E Migjeni thotë 'Na hala s'ja kena nis'...

Opinione

E Migjeni thotë 'Na hala s'ja kena nis'...

Nga: Kimete Berisha Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 18:11
Kimete Berisha

1. Gabimi i vetëm që e kemi bërë ne të gjithë duke e shikuar filmin 'Vrasja në Orient Express', është se kemi pyetur 'Kush është vrasësi', e është dashur të pyesim 'Kush janë vrasësit'.

- Kush janë 'bashkëpunëtorët e krimit' të prokurorisë së Prizrenit që kanë guxuar për katër muaj ta fshehin raportin e mjekësisë ligjore të Zvicrës për vdekjen e Astrit Deharit dhe ta falsifikojnë datën e raportit.
Pse Ata ende janë të lirë?

- Kush janë Ata që e kanë dërguar në Institutin e Zvicrës zarfin e zbrazët (pa thonjtë e viktimës).
Pse ata janë të lirë?

Pse Kryeprokurori nuk e zbulon menjëherë, për një minutë, së paku kush ka qenë (kush janë ata që kanë qenë) të ngarkuar me detyrën kriminale për ta dërguar zarfin e zbrazur!

- Pse Mjekësia Ligjore e Kosovës nuk mbyllet sot? Ky 'Institut' deri sot ka shërbyer (me apo pa dijen e tyre) vetëm për të 'fshehur' krimet!
Puna e tyre (që nga themelimi) duhet të shpallet e pavlefshme dhe e pamoralshme.
Ky Institut duhet të rithemelohet nga zero, pasi të pastrohet nga njerëz të rrezikshëm apo të padijshëm, njësoj.

2. Të gjithë flasin për vrasje-askujt nuk i bëhet vonë.
Sali Berisha thotë se Hashim Thaçi 'e ka vrarë' Ali Ukën, është arrestuar në Tiranë për vrasjen e tij (por është liruar menjëherë me urdhërin e Xhavit Halitit), kurse Hashim Thaçi thotë se 'njerëzit e Berishës e kanë vrarë' cimerin e tij Ali Ukën dhe biznismenin Remzi Hoxha.

Hashim Thaçi thotë se i ka treguar Ali Uka, për videon e takimit të fshehtë të Sali Berishës me Sllobodan Milosheviçin e Gligorovin (që sipas tij, videon e kishte Remzi Hoxha).
Ali Uka 'i ka treguar' shumëçka, që 'e din' vetëm ky, e tek tash ka disponim ta ndajë të 'vërtetën' me krejt botën.

Por 'të vërtetat' e tyre asnjë hetuesi nuk i interesojnë.

Ata të dytë po tregojnë me bindje të plotë se e dinë kush kë e vrau, ama hetuesia e Shqipërisë dhe e Kosovës nuk i interviston asnjërin për t'i zbuluar vrasësit.

Pse Sali Berisha dhe Hashim Thaçi flasin kaq kollaj, kaq thjesht dhe pa lëvizur çerpik për vrasjen e njerëzve.

Veç 'vrasësit serikë' flasin për 'viktimat e tyre' apo
për viktimat në përgjithësi, pa asnjë shqetësim.

Këta flasin kështu kaq qetë sepse 'e dinë se i kanë fshehur mirë gjurmët e krimeve të tyre' (s'ka mbetur dëshmitar i gjallë), apo qysh erdhëm ne në këtë ditë që të dëgjojmë presidentin Thaçi dhe ish presidentin Berisha kah flasin për vrasje si për një 'temë të lirë'.

Presidenti Thaçi shkon shtëpi më shtëpi të atyre që e 'fajësojnë' publikisht për vrasjen e familjarëve të tyre dhe u bën be (u jep emra vrasësish e urdhëruesisht) dhe u thotë se është në gjendje t'u bëjë be me 24 pleq apo edhe me më shumë pleq nëse ka nevojë, se është 'i pafajshëm).

(Sqarim për gjeneratën e re: Pleqtë gati gjithmonë kanë bë be rrejshëm, vet me vete kanë thënë 'estagfurullah', ndërsa plakat shqiptare nuk janë lejuar të bëjnë be për 'pastërtinë' e askujt sepse janë konsideruar të padenja).

Sali Berisha dhe Hashim Thaçi janë psikopatët më të tmerrshëm që njeh historia shqiptare, sepse nuk kanë ndjenja, as ndjenjën e frikës, as të mëshirës, as të turpit, ata pa asnjë ndjenjë, flasin për vrasje me 'qetësinë' më të madhe, pa më të voglin shqetësim.

Dikush i ka eliminuar edhe macet e zeza kur ua kanë trupuar rrugën, lëre më kundërshtarët, që gjithmonë kanë qenë intelektualë.

'Stalinat e vegjël' janë krijuar me gjak.

Janë eleminuar dëshmitarët, janë eleminuar kundërshtarët, është vjedhur dhoma e dëshmive të krimeve në stacionin policor dhe njeri i gjallë nuk ka dhënë përgjegjësi.

Gjykatës e prokurorë i shërbejnë krimit të organizuar, që deklaronte i ndjeri Bajram Rexhepi që ishte ministër i brendshëm se, 'shumë punonjës policie nuk i përgjigjen zingjirit komandues, por urdhërat i marrin nga mafia politike dhe nga shefat e tyre në parti politike.

Të gjitha Institucionet janë të zaptuara nga krimi i organizuar.

3. Në çastin që shqiptarët e kanë 'fituar' Lirinë, e kanë pushtuar 'Drejtësisë'.
'Drejtësia' është e pushtuar nga mafia politike, është e pasuruar nga krimi, është e kërcënuar dhe e nënshtruar.

4. Ne jemi të turpëruar e të mallkuar që e kemi për president një njeri që përmendet për vrasje, pavarësisht fajin që e ka ose s'e ka.
Nuk e kuptoj kurrë qysh e merr gjumi natën dhe pse 'rrezet e diellit bijnë edhe në filgjanin e WC-së'!

Ashtu siç nuk e kuptoj pse ndërkombëtarët pranojnë të flasin me një njeri që nëpër gazeta përmendet për vrasje.

Përveç për vrasjet që ia përmendin në Drenicë e në Shqipëri, Hashim Thaçi duhet të hetohet edhe për vjedhjen e buxhetit për t'i shpërblyer shokët e tij të mafisë së ndërtimeve me qira 2 milionëshe për t'i ndezur dritat e zyrave të tyre të zeza që u kanë ngelur shkret, në errësirë.

Thjesht e do 'ish komitetin' për t'i shpërblyer me miliona 'jaranët' e tij, që gjithmonë janë 'meshkuj'.
Sepse, asnjë presidencë në botë nuk vendoset midis xhadesë, në shesh.

5. Krejt këto krime ndodhin, kurse Lutfia me brushë e gjen momentin me përparu n'jetë.

Derisa Lutfi Haziri po lufton që në shpinë të Albin Kurtit Kryeministër, të bëhet Kryetar i LDK-së, e Isa Mustafa Kryetar i Kosovës, Kosova po vazhdon të zbrazet. Shqiptarët po ikin. Kosova po vazhdon të plaçkitet, të vidhet e të shkretohet.

6. Albin Kurti e di se nuk është 'fitues i pavarur', por është 'fitues i varur' i zgjedhjeve, prandaj në heshtje (pa zhurma, sidomos nga Tirana) duhet t'ua plotësojë disa teka edhe LDK-së.

Isa Mustafa duhet të futet në ligjerimet e Daut Demakut para studentëve të infernierisë, si 'fenomen' për vullnetin e çeliktë që e ka. Më shumë sot ka sevda për karrierë Isa Mustafa i vetëm sesa krejt gjimnazi i Mitrovicës bashkë.

Më duket, mos gabofsha te Kavabata e kam lexuar një fragment ku autori e përshkruan nënën e tij që e sheh nga largësia duke ecur drejt tij, e disponuar, plot elan për jetë, e i biri duke e shikuar vet me vete thotë: 'Ja më në fund e zbulova çka e bën kaq të nevertshme këtë nanën time: sevdaja e madhe për jetë'.

Autori kishte pritur që njeriu i vjetër ta ketë të vjetëruar edhe dëshirën për jetë. Prandaj, krejt qeshin kur dashunohen pleqtë. Se presin që dashuria të 'vdes' e re.
Atëherë isha shumë e re dhe pajtohesha me autorin japonez, e tash jo, tash mendoj ndryshe.

7. Albini bën mirë të flas më pak, të mos jap përgjigje në secilën pyetje, të mos mundohet t'i bindë të padijshmit me dijen e tij dhe sidomos të shkoj më rrallë në Tiranë.
Bën mirë të ruhet nga energjia vampirëse e gazetarëve të Tiranës, të cilët janë më të pasur sesa kultivuesit e drogës.

Pasi ti rri me ta, ndjehesh i shteruar, i mërzitur, i lodhur dhe pa shpresë, atë punë kanë vampirët.

8. Derisa Albulena shtyhet me Lutfi Hazirin (edhe Albulena bën mirë t'i jap pushim gojës së paku një vit, sepse e siguroj se askush nuk ka dëshirë t'ia dëgjojë të folurën nervoze), nëpër ministri po vidhet buxheti nga mbetjet e Kadri Veselit, nuk po respektohen vendimet e Agjencionit Kundër Korrupsionit për drejtorë ilegalë, ka drejtorë që vazhdojnë të nënshkruajnë akte hajnie anipse janë ilegjitimë.

9. Ju 'Mos na tregoni se si hahet në sofër, por hani si duhet', ne ju shohim e marrim yrrnek.

P.S.
1. Ndërkohë, një rrobaqepëse gjakovare e kish qepur një fustan për këngëtaren serbe Jelena Karlleusha.
Kjo Jelena Karlleusha ka qenë aktivisht e përfshirë në kampanjën serbe kundër Kosovës në UNESCO (Pasi që Rita Ora ka kontribuar për Kosovën në UNESKO, kjo Karlleusha e ka sha me nanë këngëtaren shqiptare, ka thënë 'Kush hamamin është Rita Ora', por fustanin me xhixha të kësaj çikës gjakovare e kish pranu si vlerë 'monumentale' dhe tash u kish thënë serbëve se ka (mund të ndodh, mos u çudisni, se gjinden) edhe shqiptarë 'të mirë'.

Bukë mos me pas me hëngër se nuk ish dashtë me 'tradhtu' profesionin e rrobaqepësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat