Shqiptarët dhe Evropa, afër dhe larg

Opinione

Shqiptarët dhe Evropa, afër dhe larg

Nga: Prof. Lisen Bashkurti Më: 17 tetor 2019 Në ora: 19:39
Prof. Lisen Bashkurti

Ajo që po ndodh këto ditë, është për të qeshur dhe për të qarë. Shqiptarët po shqyejnë sytë plot ankth drejt Evropës, duke pritur prej saj hapjen e negociatave e për të nisur rrugën e gjatë të antarësimit në BE, ndërsa kjo e fundit luhatet në qëndrimin ndaj tyre, duke i vrarë padrejtësisht ëndrrën një populli të tërë. Evropa dhe Shqiptarët, qeveritë dhe qeverisjet midis tyre, sa afër dhe sa larg!

Në këtë moment të vështirë, ne, shqiptarët, lypet të mbushemi me mënd. Ëndrrën tonë, Evropën, ta ndërtojmë parasëgjithash brënda vetes tonë, si qytetar e qeveritar. Kur të kuptojmë këtë, athere nuk do të përzvaltemi nëpër zyrat e Brukselit, apo të kryeqyteteve të Evropës, por eurokratët e saj dhe liderët e shteteve individuale do të vijnë në Shqipëri.

Ne, Shqiptarët nuk lypet as të trishtohemi dhe as të turpërohemi, por të kthejmë pak kokën prapa në histori. Shqipëria pa Evropën ka jetuar mbi 500 vjet, ndonëse e vendosur në oborrin e saj. Shqipëria kësisoj mbeti e vogël, e varfër dhe e abandonuar. Evropa pa Shqipërinë është e paplotësuar gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe startegjikisht. Evropa, kësisoj krijoi një vrimë të zezë në zemër të saj. Shqipëria është porta detare Euro-Mesdhetare dhe Euro-Aziatike e Kontinentit, por akoma e pambyllur, në mos e shqyer dhe tejet e rrezikuar.

Ne Shqiptarët lypet ta fiksojmë mirë se nëse jemi kështu sic jemi, kemi fajet tona, por për këtë ka përgjegjësi edhe Evropa.

Nëse jemi kaq sa jemi, sepse kemi bërë gabimet tona, por kjo ka ndodhur edhe sepse Evropa ka bërë të sajën. Nëse përballemi me këto sfida të mëdha, kjo po ngjet sepse historia na ka lënë shumë plagë të hapura, por edhe sepse Evropa nuk ka kontribuar gjithnjë pozitivisht ndaj nesh. Nëse rropatemi pët t’u evropianizuar, herë me suksese e herë me dështime, edhe Evropa mban përgjegjësi për këtë, sepse nuk na ka ndihmuar sa dhe sic duhet, sikundër fqinjët tanë, por më shumë me retorikë dhe asistencë burokratike.

Ne, Shqiptarët lypet ta dijnë mirë se nuk ka një Evropë. Ka më shumë se një. Ndofta edhe shumë më tepër. Një pjesë ka qënë pranë nesh, në të mirë dhe në të keq. Një pjesë ka qënë kaher kundër ndesh. Ndofta e tillë do mbetet edhe për disa kohë. Mundet edhe përherë. Të jemi të përgatitur për këtë sfidë.

Shqiptarët nevojitet ta dijnë mirë, njëherë e përgjithmonë, se nuk ka një komb Evropian. Nuk ekziston një Evropë e bashkuar dhe unike, as politikisht, as kulturalisht. Po, ka një Evropë të Kombeve të Lirë. Po, a jemi ne, Shqiptarët komb i lirë? Jo, nuk kemi qënë dhe nuk jemi. Po vallë a mund të shkojmë në familjen e kombeve të lirë, si një komb i copëtuar?! Mendoj se jo.

Të gjithë, Shqiptarët, parasëgjithash, lypet të jemi të vendosur për t’u bërë Komb i Lirë, pra i bashkuar, e kështu të bisedojmë me Evropën si të barabartë mes të barabartëve. Dhe, e meritojmë këtë. Po, po, e meritojmë plotësisht. Por bashkimi është popullor dhe jo vetëm politik, është real dhe jo retorik, është konkret dhe jo propogandistik, është proces dhe jo një akt, është përfitues dhe jo mashtrues, është demokratik dhe dhunues.

Shqiptarët janë kontributor të mëdhenj në Evropë. Kemi më shumë se 500 vjet që ne Shqiptarët, Evropës i ruajmë nderin, historinë, kulturën, besimin e fenë me gjak shqiptarësh. Kemi më shumë se 60 vjet që e kemi paguar me varfërinë tonë të skjashme clirimin e Evropës, Mesdheut e Ballkanit nga agresiviteti i bazave ushtarako-detare, e ndofta edhe bërthamore, të “Sovjetskit Sajuz” e të makinerisë së tij ushtarake, Traktatit të Vrashavës.

Në vitet e demokracsë, ne, Shqiptarët për afro 30 vjet, i kemi dhuruar Evropës lulen e rinisë albe, të shëndetshme, të pastër dhe shumë të ditur për të përtërirë plakurishten e rudhur të saj, duke lënë kështu Kombin tonë pa rini dhe familjet shqiptare pa fëmijë. Këto kontribute të pacmuara, Shqiptarëve nuk i janë shpërblyer anjëherë nga Evropa, së paku deri tani.

Është koha që Evropa të matet njëmijë herë kur të bisedojë me shqiptarët. Krenaria u përket shqiptarëve për nga historia. Përgjegjësia bie edhe mbi supet e Evropës për nga aktualiteti. Prandaj, si shqiptarë, të mos përzvaltemi përpara zyrave të Brukselit, apo kancelerive shtetërore, por të jemi shumë kryelartë, sepse në themelet e kalasë së kulturës e prosperitetit të sotëm Evropian qëndron edhe gjaku i shqiptarëve.

Është zor të kuptohet e mendohet sesi do ishte Evropa pa veprën monumentale të Gjergj Kastriotit. Por, ndërsa Heroin e Shqiptarëve, Skënderbeun e monumentalizojnë në cdo kryeqytet Evropian, pasuesit e tij të vyer, i nëpërkëmbin si të jenë azilantë të syrgjynosur prej viseve larg Evropës.

Është zor të merret me mënd sesi do ishte krishtërimi Evropian pa vëndin e rolin e Papë Domeniko Xhvani Albanit, që reformoi kishën, e hapi dhe e shtriu nëpër botë, zhvilloi politikën dhe ndricoi diplomacinë 300 vite më parë. Papën Shqiptarë e nderojnë kudo në Evropë, por bijtë e bijat e tij të shenjtë disa vënde Evropiane po i lënë pas dyerve, si të jenë mëkatarët më të mëdhenj të Kontinentin plak.

Është zor të imagjinohet sa satana do ishte qytetërimi Evropian pa Shënjtoren Nënë Tereza, shpirti i së cilës është shpërndarë anë e mbanë botës me moton…”Nga misioni jam krishtere, nga gjaku jam shqiptare”…Evropa dhe mbarë bota i falen Shënjtores Shqiptare, në një kohë kur bartësve të shpirtit të saj, Shqiptarëve i vënë përballë murin e pakalueshëm të albanofobive.

Shqiptarë, Evropa e sotme, e fshirë nga memoria historike ose e mbytur në pellgun e fobive, na ka lënë ne, Shqiptarëve, bijtë e Gjergj Kastriotit dhe dishpujt e Shën Terezës, të mënjanuar padrejtësisht. Shqiptarët e Kosovës të mbyllur në geton e izolimit pa lëvizje të lirë. Shqiptarët e Shqipërisë, të braktisur në mes të rrugës së integrimit.

Me fjalë të tjera, Evropa po i lë Shqiptarët paqësorë, mbrapa gjakatarëve të luftrave Ballkanike. Në kohën tonë, Evropa, më saktë disa pjesë të saj, midis kurbanit e katilit Ballkanik, po prioritizojnë këtë të dytin. Midis proeuropinazmit të pashëmbullt shqiptarë dhe luhatësve Euro-Aziatik po mbështesin euroskeptikët Ballkanik. Midis harmonisë e tolerancës ndërfetare të Shqiptarëve dhe fanatizmit, intolerancës dhe radikalizmit ruso-ortodoks dhe islamo-fashist në këtë pjesë të botës, po i hapin udhë këtyre të fundit. Midis Shqipëtarëve që shohin lindjen e diellit nga Perëndimi dhe atyre që edhe perëndimin e diellit e shohin nga Lindja, Evropa po preferon të dytët.

E së fundi, Evropa kaotike, në rastin e Shqiptarëve, nuk po bën dot as atë, që është më e shënjta vlerë në demokraci-dallimin midis popullit dhe qeverisë, midis orientimit qytetar dhe drejtimit politik, midis agjendës qytetare dhe agjendës politike, midis ëndrrave dhe dëshirave mbarë popullore e njerëzore dhe zhgënjimeve dhe pakënaqësive të prodhuara nga drejtuesit e tyre.

Evropa po harron se është lidhja, marrëdhënia dhe dashuria ndërmjet popujve të Evropës që e bëri dhe po e mban gjallë Bashkimin Evropian dhe jo thjeshtë eurokratët e Brukselit dhe qeveritë kryeqytetare të Kontinentit. Evropa po injoron eksperiencën e saj, se është demokracia, vlerat e liritë njerëzore dhe qytetare që mbrojnë paqen në Kontinent dhe jo thjeshtë traktatet në letër apo marrëdhëniet ndërqeveritare. Evropës nuk po i kujtohet mësimi historik se kur popujt duhen me njëri-tjetrin, qeveritë nuk i prishin dot marrëdhëniet ndërmjet tyre. Sikundër, kur popujt urrehen ndërmjet tyre, nuk ka qeveri nacionale apo organizatë ndërkombëtare që i pajton ato. Janë popujt që shtrojnë rrugët për politikat dhe qeveritë, dhe jo e kundërta.

E pra, Evropa si e tërë dhe shtetet Evropiane vec e vec lypet të mos e harrojnë se populli Shqiptar është më paqësori i Ballkanit dhe jo krijuesi i “Fuqisë së Barotit”. Shqiptarët janë bartës më të mirë të harmonisë e tolerancës dhe jo të fanatizmit dhe radikalizmit. Shqiptarët bien e ngrysen me sy vetëm nga Perëndimi dhe jo sy-shqyer midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqiptarët janë shembull i patriotizmit të vyer dhe jo i nacionalizmit të urryer. Shqiptarët kanë nxjerrë heronj të lakmuar dhe jo të harruar, kanë nxjerrë shënjtor të pavdekshëm dhe jo djaj të maskuar. Shqiptarët kanë një agjendë qytetare të vetme dhe të pandryshueshme-Shqipërinë Evropiane.

Ne, Shqiptarët, kemi një faj, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, nuk po e përputhim dot aspiratën popullore Evropiane me qeveritë dhe qeverisjet tona, që nuk janë kurdoherë të tilla. Nuk po bashkojmë agjendën tonë qytetare me atë politike. Nuk po i bëjmë dot qeveritë dhe qeverisjet që të rendin pas nesh dhe jo të rendim ne pas tyre.

Ne, Shqiptarët, por edhe qeveritë dhe qeverisjet tona lypet të kuptojnë dhe të respektojnë një herë e mirë, që qeveritë dhe qeverisjet duhet të ecin nga shkojnë njerëzit dhe jo njerëzit të shkojnë mbas qeverive dhe qeverisjeve. Njerëzit shqiptarë shkojnë drejt Perëndimit Evropian. Qeveritë dhe qeverisjet shqiptare jo kurdoherë shkojnë pas njerëzve. Evropa lypet ta ndajë mirë këtë kontradiktë dhe të mbështesë anën e popullit shqiptar. Evropa lypet të ndëshkojë qeveritë e qeverisjet jo Evropiane në Shqipëri dhe njëkohësisht të shpërblejë popullin më pro Evropian në Kontinent. Evropa kurrësesi nuk duhet t’i ndëshkojë Shqiptarët për hir të qeverive dhe qeverisjes të këqija.

Bashkimi Evropian është krijuar për popujt e Evropës dhe është në përkushtim të tyre dhe nuk është krijuar për qeveritë Evropiane dhe politikat e tyre. Populli Shqiptarë është brënda familjes Evropiane dhe askush nuk mund ta ndajë prej saj. Ndërkohë që qeveritë shqiptare jo kurdoherë janë pro Evropiane dhe brënda parimeve qeverisëse të saj. Edhe në Evropë ka qeveri e politika që lajthisin duke u bërë euroskeptike, auoritariste e madje edhe anti-Europiane, por për hir të këtyre qeverive e politikave të lajthitura, Bashkimi Evropian nuk dënon popujt dhe nuk i prijvon ato nga familja Evropiane.

A jemi ne, Shiqptarët, të parët që nuk zgjedhim dot qeveritë dhe nuk përcaktojmë dot mënyrën tonë të qeverisjes së vendit?! A nuk gabuan Gjermanët mbas demokracisë së Vajmarit?! A nuk u rrekën gabimisht Francezët me qeverinë e Vishisë?! A nuk po përplasen agjenda qytetare me atë qeveritare në Britaninë e kohës së Brex-it?! A nuk ka politika populiste, nacionaliste, fobiste në shumë shtete të Evropës?! Po, edhe popuj më të mëdhenj, më të ditur, më të zhvilluar, më të pasur, më të fuqishëm se ne Shqiptarët kanë gabuar e gabojnë në zgjedhjen e qeverive të tyre dhe në mënyrës së qeverisjes së vet. Por, ka qënë zgjuarsia e Bashkimit Evropian, e etërve themelues të tij, që kanë mbrojtur popujt dhe kanë ndëshkuar qeveritë, duke mbajtur kështu gjallë organizatën dhe mbarë unitetin e popujve të Evropës.

Epo, kur këto të vërteta dihen nga Evropa, përse nuk ndihmohet prej saj populli i vogël, i dobët dhe i varfër Shqiptar që të zgjedhë më mirë qeveritë e tij dhe t’u imponojë më mirë atyre mënyrën evropiane të qeverisjes?! Shqiptarët, anë e mbanë Ballkanit presin nga Evropa parasëgjithash të ndihmohen për zgjedhjen e qeverive të tyre dhe për t’u imponuar atyre mënyrën Evropiane të qeverisjes.

Të tjerat, ne, Shqiptarët i bëjmë vetë. Dijmë të luftojmë në robëri e të punojmë në liri. Dijmë të mësojmë buzë dritës e të hamë pranë sofrës. Dijmë të respektojmë liritë e të lëmë pas mëritë. Dijmë të gëzohemi si fëmijë e të mos hidhërohemi në pleqëri. Dijmë të falim e jo të harrojmë, dijmë të kaluarën, por të ardhmen vështrojmë.

Prandaj, Shqiptarë, më mendje të kthjellët e moral të pastër, me kokë lart e dinjitet njerëzor të mos heqim dorë nga marshimi ynë drejt Evropës. Sepse, të jemi të sigurt që një ditë dielli do të shpërndajë fantazmat e errta dhe të përgjakshme Ballkanike dhe hijenat e tyre të shtrira nëpër Evropë. Vetëm athere Evropa do shohë se ndricimi i saj vjen edhe nga fosfori i kockave dhe AND-ja e Shqiptarëve, të derdhura në themelet e civilizimit të saj. Në atë moment të shumëpritur dhe të mirëardhur, Evropa do kuptojë se cdo mendim, qëndrim e veprim kundër Shqiptarëve është gërryerje e themeleve të saj. Dhëntë Zoti që ky moment të mos vonojë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat