Degradimi i Nobel-it

Opinione

Degradimi i Nobel-it

Nga: Sylejman Salihu Më: 10 tetor 2019 Në ora: 23:05
Sylejman Salihu

Sot ishte dita kur do të jepej çmimi i "Nobel" për një shkrimtar botëror. Nuk e prisja se këtë çmim do ta mirrte Ismail Kadare, i cili kot sillet vërdallë si i nominuar deri në rrethin e ngushtë të kandidatëve për këtë çmim, se e dija që Ismail Kadare moti është në armiqësi me Akademinë Suedeze të Nobelit, ndaj edhe nuk do ta mirrte.
Por kurrë nuk e kisha besuar se Akademia Suedeze e Nobelit do të degradojë kaq shumë, siç ndodhi sot me datë 10 tetor 2019. Përse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu sepse sot kjo akademi ia paska dhënë çmimin e saj të përvjetshëm për letërsi, përjashtuar vitin e kaluar, i cili nuk u dha, një shkrimtari, i cili përkundër që ka shkruar libra, nuk ka plotësuar standardin kryesor: atë të karakterit human që ka letërsia. Ndoshta edhe letërsia e tij fundja në vete përmban këtë vlerë dhe këtë cilësim, por a e ka vetë autori, përkatësisht marrësi i këtij çmimi? Është tepër e dyshimtë për t’ u thënë, se e ka merituar atë që i është dhënë.

Pritjeve të lexuesve se kush do të ishte sivjet shkrimtari, që do të bëhej i famshëm si marrës i Nobelit, me të dhënë të lajmit, sikur ia ndali frymën shumëkujt. Si mund të thuhet kështu? Pse mund të thuhet kështu? Nëse një shkrimtar misonin e të shkruarit dhe të të bërit letërsi e bën nisur nga ca vlera universale humanitare njerëzore, mbarëplanetare, rasti i dhënies së çmimit të sotëm e demanton këtë. Pse? Sepse ky çmim qenka ndotur kur paska shkuar në dorën e një shkrimtari fashist, i cili mund të ketë shumëçka të mirë në veprimtari tjera, por të jetë shkrimtar, madje shkrimtar i kalibrit për të marrë edhe Nobelin, jo kurrsesi. Se shkrimtari i vërtetë përjetësisht ecën drejt vlerave universale njerëzore që me artin e tij fisnikëron botën dhe lexuesit duke mbjellë paqë kudo dhe kurdo që shkruan ndaj edhe porosia e tij nuk mund të jetë tjetër veçse ajo paqësore. Por ja që shkrimtari austriak, Peter Handke, që vjen nga një vend mik siç është Austria, nuk është i panjohur me surratin e tij të vërtetë, të cilin e kishte treguar këtu e 20 vjet më parë, pikërisht në kohën kur bota demokratike perëndimore kishte marrë në dorë mbrojtjen nga zhdukja fizike dhe politike të një populli siç ishin shqiptarët dhe të një vendi, siç ishte Kosova. E kundër kësaj ndërmarrje shpëtimtare për një popull që po përgjakej dhe po vdiste përditë nga makineria fashiste e Millosheviçit, del një shkrimtar që me shumë guxim, madje me guximin e një të çmenduri, dhe e kundërshton me gjithë pasionin e tij shpëtimin nga shfarrosja të një populli dhe atë të një populli të lashtë, të një vendi dikur të quajtur Iliri, me banorët e saj ilirët, me të cilin para dymijë vjetëve vetë shteti i tij , pra Austria, atëherë Germania, ishte në fqinjësi, për t' i marrë por edhe për t' i dhënë kështu njëri-tjetrit.

Ky farë shkrimtari, që në vitin 1999 ishte bërë personazh i titujve të mëdhenj nëpër ballinat e gazetave perëndimore, për pikëpamjet e tij fashiste ndaj shqiptarëve të Kosovës, sot vjen dhe bëhet nobelisti më i ri për letërsi në gjithë planetin dhe kështu hyn në radhën e shkrimtarëve, që vërtetë ia kanë zbardhur fytyrën edhe vetë dhënësit të quajtur “Nobel”. Por në vend që ta përgëzojmë, ne doemos duhet të klithim me gjithë forcën deri në kupë të qiellit: O tempora, o mores! Ç’ është kjo marrëzi? Si është e mundur që një Akademi aq prsetigjioze dhe aq e njohur botërisht, të dalë me një vendim të tillë për të nderuar shkrimtarin , që në thelb të veprës së tij publicistike , ka urrejtjen dhe fashizmin. Në kohën kur gjithë bota perëndimore dhe liridashëse ishte ngritur në këmbë për të shpëtuar një popull të pambrojtur, të vrarë e të hequr zvarrë, të dhunuar e të masakruar, ai me guximin e një të çmenduri ngritet dhe kërkon të kundërtën, duke u vënë në shërbim të diktatorit Millosheviç si një mbrojtës i tij, si një mbrojtës i një xhelati, që e kishte sjellë gjithë Ballkanin në një lëmsh të pështjelluar mbushur plot viktima ku kutërbonte erë kufomash të masakruara dhe kështu duke bërë që këtij lëmshi të mos mundej askush t’ ia gjente fillin. Ky shkrimtar fashist nga sot për fat të keq “nobelist” ishte vënë në mbrojtje të një makinerie shfarrosëse që po kryente një gjenocid shfarosësh përmasash të një holokausti, por në një kohë moderne, madje në një kohë kur gjithë bota kryefjalë të ditës kishin paqën, kudo dhe për këdo qoftë ajo. Ky shkrimtar i nderuar sot me çmimin më të madh botëror, me të cilin nderohet njëherë në vit një shkrimtar i botës, që bën letërsi, ishte vënë në mbrojtje të Sllobodan Millosheviçit, të këtij satanai, i cili ishte arkitekti i gjithë asaj katrahure, që kishte shkaktuar aq shumë viktima në të gjithë popujt e Ballkanit. Madje pasioni i tij prej të çmenduri kishte shkuar aq larg, sa kur Papa i Romës, si përfaqësuesi i Kishes Katolike, besimtar i së cilës ishte edhe Handke, kishte miratuar ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, ky nga zemërimi për këtë miratim të Vatikanit, kishte mohuar të ishte më pjesëtar i asaj kishe dhe menjëherë ishte konvertuar në Kishën Orthodokse Serbe!!! Ky emër, që nga sot është nobelisti i letërsisë botërore për vitin 2019, në vitin 1996 kishte shkruar edhe udhëpërshkrime me titull ”Një udhëtim dimëror në lumenjtë Danub, Sava, Morava dhe Drina ose drejtësi për Serbinë”, të cilat udhëpërshkrime kishin shkaktuar kontraversa të shumta politike, madje që vazhdojnë të shkaktojnë deri në ditët e sotme. Por kjo e dhënë faktologjike nuk ia kishte prishur tymin fare Akademisë Suedeze të Nobelit. Dashuria e këtij shkrimtari për Serbinë dhe veçanërisht për diktatorin dhe satrapin Millosheviç nuk kishte mbaruar këtu. Ai kishte shkuar edhe më tutje, sa atij nuk i ishte duruar pa shkuar për ta vizituar të burgosurin e tij edhe në Hagë, në të cilin burg i adhuruari i tij edhe vdiq që kështu pastaj, Handke të shkojë edhe në varrimin e tij, duke mbajtur edhe një fjalë mortore për mikun e tij!!!
Ja pra një njeriu të tillë, “Nobeli” suedez ia dhuron çmimin, duke devalvuar kështu edhe vetë çmimin dhe emrin e themeluesit dhe shkencëtarit Alfred Nobelit, i cili e kishte lënë me testamentin e tij çmimin për kulturë, shkencë, letërsi, paqë, por asnjëherë dhe asnjëherë kurrë për njerëzit fashistë, të cilët kot merren me arte dhe letërsi. Por ja që Suedia e bën dhe madje kjo të duket se këtë e bën për inatin e shqiptarëve.

Pse për inatin e shqiptarëve? Sepse njëherë Akademia Suedeze kishte rënë në provim duke ia dhënë këtë çmim shtetit mik Serbisë dhe më konkretisht shkrimtarit të saj Ivo Andriqit, i cili si antishqiptar që ishte kishte arritur të përpilonte një elaborat për largimin dhe shfarrosjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Aq i kishte bërë Andriqit që ishte shkrimtar, kryesorja ai duhej t' i shërbente kauzës së shtetit të tij. Edhe Akademisë Suedeze të Nobelit aq i bën kjo për fashizoizmin e Peter Handkes, të cilit ajo i dakordoi Çmimin e Madh!

Megjithatë le ta mbajë për nder!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat