëm. Identiteti është turbulluar sikur ujërat... tona. Brenda një familjeje ka po ashtu ... arsye dhe interesa.

Nejse, sot e kemi me partitë politike dhe fushatën. Më nuk u mjafton as PDK, as vijat e kuqe me të,  për të u formësuar. Nuk ka aspak probleme me partitë tjera. Partitë nuk kanë telashe me armikun e jashtëm. E kemi pa se prej një partie në një parti kalohet me lehtësinë me të cilën profesionistët ndërrojnë klubet, apo shtratin. Punë interesi. Ata, posa të largohen bëhen pjesë e identitetit dhe tabelë qitjeje.

Kur përmenden vijat e kuqe, e gjithë kjo më tepër tingëllon si joshje, si premtim i fshehtë sesa si refuzim. E keni parasysh atë thënien e famshme, që na udhëzon se si të kuptojmë një refuzim nga një femër?

Kur thonë herën e parë jo, mos u dëshpëroni, kjo e ka kuptimin e ndoshta...! Nuk është refuzim. Kur thonë jo, jo edhe jo, madje pa i pyetur fare, atëherë ajo padyshim është gjithnjë e interesuar për ju. Ju ka ndër mend, ditë e natë, si thotë kënga.

Rri e rri, e secili përmend pjesën e shkëputur. Apo pjesën e mbetur. Pjesa e shkëputur ka marrë kuptimin e armikut të brendshëm. E kush nuk e ka armikun e brendshëm sot, në kohën kur kemi mbetur pa armikun e jashtëm? Ai që nuk e ka, nuk ka as  identitet të fuqishëm.

Të kuptohemi, edhe pse dolën jashtë, ata mbetën të brendshëm. Pra, mbeten pikë referimi dhe diferencimi, duke rindërtuar kështu identitetin e  vet, përmes tyre. Edhe, ata që ikin kanë  aq problem me e gjete rrobën e re identitare, ngjyrat e veta, të reja. E vetmja formë e shprehjes u ka mbetur djegia publike e rrobave të vjetra. Për të marrë vëmendjen, nuk mjaftojnë idetë, as mendimet e shprehura me agresivitet, por duhet gjithsesi të kërcas edhe grushti. Kështu është shprehur strategjia fituese e intelektualëve me muskuj.

Një parti tjetër po ashtu në zgjedhjet e kaluara, dështoi për shkak të luftës së brendshme. Humbi edhe bastionet, e cila  solli aq shumë rënie, sa në fund mbetën vetëm mekanizmat e shtrënguar për luftë kundër armikut të brendshëm, diferencimit këmbëngulës, të mbuluar, me reformat. Tash këta mekanizma efektiv janë duke u përdorur kundër një armiku të ri, të brendshëm po ashtu, i cili në fakt është armik (ndër)kombëtar.

Armik i brendshëm është shpallur korrupsioni. Prandaj askush nga partitë e tjera nuk po përzihet në këtë luftë. E kanë pranuar si luftë të brendshme. Në fakt, e gjithë kjo ka kuptim, dhe duhet pranuar si dëshirë për ndryshim të brendshëm. Nëse mundet armiku i brendshëm në këtë parti, kjo do të sjell çlirim edhe për të gjithë vendin. NË dekadën e vjetër, korrupsioni u krijua nga kjo parti, dhe dekada e re , mbase e ka kuptimin e ndryshimit.

Një parti tjetër armikun e brendshëm( i cili gjithnjë është në bashkëpunim me atë të jashtëm)  e mundi me një dredhi klasike. E mori një armik të brendshëm, të  shefit, krejtësisht të pafuqishëm dhe e bëri udhëheqës fushate. Kjo e mbylli luftën e brendshme, së paku deri pas zgjedhjeve. Shefi mbeti shef, të gjithë mbetën në vend të vet. A do të fuqizoj kjo partinë, apo do të sjell luftën e brendshme te kutitë, mbetet të shihet. Sidoqoftë, slogani i pashprehur, dhe mbase fitues, tingëllon gati biblik: “duaje armikun e brendshëm”.

Nuk e kemi lehtë! Vështirë jetohet pa armikun e jashtëm. Do të na duhet kohë të mësohemi me vetveten dhe me armikun e brendshëm. Duaje armikun e brendshëm! Trajtoje si vetveten!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat