Kalorësi i gjymtë nëpër fushën e shkretuar

Opinione

Kalorësi i gjymtë nëpër fushën e shkretuar

Nga: Rezmi Salihu Më: 12 tetor 2019 Në ora: 23:00
Peter Handke

Peter Handke, njeriu më i diskutuar i këtyre viteve të fundit, autor i përkthyer në më shumë se 20 gjuhë, për shkak të pikëpamjeve të tij politike dhe propagandistike, tani trajtohet si mendja më e turbullt e shekullit tonë. Me amoralitet intelektual përlyen kohën dhe me dregëza fjalësh njollos popujt liridashës, flamurin e paqes e ngjyros me gjakun e turbullt të fashizmit.

Shkrimtari i mirënjohur në gjuhën gjermane, një ortodoks fanatik, kritikues i Papës, mik i ngushtë i popave, vizitues i dhunës, e nis shtegtimin e tij me shkronja amorfe nëpër fjalët me mjegulla ëndrrash fashiste. Ky është Peter Handke, njeriu më i diskutuar i këtyre viteve të fundit, autor i përkthyer në më shumë se 20 gjuhë, për shkak të pikëpamjeve të tij politike dhe propagandistike, tani trajtohet si mendja më e turbullt e shekullit tonë. Me amoralitet intelektual përlyen kohën dhe me dregëza fjalësh njollos popujt liridashës, flamurin e paqes e ngjyros me gjakun e turbullt të fashizmit. Marshon me mëkatet e hidhura dhe dëshmitë e rrejshme në ballë, nëpër djerrinën e  djegur të kreativitetit. Handken, unë do ta quaja Handkeviç, është nisur rrugës së gjymtë ultrafshiste, duke ndjekur akejtë e xhindosur me ndërgjegjen e tij të papastër nëpër sheshin e shtrigave. Nget me fantazmën e tij të çuditshme nëpër rrugën e hidhur të përbindëshave me propagandën serbe “Do të luftojmë deri me serbin e fundit”. Atë se çka bëri Milloshviqi me makinerinë e tij ushtarake, këtyre viteve të fundit, po të njëjtën gjë me këmishën përlyer të fjalëve të dhunshme, veshi ngutshëm ligjërimet ditore të tij, me pezmin e urrejtjes të përçmimit, kundër Aleancës Veri-atlantike edhe Handke. Ai thotë: “Unë jam me serbët” dhe endet pas propagandës millosheviqiane, nget me flokët e pakrehura të mendimit nëpër kratere vullkanesh njerëzimi dhe me gjuhën e tij dhelparake të urrejtjes, si person i vetëm është më pak interesant se sa Handke, si merimanga kryesore nëpër shumë rrjeta të ndryshme kohore e vendore. Edhe letra e humb vlerën e shkrimit, me deklaratat e tij prej “rrugaçi artistik”, apo me ato mendime absurde, që bëhen derivate të një loje subjektive nëpër mediumet e kuluare masive. Redaktori dhe poeti Mihael Kryger shpalon mendimin e tij kur thotë se ka paralajmëruar Jugosllavinë – luftën, dhe Handke është bërë i madh duke u shoqëruar me filozofët francez të klasës së tij të vjetër. Madje Krygeri flet për autoktoninë e Millosheviqit brutal, po me këto deklarata të tij shëtit edhe Handke, por pa ia përmendur emrin këtij satrapi, dhe bëhet edhe më i lumtur në vete, duke marshuar nëpër kufoma viktimash, pa dhembje e shqetësim njeriu.

MONSTRUMI IDEOLOGJIK

Lidhjet e ngushta vëllazërore të Hendkes (viç) me serbët shihen qartë në krijimtarinë e tij të fundit. Ato janë: “Drejtësi për serbët”, “Udhëtimi me barkë ose pjesa e një filmi për luftën”, aty shpalohet populli serb dhe në krye të tij gjendet Millosheviqi. Ai në Serbi duket si “monstrum ideologjik”, kurse Handke me shprehjet e tij poetike nga situata politike, këto imazhe të egra i kthen në shprehje dhe figura, apo në përralla e mite. Handke, ashtu i vetëdijshëm si Millosheviqi, janë të radikalizuar tërësisht dhe që të dy takohen në fund të luftës apo në fushëbetejë. Strategë janë që të dy, të betuar në masakër dhe përdhunim. Janë altruistë që s’pranojnë asgjë ndryshe, por sipas shijes dhe mënyrës së vet të veprimit. Se çfarë njeriu është ai, më së miri e .përshkruan gruaja e tij e dikurshme, në revistën ‘’Format’’ duke thënë se Handke është një “ideolog i fashizmit”, asaj ende i kujtohen ato ditë kur jetonte së bashku me atë: “Unë i ndjej përsëri, ato këpuca të rënda në fund të barkut dhe grushtin tënd në fytyrën time. Jo, ti nuk je burrë i paqes”. Në këtë mënyrë e përshkruan Maria Colbin, këtë “monstrum artistik”. Vetëm miku i tij Klaus Peyman i bën nebet, duket e vënë në skenë veprën e tij “Udhëtimi me barkë apo pjesa e filmit nga lufta” të Peter Hendkes. 

Ky njeri zjarr tërbimi nxjerr nga goja e tij, kur NATO del në fushën e mejdanit  për të mbrojtur drejtësinë mbi barbarinë. Me thundrat e tij të ndryshkura të kohës shkon edhe më tej, kurse me temperamentin e tij llomotitës, duke u pozuar e propaganduar para gërmadhave që i ka shkaktuar NATO-ja me bombardimet e veta të njëpasnjëshme. Skutë më skutë u bie qyteteve, bashkë me shokun e tij Zllatko Boçikiq dhe nuk frenon reagimet e tij në ‘’Syddeoutschen Zeitung’’ kundër Aleancës veri-atlantike. Pa përmbajtje në vete, me zhaurimë tmerri e gagaritje të rrëzbitur, mbush faqet me intervistat dhe skicat e tij për Ballkanin. Me gjuhën e tij të çakërdisur, të shndërruara në poezi, minon paqen – të bardhën e kthen në të zezë. Strehëve të shtëpive të rrënuara zgjon alarme dhe kërkon strehim me mantelin e zi të kohës, duke kënduar naivisht tërë natyrën e tij të zgjedhur, të bukur dhe për trishtimin e vrullshëm të luftës në këtë idili të tmerrshëm njerëzor.

Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në revistën “News” me gjuhën e tij të përlyer, të infektuar me servilizëm të propagandës serbe. Fajtorë të luftës i bënë “djelmoshat e ndytë amerikanë”, “sportistët artistikë anglezë”, “trurin bombardues gjerman”. Por, ti Handke (viç), i hipur mbi kalin e shqetësimeve, bashkë me kujtesën tënde të përllomur nga indoktrinimet e pavërteta historike, a nuk e sheh atë tokë të djegur, ato familje të zhdukura? Ata burra të masakruar para grave e fëmijëve të tyre. Ato vasha të përdhunuara nëpër Ballkan. Të pakta të duken ekspedita policësh, ushtarë e paramilitarë, që shkulin një popull të tërë nga trojet e tyre? Jo Handke, nuk është e marrë bota e civilizuar sot, as ato veprimet e tyre humane, për t’i dalë zot një populli më të vjetër në  Evropë. Kultivoni pak mendimin e kthjellët, kur të hyni nëpër skutat e kështjellës së lashtë historike dhe do të shihni aty mirë gënjeshtrat dhe çizmet e rënda që kanë shkelur ashpër nëpër tokën e Ballkanit. Do të shihni mirë ofkëllimat tokësore, gërmadhat e përgjakura që nuk e kanë lënë të ngrejë kokë një popull, atë popull që të huajin e ka dashur më shumë se veten. Të hidhëta janë dëshmitë për ata njerëz që e njohin historinë e këtyre popujve të Ballkanit. Shumë lehtë ka qenë të intrigosh ngjarjet para shumë shekujsh. Vritet, shfaroset, shpërngulet, masakrohet njeriu, bota nuk e ka ditur se çka ndodh në këtë anë, me vete ka thënë pa u skuqur, vriten do fise të egra në Ballkan. Por, kur sot teknika dhe elektronika është zhvilluar aq shumë saqë edhe katundin më të mbetur në botë mund ta shohim nëpër ekranet dhe nëpër mediet e sotme elektronike. Prandaj, sot, popujt e civilizuar kanë reaguar për të mbrojtur drejtësinë dhe rendin e ri botëror, që të mos ketë dhunë, për një popull se dallohet në gjuhë apo fe nga populli tjetër. Dikush mund të mendoj se Ballkani është bytha e Evropës me plotë hemorroide, por kjo është një propagandë trumohsëse e keqe, që përtyp gënjeshtra për ta lënë këtë pjesë të Evropës në harresë e konflikte të përhershme. S’ka skenë më neveritëse sesa kur tërbimi me gojën e madhe përtyp gënjeshtra e mendime nëpër mugëtirën kësaj toke fatkeqe. Të gjitha të diturat dhe të paditurat, tanimë, kanë dalë në shesh, e ti Handke shtiresh si poet i paqes dhe si njeri apolitik, ngjitesh në skenën e rrenave dhe stërrenave të mëdha e të përditshme, duke sharë e njollosur çdo gjë që thuhet realët e drejtë, apo mendohet ndryshe, nga ajo që e thoni ju njëanshëm. Për ty bota është e padrejtë, ose thënë më mirë bota për ty është e shëmtuar. Ti nuk flet për shoqërinë, por për popullin. Por, për cilin popull? Natyrisht për popullin serb, se vetëm atë e ke në qejf, se të ka manipuluar ty. Për ty politika është e drejtë kur ajo është e bukur si poezia jote. Ti Handke i urren të gjithë ata gazetarë të njohur që nuk shkruajnë sipas dëshirës sate, kurse ata sipas logjikës suaj të kufizuar, botën e bëjnë të shëmtuar. Pasi ti je i lindur në Griffen, në vete ke trashëguar fjalor më të ndytë ndaj çdo gjëje që s’u përgjigjet ideve dhe propagandës suaj ndaj edhe thoni: “NATO është një fundrinë”, “NATO – kriminele”, “këshilltar gazetash”, “çifshahijesh” etj.

SHITJA PËR TË SHËMTUARËN

Bota nuk shqetësohet se ti je një mik i madh i serbëve, por të mos thuash asnjë fjalë për terrorin dhe mjerimin e shqiptarëve në Kosovë, për vrasjen  dhe masakrimin e tyre, si dhe më parë për vrasjen e qindra mijëra myslimanëve të Bosnjës. Tanimë të gjithë e kanë të qartë se ti për qejfi i ke vetëm popullin serb, “guximin” e serbëve, kur shkruanit me patetikë për Srebrenicën “guximin masiv”, “gudulisjen serbe”, “për luftëtarët e lirisë”, thoshit këtë dikur, me një sensibilitet të papërmbajtur. Për shkëmbinjtë e larmë dhe fluturat e blerta. Por kur NATO-ja ia ktheu terrorit me bomba, ju zotëri ishit ai që nga revolta e papërmbajtur kthyet prapë çmimin letrar. Sipas juve rrëmuja e fajit mund të kuptohet kur njeriu i kthehet së kaluarës “para lufte” në “Transcontinental City Civilization”. Ju as të kaluarën e as të sotmen nuk doni ta trajtoni drejt e realisht, pasi ju veten e keni shitur për të shëmtuarën, makabren. E vërteta ka dëshmi, ka varre, që historia nuk do t’i harrojë kurrë. Gjuha juaj është edhe më e ashpër dhe kritikoni, me pa përmbajtje në vete, “antiserbizmin” e keni krahasuar me antisemitizmin. Shihni çfarë hipokrizie fabrikoni dhe ambalazhoni format e ndryshkura të ideve tuaja, shfletoni pakuptimësi antitezash në  “NEWS”, revistë që botohet në Austri. Ju thoni se “antiserbizmi” është një pisllëk, një fjalë sharje si antisemit dhe ju madje thoni se antiserbët janë një e keqe dhe të padurueshëm si antisemitët në kohën e tyre më të shëmtuar. Janë skandaloze mendimet kur krimineli bëhet viktimë, e viktimës i amputohet shprehja kriminel. Fjalët tuaja shndërrohen në makineri të verdhë përpunimi, që e njohura bëhet e panjohur, ndërsa kuptimet tuaja i ka mbërthyer keq inflacioni i fjalëve të latuara me gënjeshtra. Me një standard të devalvuar bini në murgun amorf të mendimit. Koha tmerrohet ankthshëm, nga këto informata sterile të mbështjella me propagandë të qelbur, e cila truhmos trishtueshëm anembanë rruzullin tokësor. Këto janë epshe që fabrikojnë artikuj të demoduar të kohës dhe në esencë shpalojnë karakterin e urrejtjes suaj të përdhosur, ndaj Aleancës veri-atlantike.

Bombardimet e NATO-s e keni krahasuar me invazionin e Aleancës, si në filmin “Mars Attacks”, kurse nga kjo ndërmarrjeje serbët përjetuakan një Holokaust. Kjo është qesharake, në sy të botës, pas të gjitha atyre krimeve, që i kanë sjellë Ballkanit. Serbia bashkë  me krahun e saj të zgjatur Rus. Po pse vrapove të shkosh në Rambouillet, atëherë kur bisedohej për një marrëveshje paqeje, për t’i takuar ‘’kriminelët e NATO-s’’ apo për të moralizuar palën serbe në luftën e tyre të ‘’shenjtë’’? Pastaj shkuat në Serbinë e bombarduar, për t’u përgatitur në skenë, në Kështjellën e Teatrit të Vjenës, frymën e kohës me titullin “Udhëtimi me barkë, ose pjesa nga filmi për luftën”. Skenimi i kësaj pjese teatrale shpalon skepticizmin tuaj kundrejt medieve ndërkombëtare. Bombardimi ishte vetëm gjuha, shprehja juaj e ashpër dhe kurrgjë e ndryshuar nga ajo. Vetëm gjuha juaj e shprehjes, se kriza dhe lufta në Kosovë dhe të gjitha ato gjëra që ndodhin rreth saj, nuk janë pjella e Serbisë, kurse serbët, sipas juve, “kanë qenë dhe janë më pak nacionalistë se popujt tjerë të Ballkanit”. Kjo është një rrenë dhe paturpësi epidemike që është strehuar në vetëdijen tuaj. Këto janë mendime të pa përtypura mirë e që rrena tani bluan stërrenën nëpër gërmadhat e marrëzive të përditshme. Ju pasi menduakeni ashtu, pse nuk gjurmoni në histori dhe në fakte konkrete, ku do të shihni të vërtetën dhe retorikën e urrejtjes së popullit sllav, kundrejt popujve tjerë jo-sllav.  Katunde të tëra shqiptare janë zhdukur edhe në brendi të Serbisë, ashtu siç është planifikuar dhe vepruar, në kohën e fundit, në Kosovë. Prandaj fundi i të gjitha këtyre të këqijave e shtyri botën e civilizuar të veprojë dhe të ndalë këtë monstrum fashizoid okupues, që nuk kishte të ndalur me veprimet e tij shfarosëse, kundrejt popujve që kanë jetuar me shekuj nëpër trojet e tyre. Lidhjet tua të ngushta me vëllezërit serbë ju kanë ftuar të bëni aheng në turbullirën e mendjes dhe gjërat nuk i gjykoni e mbarështonin drejt. Prandaj sot ju qortoni frontin e bashkuar për misionin humanitar, për intervenimin e NATO-s.

DISTANCIMI I DISA SHKRIMTARËVE

Rasti juaj është për në psikiatri, i nderuari Hendke (viç). Por ju përsëri veproni me kokëfortësi nëpër kufoma shkaqesh, bëheni luftëtar të rrejshëm, shpërndani fraza të paqëndrueshme nëpër rrugën e gjymtë ultrateveqele. S’ka gjë më të hidhur kur e shëmtuara njeriut i duket e bukur, kur imtësirat zmadhohen, kur zezona e tmerrshme festohet me dhunën e egërsisë së mallkuar. S’ka Hendke (viç) gjë më të dhimbshme se sa zëri juaj kakofonik që pezmaton plagë të vjetra e të reja, që do të mbetet përherë i vetmuar në imazhet e bukura të njerëzimit. Të thuash se ti nuk din kurrgjë për Jugosllavinë, ose shumë pak dini për të, e mandej me kokëfortësi doni ta bindini opinionin se atë çka e thoni ju e thoni me kompetencë, kësaj i vjen era vrazhdë, e atij personit të shitur, që punon me diktate të caktuara. Më e dhimbshme është kur krijuesi bie në kësi lloj afektesh të papërmirësueshme. Papa i kritikës, gjermani, Rai Ranicki, nuk do ta quaj, kot së koti rastësisht, Handken “rast për shërim në psikiatri”. Ky kritik i vëmendshëm bazohet në deklaratat dhe shkrimet tuaja, i nderuari Handke. Nga ti janë distancuar edhe mjaft emra të njohur të letërsisë dhe kulturës gjermane. Gynter Grasi veprimet e NATO-s  do t’i quante si veprime të mira, por të vonuara dhe vendime të marra me gjysmë zemre. H.M. Encensberger thotë se kurrë s’ka qenë pacifist për gjëra të shëmtuara dhe i pangarkuar në lëvizjet politike, madje ka kërkuar edhe armatimin e shqiptarëve. Gynter Kunerti do ta quajë kalkulator dhe provokator. Por, ja që ti Handke, duke i mbyllur sytë para realitetit, je zhytur në helmin e makinerisë propagandistike serbe, por krekosja juaj bëhet edhe më e tmerrshme kur mendjen dhe gjoksin tuaj të ngufatur e nxirrni përpara bombardimeve të NATO-s.

Ndoshta nuk është vetëm ky pezëm për ta mbrojtur Beogradin, ndoshta është edhe ai rasti tjetër i juaj kur udhëtonit, me veturë nga Salcburgu, për në Kosovë, e u është thyer vetura. Të gjitha këto raste i keni kthyer në helm dhe urrejtje. Dhe sipas të gjitha këtyre tani jeni kthyer dhe shndërruar në “kalorës serb”. Por në cilin teh të kohës do ta gjesh shpatën e ndryshkur të fjalëve, “kur tingujt e sirenave u paraqitën edhe në gjumë”,ndaj, nga këto shqetësime del para kamerave të televizionit serb, duke paraqitur fatin e serbëve më të rëndë se të hebrenjve. Tragjedinë e shqiptarëve e bën si tragjedi serbe. Ti Handke, i pakorrigjuar, kërkon “drejtësi për serbët” sipas vizionit tënd shkurtpamës, agresori bëhet viktimë, e viktima agresor. Me horror fjalësh të papërmbajtura ke hyrë në vallen e ngutshme çaçakjane dhe i keni ngatërruar hapat e mendimit të valles kreative, në fushëbetejën e viktimave të shekullit tonë. Prandaj kështu e pësojnë autoritetin kalorësit e gjymtë, nëpër kufoma shkaqesh, që janë të etshëm për publicitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat