Të anulohet Çmimi Nobel i Peter Handke!

Opinione

Të anulohet Çmimi Nobel i Peter Handke!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 17 tetor 2019 Në ora: 19:46
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Kush e hesht, e fsheh, e mbështet  dhe e justifikfon terrorizmin dhe gjenocidin qoftë në mënyrë verbale, financiare, propagandistike, me shkrime të ndryshme letrare, me vendime të ndryshme politike, diplomatike etj.,  nuk meriton kurrfarë Çmimi Nobel, por verdiktin e drejtësisë ndërkombëtare.

Si rrjedhim i qindra e mijëra reagimeve të opinionit ndërkombëtar kundër ndarjes së Çmimit Nobël për letërsi, shkrimtarit kontravers austriak, Peter Handke, edhe unë si viktimë e mbijetuar e gjenocidit serb në Kosovë (tani, refugjat në Amerikë, jo më pak se 20 vjet) solidarizohem dhe, pa asnjë rezervë  u bashkohem të të gjitha atyre kundërshtimeve etike dhe plotësisht të pranueshme  kundër ndarjes së Çmimit Nobël, Peter Handke. Ky akt shpërblyes nuk përbën vetëm turp, por edhe provokim, edhe papërgjegjësi dhe iracionalizëm, sepse është  mohim dhe baltim i vlerave të njëmendta humane dhe shkencore universale të përbotshme.

Pra, meqë ra fjala për ndarjen e sivjetshme të Çmimit Nobël për Letërsi, Peter  Handke, e kam këtë pyetje për Komitetin e Nobelit të Akademisë Mbretërore të Shkencave të  Suedisë :

-Pse qe 3 dekada, Çmimi Nobël nuk iu nda Ismail Kaderes, shkrimtarit  shqiptar më të shquar, më të frytshëm dhe më të lexueshëm në botë, edhe për nga cilësia, edhe për nga sasia e  krijimtarisë së veprave të tij letrare artistike,  por, ja së fundi, për habi dhe për befasi të gjithë Evropës dhe të gjithë botës, në tetorin e këtij viti (2019), Çmimi Nobel iu nda Peter Handke, një fashisti proserb që justifikoi gjenocidin e S.Milosheviqit?!

-Nëse një “kriter vlerësues” i shpërblimit të Peter Handke, vlen edhe për konkurruesit e tjerë për Çmimin Nobël, atëherë, shkrimtari dhe akademiku shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, kurrë nuk po e fitoka Nobelin për Letërsi, sepse nuk i plotëson kushtet si Peter Handke, duke qenë se Kadareja ka kritikuar dhe, dot nuk është pajtuar me politikën gjenocidale fashistoide të Slobodan Milosheviqit  kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.  Pra, Ismail Kadare është vlerë siprane e artit të letërsisë, është antitezë e antivlerave nazifashiste dhe raciste, që vrasin, helmatisin, përçajnë dhe, që i fusin në grindje e në luftëra të ndyra fashiste  dhe hegjemoniste popujt e gjithë botës.

Tërheqja e Nobelit, shpëton autoritetin dhe vlerat e Akademisë

Prandaj, Akademia prestigjioze botërore e Mbretërisë së Suedisë, pavarësisht  se çfarë thotë Rregullorja apo Statuti i Komitetit Vlerësues  për Ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi (se vendimi i anëtarëve të tij, është i pakthyeshëm), me procedurë të shkurtër, do të duhej që ta anulonte Çmimin Nobel për Peter Handke, sepse reagimet  ndërkombëtare, që pasuan pas ndarjes së këtij çmimi justifikojnë të kundërtën nga vlerësimi pozitiv në favorin e laurimit të Peter Handke, i cili,  botërisht ka mbrojtur dhe, ende po e mbron ideologjinë dhe politikën gjenocidale të Hitlerit serb të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit (1990-1999).

Mirëpo, nuk mund të ketë Çmim Nobel   për fashistët dhe për racistët si Hitleri, si Gebelsi, si Milosheviqi, e, as për  adhuruesit dhe për mbështetësit e tyre, siç është Peter  Handke në rastin e mbrojtjes së kryekriminelit serb, Slobodan Milosheviq, që për “hesape” të tyre antihumane janë gjenjde, ta djegin  Evropën dhe Botën, me qëllim për të shpërfytyruar të vërtetën dhe drejtësinë.

Mirpëpo, Peter Handke (me gjithë opusin e tij letrar, politik dhe propagandistik) nuk ka asnjë gjasë, që  t’i murkullojë  3 gjenocidet serbe të Slobodan Milosheviqit, sepse këto kanë ndodhur  jo fort moti, por gjatë dekadës së fundme të shekullit (1990-1999).

Për këto krime monstruoze të gjenocidit serb, tanimë, është në dijeni e tërë Evropa dhe e tërë bota. Me dënimin e këtyre krimeve të gjenocidit serb, ende është duke u marrë, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e formuar nga OKB-ja (1993-2019) , e cila  e pati procesuar edhe kryekriminelin Slobodan Milosheviq, por nuk arriti edhe për t’ia shqiptuar verdiktin

fundit me burg, sepse ai, pas 5 vitesh qëndrimi në burgun hetues të Shevingenit (2001-2006) pati bërë vetëvrasje.

Sa më sipër, shtrohet pyetja racionale, si ndodhi, që Akademia Mbretërore Suedeze me renome ndërkombëtare botërore, ta lauronte  me Çmimin Nobël shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili në sy të Evropës dhe të botës, jo vetëm se e ka simpatizuar, por edhe e ka mbështetur verbalisht (me deklarata, me intervista të ndryshme, si dhe me vizita e takime tete a tete  idolin e tij, Slobodan Milosheviqi) dhe me shkrimet e me veprat e tij politikën fashiste dhe gjenocidale të kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqi, i cili ishte pëgjegjësi dhe fajtori kryesor për kryerjen e tri agresionave luftarake dhe 3 gjenocideve të Serbisë kundër Kroacisë, të Bosnjës dhe të Kosovës (1990-1999).

Shpërfytyrimi dhe subjektivizimi për qëllime politizimi të së vërtetës nuk i sjell asnjë dobi dhe, asnjë vlerë universale as shkencës e as qytetërimit të njerëzimit, por vetëm mjegulla të dendura dhe të padavaritshme, ku stërkeqet dhe humb çdo shenjë dhe çdo gjurmë e humanizmit, e drejtësisë, e solidarësisë, e barazisë, e  tolerancës, e mirëbesimit dhe e alturizmit në dimensione botërore.

Simpatia, mbështetja dhe justifikimi i 3 gjenocideve serbe nuk duhet mbështetur nga asnjë institucion në Evropë e as në botë.

Ndaj, as nga Akademia Mbretërore e Suedisë, Komiteti i së cilës në tetor 2019, Çmimin e Nobelit për Letërsi ia akordoi edhe fashistit proserb Peter Handke , nuk ka asnjë arsye, që të mos anulojë  e anulojë këtë çmim ndërkombëtar, sepse brendia dhe mesazhi i krijimtarisë letrare të tij flet ndryshe, d.m.th. justifikon dhe hymnizon politikën gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, i cili për t’i rizgjeruar lufijtë territorialë të Serbisë së Madhe, ai ka kryer 3 gjenocide në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999). Këtë të vërtetë, tanimë e di e gjithë Evropa dhe e gjithë bota e sotme e qytetaëruar.

Nuk mund t’i jepet Çmimi Nobel Peter Handke-s,  sepse me bindje, me pikëpamje ideologjike, me qëndrime, me adhurimin, me mbështetjen dhe me jusitifikimin e krimeve të gjenocidit  serb të Slobodan Milosheviqit, të kryer në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999) ka dëshmuar para Evropës dhe para gjithë botës se është nazifashist dhe nacist sikurse Adolf Hitleri dhe Benito Musolini (1939-1945).

Madje, si ka qenë e mundur që Peter Handkes t’i jepej Çmimi Nobel për Letërsi nga Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë, kur ai,  jo vetëm që hymnizonte dhe ngriste në piedestal  si kryepersonazh dhe kryehero të  shkrimeve dhe të veprave të tij, Slobodan Milosheviqin-Hitlerin çetniko-fashist serb të Ballkanit, të cilin qeveria e Serbisë , më 1 prill 2001 ia pati ekstraduar Tribunalit të Hagës në Holandë për shkak të kryerjes së krimeve të gjenocidit kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve në Kosovës(1990-1999). Mirëpo,  kjo nuk pati kurrfarë efekti pozitiv human njerëzor për lauretin e sotëm të  Çmimit Nobel, Peter Handke, sepse ky, edhe në burgun hetues të Shevingenit në Hagë (siç bëjnë të ditur me dhjetra dhe me qindra agjenci informative dhe masmedia ballkanike, evropiane dhe botërore) disa herë e ka vizituar Slobodan Milosheviqin, si dhe më pas, më 18 mars 2006, me rastin e varrimit të tij në Pozharevac të Serbisë, fashisti proserb dhe racist Peter Handke, jo vetëm që mori pjesë në këtë ceremoni varrimi, por edhe i kishte dhënë lamtumirën e fundit, duke i lexuar “testamentin” për “meritat” dhe për “kontributin” e tij, që kishte dhënë për 3 gjenocidet e Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999).

Gjithashtu, si ka qenë e mundur, që racistit Peter Handke t’i ndahet Çmimi Nobel për letërsi, kur ky pa asnjë argument ka kritikuar Amerikën dhe NATO-n , që me plot të drejtë e patën bobardduar RFJ-në (Serbia+Mali i Zi) e kryekriminelit Slobodan Milosheviq (24 mars-10 qershor 1999)në mënyrë që të shpëtonin mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga terrori dhe gjenocidi i forcave çetniko-fashiste serbe (militare, paramilitare dhe policore), të cilat ia paten vënë zjarrin dhe flakën Kosovës, duke  i dëbuar mbi 1 milion shqiptarë dhe, duke i vrarë dhe masakruar  mbi 12 mijë sish të të gjitha moshave pa dallim.

-Po, Peter Handke kishte dëgjuar fare për gjenocidin serb, të kryer nga forcat militare çetniko-fashiste të gjeneralit Ratko Mladiq (i cili është dënuar me burg të përjetshëm nga  Tribunali i Hagës, më 22 nëntor 2017),  në bashkërendim dhe me urdhrin e Slobodan MIlosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit  ekzekutuan  mbi “8.000 myslimanë boshnjakë”, edhe pse gjoja “ishin të mbrojtur “ nga forcat paqësore të Kombeve të Bashkuara (  11 korrik 1995)?

-Po, Peter Handke kishte dëgjuar për masakrën gjenocidale të Vukovarit në Kroaci, më 1991, ku forcat çetniko-fashiste serbe të astuquajtura “JNA” të Slobodan Milosheviqit kishin  okupuar dhe vrarë mbi  “ 2500 kroatë, prej tyre 1600 civilë dhe 900 luftëtarë”. Gjatë okupimit  (87 ditësh, gusht – nëntor 1991) forcat pushtuese serbe  kanë masakruar masovikisht lluftëtarët  kroatë të zënë robë së bashku me persoant e tjerë civilë. Thuhet se, nga Spitali i Vukovarit, forcat pushtuese serbe kanë kidnapuar mbi “200  pacientë të plagosur, dhe i kanë shpënë në lokalitetin e afërt të quajtur  Ovçara, ku të të gjithë i kanë ekzekutuar”. Kjo ishte tragjedia e Vukovarit kroat, i cili brenda 87 ditësh përjetoi masakra dhe krime të papara të gjenocidit serb.

Së fundi, po si mund t’i jepet Çmimi Nobel, Peter Handke, kur ai vetë  e ka mohuar vlerën  dhe rëndësinë e  Çmimit Nobel për Letërsi,   se  gjoja nuk është asgjë tjetër veçse “një kanonizim  i rremë prej të cilit lexuesi nuk përfiton asgjë ”(!)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat