Shkodra, Malësia e Madhe dhe Mirdita

Opinione

Shkodra, Malësia e Madhe dhe Mirdita

Nga: Kolec P. Traboini Më: 5 tetor 2019 Në ora: 07:12
Kolec P. Traboini

Kur je mirditor je ndopak shkodran, por kur je malsor nuk mundesh mos me kenë -  e nisa kësisoj, me një lloj aforizme që më lindi në krye të këtij shkrimi, sepse ka njerëz në këtë botë shqiptare, që si dje, sot e pse jo edhe nesër, flasin e do të flasin si t’u vijë mideja, stomaku apo oreksi, shpreheni si të doni këtë fenomen degradues. Duke qenë lokalistë të sëmure, disa nxjerrin në sipërfaqe të llomotitjeve moçalore virtuale veç eksese në marrëdhëniet ndërkrahinore. Merren me ngjarje të vogla, sipërfaqore,  pa asnjë peshë në jetën e një kombi  dhe u japin konotacione negative historike. Ka plot të tillë dhe janë shtuar në mënyre të mnershme. Duket që dikush, nga jashtë në këto treva ilirike, derdh miliona euro-dollarë në xhepat e plëngprishësve për ti parë shqiptarët si një popull nomad, një popull i armiqësuar mes vedit, që për këtë shkak nuk dinë as të vetëqeverisen. E ka thënë dikur Kol Jakova, shkrimtari shkodran që me keqardhje them se sot nuk e kujton askush,  “Parja e huaj e shkreta”. Mirëpo dikujt, në aleancën e shtriganëve antishqiptarë,  e vërteta e mirëkuptimit mes shqiptareve u prish punë, sepse ajo është si një kandil drite në terrinën ku ndodhemi, jo nga dëshira por nga prapambetja. Se në të vërtetë ende jemi në errësirë, kryekreje në errësirën e mendjes mbetur peng i haraçeve të së kaluarës.

Kur të nisësh të presësh dru në pyll, sopatën kape mirë nga bishti, e jo, siç ndokush mbrapsht na mëson. Kësisoj di të them se eksese ka në çdo bashkësi në botë, por kurrkush nuk e tipizon një popull a një komb me këto. Nuk ka stive pa një dru të shtrembër, natyrisht. Nuk ka pyll pa derra thotë populli. Dhe kot nuk e thotë. Edhe brenda një familje, e jo ma në mes të dy krahinave, të mos ketë ndodhi të papëlqyeshme. Por me çfarë di e me çfarë kam pa e ndigju, ma shumë ngatërresa ka pas mes vetë shkodranëve të qytetit, vendalive pra, se sa shkodranëve e mirditorëve, që përkundrazi, Shkodrën e kanë pas si qytetin e vet shpirtëror, krenaria e mbarë veriut e me gjërë. Edhe legjenda e zezë e ngritur për tradhti të Markagjonëve ndaj Dedë Gjon Lulit, që dikush e pompon zhurmshëm edhe sot e kësaj dite,  është diç më shumë se një mentalitet krahinor, është një manipulim historik. Nuk dua ti hyj hollësive, por të them ma të qenësishmen. Dihet në interes të kujt krijoheshin këto stigmatizime historike; që krahinat e Veriut të ishin të përçara dhe të mos kishin qëndresë përballë  murtajës së zezë a të murtajës së kuqe. Pastaj, kryekreje tradhtinë ma të madhe dhe vrasjen e Dede Gjon Lulit e bëri Europa, ajo kurvë plakë, historiko-histerike (nuk dua ta aktualizoj të kaluarën, por ndërgjegjja duhet të vazhdojë ta vrasë), që pa asnjë motiv e pa asnjë arsye historike e ndau Hotin përgjysmë. Vrau krahinën që për trimëri e urti ishte në ballë të kuvendeve shqiptare të Malësisë së Madhe. E preu në mes Malësinë për të mekun qëndresën e shqiptarëve.

Sot kalamenden shumë për Francen, kinse të na mbushin mendjen se jemi popull frankofon e jo viktimë e pamëshirës së saj,  por historia që na djeg nën lëkurë na tregon se ajo ishte kryekurva. Me misionin e perversitetit politik, Franca ishte mentoria e serbëve, vrasësve të popullit shqiptar. Prandaj të mos ngulmojmë të kërkojmë armiq mes vetes vend e pa vend, por të gjejmë motive në histori që na njëjtësojnë si popull e si komb. Të mos e ndajmë nga mendja mendimin se, Bashkimi Shqiptar mund të jetë sot një ide e cila duke u ushqyer me atdhedashuri në mënyrë të përditshme, bëhet dëshirë përvëluese e duhet ta mbajmë në gjoks siç mbahej dikur prushi në hi për të bërë zjarr të nesërmen. Në këto troje kështu kemi bërë që në kohët e lashta pellazgjike e të vazhdojmë ta mbajmë vatrën bashkimit kombetar ndezur. Dikush do të thotë nuk duam zjarr e prush po duam me pa botë me sy se po lëbyremi nga shkëlqimi i huaj. Le ti mbajmë e harmonizojmë të dyja këto dëshira. Hebrenjtë e ndërtuan shtetin e Izraelit së pari në mendjet e zëmrat e veta për 2500 vjet, hapërda nëpër tërë skajet e botës, nëpër ëndërrime brezash,  nëpër travaja e lotë gjaku, deri sa erdh çasti fatlum, i cili të shfaqet nëse këmbëngul në kërkim e përkushtim të pa trandur.

Mendjet e kthjellëta, me zemër kombëtare e dashuri për vendlindjen, duhet të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja historike, të dobishmen nga e dëmshmja. Se që ta kthjellojmë mendimin, brenda krahinës së të parëve të mi, Hot, edhe për këtë bash të trimërisë e të besës malësore, dalin shpifës të përjargur që thonë se kinse Gjergjin, djalin e vogël të Dedë Gjon Lulit, nuk e kanë vra turqit në luftën e Tuzit, por e kanë qëlluar të vetët prapa krahëve. E dihet mirë se ku po u rreh çekani këtyre sajuesve të historisë sipas stilit komunist hoxhist në Shqipëri apo shovenist titist në ish Jugosllavi. Ka plot sajesa të tilla, ka plot njerëz që, për paret e huaja të shkreta apo nga terrina e mendjes, përhapin në popull histori që na ndajnë e na përçajnë sa me ju dhimbtë gurit e drunit. “Kjoft mallkue kush qet ngatërrime/ ndër kta vllazen shoq me shoq, /kush e ndan me fjal e shkrime,/ çka natyra vetë përpoq”- shkruante i madhi Ndre Mjeda. Nuk mbetet veç të them, Amen! Si konkluzion i natyrshëm mund të them se ka qenë fat i madh për Shkodrën si qytet, që ka pas shpatulla të mbrojtura nga Malësia e Madhe e deri në Dukagjin e Nikaj Mërtur dhe krejt afër nga Mirdita. Fat historik jetik e shpëtimtar, për të cilin fjalët e mirënjohjes duhej të shkruheshin në një monument me gërma të arta. Ka 2500 vjet që Shkodra mbijeton si mbretëreshë, falë maleve që i rrinë si një aureolë lavdie e përjetshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat