Arkivole para Svenska Akademien

Opinione

Arkivole para Svenska Akademien

Nga: Lis Bukuroca Më: 12 tetor 2019 Në ora: 16:00
Lis Bukuroca

Së paku dhjetë arkivole duhet shtrirë më 10 dhjetor para derës se Akademisë Suedeze për të shprehur mospajtimin me vendimin e saj makabër. Me 10 dhjetor ka vdekur Alfred Nobeli dhe me 10 dhjetor, ngrihet në piedestal mbështetësi i vdekjes,  shkrimtari, që përkrahu vrasjen e dhjetëra mijëra vetave.

Boshnjakët dhe shqiptarët, që jetojnë në Suedi, atë ditë duhet me arkivole për fëmijë dhe për të rritur, t’i japin vendimit kuptimin e plotë dhe me ato me ato imazhe, le të mburret tutje Akademia dhe Peter Handke.

Ajo u kthye gjoja e larë dhe e shpëlarë nga korrupsioni dhe skandalet seksuale, por sapo u shfaq, prodhoi një mëkat më të madh, se sa ato të mëparshmet, që e detyruan të ripërtërihet. U zëvendësuan hamshorët dhe cubat, me mbështetësit e masakrave! Pas këtij shpërblim, nuk është çudi nëse vitin e ardhshëm shpërblehet një mohues i Holokaustit.

Ata nuk nderuan vetëm Peter Handken, - birin e një ushtari gjerman i stacionuar në Kerten të Austrisë (1942) dhe nënës sllovene-, por u ngrit në piedestal edhe barbaria e Millosheviqit.

Kasapi i Ballkanit nisi luftën në Slloveni, vazhdoi në Kroaci, por Handke me krimet atje nuk merret, sepse janë katolikë, si ishte ai deri në vitin 1999, kur braktisi Kishën Katolike, pse Papa nuk kundërshtoi intervenimin e NATO-së. I revoltuar hyri në Kishën Ortodokse Serbe, e cila në Ballkan, është kisha më antikrishtere që ekziston.

Krishtin e gozhduan të fuqishmit, sepse nuk kishte armatë të fuqishme pas vete, njësoj si edhe fëmijët, gratë dhe burrat e masakruar, që u hodhën në gropa me bagerë,  sepse nuk kishin armatë të fuqishme pas vetes. Krishti lutej të falen gozhduesit, Handke lutej të falen gozhduesit e Krishtit! Akademia e Suedisë e tumiri. Turp!

Peter Handke nuk është viç, të cilit i rrjepet lëkura sepse nuk i hahet, kurse mishi konsumohet dhe thuhen fjalë të mira për shijen, pa menduar fare se ai viç, kishte pasur edhe lëkurë. Handke është njeri dhe nuk mund të rrjepet dhe vlerësohet brendia e tij, por jo e jashtmja, sepse qëndrimi i tij politik, është edhe i shkrimntarit. Apo Akademia ka bindjen se lëkura tij mund të përdoret për çizme ushtarake, si edhe e viçit, por e tij si metaforë për motivim, për indoktrinim, për rritjen e urrejtjes dhe radikalizmit në Europë?

Peter Handke nuk nderon as popullit serb edhe pse është anëtar i Akademisë serbe. Një ditë serbet do te turpërohen me veprat e tyre, siç turpërohen gjermanët sot, apo austriakët me hitlerin. Popujt do të pajtohen në mes vete, sepse gjithmonë mirëkuptimi dhe paqja zgjasin më shumë se luftërat. Një ditë edhe Akademia Serbe do të ndjehet e turpëruar pse e ka pranuar në gjirin e vet. Ai sot është krenaria e tyre, sepse nxënësit e Millosheviqit, kanë shtetin në duar.  Ai mund të jetë shkrimtar i madh, por njeri mizor, që meriton burgun, jo shpërblimin, sepse ai i gëzohet vrasjeve dhe mbron krimin, jo pse ata ishin kafshë, por pse nuk ishin ortodoksë apo katolikë.

Akademia është farsë, sepse ajo nuk mund të vlerësojë një shkrimtar dhe ngre në një rang botëror, sepse vlerësimi i drejtë sot është i pamundur, sepse se paku dhjetëra janë ata që e meritojnë në vit! Kjo është një shou, që po dëmton letërsinë, që manipulon, sepse kur fiton çmimin Handke, pas mohimit të masakrave të dëshmuara nga Gjykata, atëherë përfundon humori i Akademisë së korruptuar, e cila nga Shtëpia Publike, u shndërrua në qendër të racizmit.

Pse duhet zhbërë Çmim për letërsi?

Ju nuk mund të jeni kompetentë për të vlerësuar letërsinë e mijëra shkrimtarëve

Ju shprehni mirënjohje për shkrimtarët pak vite para vdekjes

Ju nuk shpërbleni shkrimtarët, ju korruptoni ata

Ju i shpërbleni ata në pleqëri, pak para vdekjes

Ju shpërbleni pasardhësit e tyre, nëse i kane, nëse jo, nuk dihet ku përfundojnë ato qindra mijëra euro

Ju shpërbleni ata që gjenden ne maje, shkrimtarët milionerë, që nuk kanë nevoje për para

Ju prodhoni iluzione se gjoja po veçoni më të mirin

Ju merrni vendime politike, jo letrare

Ju krijoni një aristokraci shkrimtarësh dhe dëmtoni ata që nuk mund ta marrin atë, edhe pse shpesh janë më të mirë se të zgjedhurit tuaj

Ju korruptoni shijen letrare dhe impononi shijen me shovinizëm

Ju nuk duhet të shpërbleni as një njeri, që mbështet masakrat ndaj kafshëve, sepse çdo gjallesë ka të drejtë të mbijetojë

Ata myslimanë të vrarë para se të ishin fetarë ishin: njerëz, fëmijë, gra, djem, vajza, burra dhe gra…

Ju ndjeni dhembjen vetëm kur dhuna ushtrohet mbi ju

Ju qani vetëm kur ju vdesin të afërmit tuaj, por shpërbleni lobimin e vrasjeve te të tjerët

Ju nuk keni marrë vendim humanist, por satanik

Ju nuk pranoni as doktrinën që besoni, por gjykoni Krishtin duke madhëruar veprën e Pilatit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat