Pasojat e copëtimit të Shqipërisë

Opinione

Pasojat e copëtimit të Shqipërisë

Nga: Delvina Kërluku Më: 4 tetor 2019 Në ora: 21:19
Delvina Kërluku

Ndarja e trojeve të Shqipërisë më 1913 la pasojë të rënda për kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare deri më sot. Kjo tragjedi vazhdon të rëndojë mbi kombin tonë. Copëtimi la shumë troje jashtë kufijve shtetërorë, duke i lënë në mëshirë të fatit ose thënë ndryshe të uzurpuara nga shtetet sllave fqinje të Shqipërisë. Kjo histori, jo vetëm që dihet nga komuniteti shqiptar dhe ata ndërkombëtarët, por tregohet e ritregohet sa herë që ne “viktimat” trazohemi. Ishin të rinj gjyshërit tanë, kur përjetuan këtë ndarje me vëllezërit, motrat e tyre, dhe fati e deshi që fëmijët e tyre t’i rritin pa praninë e të afërmve, të gjakut.

Ishin ndërtuar kaq shumë mure e asnjë urë në mes tyre. Edhe atëherë, gjatë viteve të diktaturës të egër komuniste të E. Hoxhës, në njërën anë dhe në anën tjetër të intrigantit Tito, që shtirej si demokrat, por jo edhe dashamirës dhe i drejtë me shqiptarët. Kjo ndarje bëri që të harrohet Manastiri i Kongresit të shkronjave shqipe, Shkupi - kryeqendra e Dardanisë, Struga – e katër firmëtarëve të Pavarësisë, Tetova që dha ministrin e parë të luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, Dibra – heroina e luftës me Hajredin Pashën, qytet i cili u nda në dy pjesë, kjo e “Jugosllavisë” – Dibra e Madhe (që tani na u bë mini Dibër) dhe ajo e Shqipërisë - Dibra e Vogël (Peshkopia). Se cili ishte fati i shqiptarëve pas copëtimit të shtetit amë, jemi dëshmitarë të ngjarjeve të tmerrshme e të përvajshme, do t’jua rrëfej përmes vetëm një rasti. Ja historia: Gjyshja kishte familjen e gjerë në Shqipëri dhe vetë kishte mbetur në Jugosllavinë e atëhershme. Gjyshi, me një pjesë të madhe të familjarëve, mbetën matanë kufirit.

Më vonë, nga Dibra e vogël, u shpërndanë në Tiranë, Durrës, Elbasan e gjetiu. Gjyshi im, që kërkonte bashkimin me Shqipërinë, u vra në moshë të re. U vra nga serbët me spiunim të një maqedonasi, të cilin më vonë , për gjakmarrje, e vranë njerëzit e gjyshit. Rrëfimin e trungut familjar te fëmijët e rrëfeu nëna (gjyshja ime), për të vazhduar më tej babai dhe të tjerët. Se si u njohëm ne brezat e rinj me familjarët e babait, ky është një rrëfim më vete, për të cilin gjeta shkas pas shtatë dekadash, kur kushëriri i babait (djali i hallës), më dorëzon librin me rrëfime nga jeta e tij. Sa mund të thuhen fjalë në një libër mbi jetën e një artisti, siç ishte ai një figure e nderuar në Shqipëri, Mjeshtër i Madh – artisti Lutfi Hoxha.

Unë e njihja më shumë përmes dhjetëra e dhjetëra filmave (me rolet e tij në filmat si; 1963: Detyrë e posaçme (1975) Rrugicat që kërkonin diell; 1976: Ilegalët; 1976: Pylli i lirisë; 1976: Thirrja; 1976: Tingujt e luftës ; 1978: Dollia e dasmës sime; 1980: Intendenti ; 1981: Në prag të lirisë; 1981: Shoku ynë Tili; 1984: Nata e parë e lirisë; 1988: Pranvera s'erdhi vetëm; 1990: Vetmi; 2003: Një ditë e mrekullueshme; 2009: Ne dhe Lenini, e shumë e shumë filma e role të tjera.., por edhe përmes letrave që shkëmbenim, apo ndonjë telefonate të rrallë. Kur jemi te filmat që transmetonte Radio Televizioni Shqiptar, ne përdornim lloj-lloj antenash manuale: legenë, tepsi, kanaçe, shufra alumini, etj., etj., duke “harruar” faktin se bëheshim pre e sigurimit të shtetit. Të tjerët mund të mburreshin për faqet që kanë shkruar për të, e unë mburresha se e kisha parë përmes TVSH-së dhe sot mburrem që e kam lexuar atë libër. Të njohësh gjakun përmes mediave, është sa krenari edhe dhimbje, kur të është ndaluar cakërrimi i gotave në festa, kur nuk të është lejuar ngushëllimi në raste mortore. Por, nuk kishte kënaqësi më të madhe për një prind, se sa kur e sheh për herë të parë një buzëqeshje në buzët e fëmijës së tij, kur shikuan në film xha Lutin (artistin). Fati më i lumtur ishte kur u takuam me gjakun tonë në një Shqipëri të copëtuar, por fati nuk deshi që të takohemi edhe me hallën, me dajën, me... Sa keq që kurrë s’u shpalosën deri në fund dhimbjet, vuajtjet dhe mjerimi, por edhe dashuria për njëri – tjetrin. Sot, akoma takohemi me vështirësi të mëdha, si pasojë e infrastrukturë asfare. Por, kurrë nuk do të mbyllet udha, nëpër të cilën qarkullon dashuria jonë.

Në fund: ne nuk mjafton vetëm të shpresojmë e të besojmë se një ditë do të “ngjiten” copat e Atdheut, e do bëhet NJË, por duhet edhe të punojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat