Lehtësia e (pa)përballueshme e ndryshimit

Opinione

Lehtësia e (pa)përballueshme e ndryshimit

Nga: Fadil Lepaja Më: 9 tetor 2019 Në ora: 11:07
Fadil Lepaja

Ndryshimin nuk na e sollën. Erdh vet, herët, me autobus të pesëve, nëpër mjegullën e vjeshtës së parë. Të gjithë në politikë dhe në shoqëri ja kanë thirrur emrin. Lemza, askënd nuk e ka mbërthyer më tepër se Ndryshimin, këto ditë. As këtë muaj. Këto vite, po ashtu. Por ndryshimi nuk vinte. Vinin të njëjtit të veshur ndryshe, me rroba të huaja.

Të gjithë ishin të pakënaqur, por ndryshimi nuk po vinte. E kërkuam në qeverisje, nëpër sheshe, nëpër zyra ndërkombëtare, e kërkuam madje edhe te armiqtë tonë të deridjeshëm, edhe te ata historik, por nuk erdh. Molla e pjekur, bie vet, me një lehtësi të padurueshme për këdo që është zgjatur e munduar aq shumë për ta mbërri nëpër degët e larta, apo vetëm ka lakmuar duke kaluar pranë, pa besuar se e arrin dot, pa guxuar as të shprehë dëshirën. Pastaj kur, molla pikë para këmbëve tua, e kupton se qenka pjekur.

E thirrën, Ndryshimin edhe ata që ishin në pushtet dhe nuk dinin çfarë të bënin me të, me pushtetin. E kishin shtrydhur krejt, dhe i lusnin të tjerët me e marrë, me e nda bashkë me ta. E thirrën edhe ata që ishin në opozitë dhe nuk dinin çfarë të bënin, që Ndryshimi të vinte. I kishin provuar të gjitha, gati. E kishin provuar edhe gjakun në fytyrë, sharjen globale, të gjitha mediat kishin gërmuar nëpër rrobat e tyre të brendshme, në dhomën e bukës, të gjumit, pa ju lënë askund privatësi.

Migjeni, poeti e jo ky kandidati për deputet, dikur përfliste “grushtin e fortë” dhe “malin që nuk bëzan”, të cilin ai e kishte rrahur aq shumë me grushte, por ai nuk lëvizte, se nuk lëvizte.

E rrahën me grusht, e i rrahën, shpesh shokët e deridjeshëm të luftës, apo të barrikadave kundër pushtuesit njëqind vjeçar, i cili aq shumë është akomoduar këndej sa për një pjesë, dukej ende më i pranueshëm se Ndryshimi, të cilin po e kërkonte shumica.

Nejse, tash po e dimë, Ndryshimi ka ardhur. Askush nuk po e di çka do të bëhet me ne, por të gjithë e kishim të qartë se ashtu nuk shkonte më tutje. Të hënën edhe qytetarët të cilët çdo mëngjes rrëmojnë nëpër kontejner, edhe punonjësit e higjieno-teknikës, edhe policët në rrugë të cilët po shpërndanin me zell tiketa, dhe po e çrregullonin komunikacionin si zakonisht, edhe një kombi-buss, në xhamin e prapmë të cilit shkruante “Edhe unë ty”, edhe ... të gjithë e kishin marrë një nur, nurin e ndryshimit, edhe pse po bënin gjërat e njëjta të cilat i kishin bërë edhe dje, edhe pardje edhe ...përditë.

Nuk po e dalloja Ndryshimin mes tyre, nuk kishte daulle në krah, as nuk paska ardhur me sevda, as me zhurmë, po mendoja derisa po rrëshqisja rrugëve të kryeqytetit i cili po zgjohej me përtesën e njohur dhe të zhurmshme ballkanike.

E kush do të hedh lotsjellës, në parlament, mendova? Kush do të përdorë krejt taktikat e luftës guerile, në kryeqytet? Kush do të thotë nuk është ashtu, as ashtu, nuk është bre?

Një deputet, tashmë i opozitës, ka premtuar qysh tash se do të ja nxijë jetën qeveritarëve të ri. Disa që rrihnin nëpër studio dhe nëpër prapaskenat e tjera të krimit, do të kalojnë në luftë guerile, nëse vazhdojnë të kenë sponsor të njëjtë, sepse qytetarët nuk i pranuan si pjesë të ndryshimit.

“U nda në dy pjesë”, thotë barsoleta më e re. “Njëra vdiq e tjetra fitoi”, apo ndryshoi, duke e ndryshuar krejt shoqërinë dhe shtetin. Ndryshimi, po na përfshinë, në një pasiguri të përballueshme, të pashoqëruar me kërcënime, hakmarrje, e asgjë me çka po na frikësonin mediat, të cilat krizën e kanë bukë dhe prodhimin e armiqve e kanë biznes. Ideale është, kur armiqtë rrihen në arenën tënde, dhe fiton mijëra pëlqime virtuale. Ti je njëshi, nëse ke më së shumti pëlqime. Vep mos të na detyrojnë të bëjmë gjimnastikë në mëngjes.

Ideologjia, nëpër libra, edhe gazeta, se asokohe nuk kishte portale, as rrjete sociale, na thoshte se Skënderbeu nuk e solli lirinë. Disa thonë, se ai e kishte gabim, se nuk duhej të ikte nga fusha e betejës me treqind luftëtarët e tij besnik dhe të prodhonte pasoja të dëmshme, pas 600 vjetëve.

Të gjithë vendorë dhe të huaj, po na bindnin, se është gabim të jesh ai që je, se duhet ndërruar ngjyrat për të u përshtatur me rrethin, duhet ndërruar identitet për të qenë i pranueshëm për pakicat. Pak a shumë i provuam të gjitha, përpos të jemi vetvetja. Vetveten e kishim fshehur, në përpjekje për të ndryshuar gjendjen tonë, e kishim mohuar vetveten.

“Nëse do ndryshim, fillo nga njeriu që të sheh nga pasqyra, përballë”, tha dikush me një urti, të kuptueshme për të gjithë. Por edhe duhej besuar.

“O ju që besuat....” u përdor edhe në fushatë, fraza profetike për të rikthyer besimin në vete. Lirinë e gjeta midis jush, patë thënë Gjergji, dikur. Po ku dinte të thurte, kësi statuse, Gjergji, thumbojnë sot rrjetet sociale. Rrjedhimisht, Ndryshimin, vërtetë nuk na e sollën ata që thurin bukur statuse. Ishim ne vet, ne që nuk i besuam anketat e porositura, e të paguara, virtuale, as ato televizive.

Edhe molla në krye të degës, është pjekë me ra. Qy pjekë, është kalbur thuaj! Duke e parë atë, e kuptuam se çfarë nuk duam. Tjerat erdhën vet. Me autobusin e pesëve, në një mëngjes me mjegull dhe u përhap mes nesh, Ndryshimi!

Ne nuk bëmë asgjë, vetëm votuam! Ndryshimi paska qenë mes nesh, vetëm duhej besuar dhe guxuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat