Albin Kurti, fitues i luftës për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e tajkunëve pushtet-zhvatësh...!?

Opinione

Albin Kurti, fitues i luftës për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e tajkunëve pushtet-zhvatësh...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 tetor 2019 Në ora: 10:26
Rexhep Elezaj

Mbani mend, Albin Kurti, në moshë relativisht të re, furishëm dhe bindshëm po hynë në historinë e re të kombit shqiptar në Kosovë, të cilën histori po e ndërton sipas vizionit të vetë autentik, si një hero me tipare krejtësisht të veçanta prej intelektuali të denjë shqiptar, si një patriot i madh i cili herë me qetësi e herë me vrull, e shpeshherë si rebel politik, e herë i akuzuar si armik i shtetit, si mohues i himnit dhe i flamurit blu e multi-etnik të Kosovës, e herë si udhëheqës i organizatës “terroriste” (lexo: LVV-je), e herë i etiketuar si komunist, enverist, demaçist, anti-rugovist, pro-islamist, e herë si anti-amerikanist, dhe çka jo tjetër, po ngjitet drejt olimpit popullor!

Madje, pa përkrahjen e perëndimorëve, i pa thyeshëm në rrugën e tij kombëtare dhe politike të mbushur përplot me kthesa dhe prita kusarësh të rrezikshme, herë i burgosur e herë i izoluar në burg shtëpiak, i shkelur mbi kokë me çizme prej gome të zier, e i tërhequr zvarrë rrugëve e shesheve të Prishtinës, i përgjakur e i rrahur nga shteti i kapur nga tajkunët dhe klanet mafioze, dhe, çfarë jo tjetër nga përdhunimet e maltretimet ndaj tij. Pra, të gjithë kundër Albinit dhe “VETËVENDOSJES”, shqiptar të cilin ne nuk e kemi vërejtur mirë deri para dy javësh, sepse falë nervave të tij të “çelikta”, durimit dhe zgjuarsisë së hollë, dijes dhe vetë koshiencës brilante, të elokuencës dhe guximit prej mbrojtësit të fjalës dhe mendimit të lirë, njeriun e veprimeve “klandestine”, të këmbëngulësisë prej trimit të heshtur e më shpesh eksploziv, i mbështetur fuqishëm nga miqtë, shokët dhe studentët e gjeneratës, e kështu me radhë, kur pas dy dekadave luftë intensive politike, gazit lotsjellës në Kuvend, protestave të ashpra kundër administratës zhvatëse të UNMIK-ut, kundër Kushtetutës pro-serbe të Ahtisarit, kundër hajnive, krimit ekonomik, luftës kundër uzurpimit dhe zhvatjeve të pasurive kombëtare, kundër privatizimit dhe enklavizimit, e çka jo tjetër që luhej mbi kurrizin e popullit dhe shtetit të Kosovës, ai, pra Albin Kurti, me 6. Tetor 2019, bindshëm do t’i fiton të gjitha betejat e tij politike, duke e mposhtur të keqen galopante (......) e cila tmerrësisht e kishte asfiskuar frymëmarrjen e lirisë së një populli të marrë peng nga hajnat, për ta marrë besimin e tij përmes votës së lirë, e i cili pas pak ditësh do  jetë kryeministri më i ri në historinë e Republikës së Kosovës!

Dhe sot, a ka dikush që nuk beson në përkushtimin e tij kombëtar prej lideri studentor, në veprimtarinë politike prej shqiptari revolucionar, të protestuesit dhe zëdhënësit të UÇK-së, të themeluesit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të iredentit e anti-jugosllavit radikal, i të burgosurit të Pozharevcit, ku hapur para botës iu tha çetnikëve pa i bërë syri “verr”, “Jo, unë këtë gjykatë nuk e njoh, kjo nuk është gjykatë e imja, sepse shteti im është Republika e Kosovës, e jo Serbia..”..!?

Po ashtu, a ka ndokush që nuk i beson kaderit të Zotit, se liderët e një populli lindin të tillë, se ata nuk bëhen kurrë lider nga arsimimi e as nga edukimi, por thjeshtë nga vendimi hyjnor, nga gjaku, shpirti dhe brumi i pastër i popullit nga i cili mbijnë, rritën dhe ku pa vetëdije marrin rolin dhe misionin e ruajtjes dhe shpëtimit të popullit dhe etnisë kombëtare nga të këqijat dhe rreziqet që iu vijnë, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë qenia natyrore, biologjike dhe kombëtare.

Albin Kurti, ka kohë dhe vite që ka dhënë shenja të forta, se një ditë do del në krye të popullit të tij si shpëtimtar, lider dhe misionar nën udhëheqjen e të cilit atdheu ynë do shpëton nga rreziku i hegjemonëve primitiv dhe do ecën drejt sukseseve të reja në përmbushjen e aspiratave shekullore të shqiptarëve, të ëndrrave të tyre kombëtare dhe politike ende të pa realizuara!  Urojmë që Albini ta ketë bekimin e popullit dhe Zotit në misionin e tij të shenjtë kombëtar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat