Kush e vrau Astrit Deharin???

Opinione

Kush e vrau Astrit Deharin???

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 nëntor 2019 Në ora: 22:58
Astrit Dehari, foto ilustrim nga "Bota sot"

5 nëntori i viti 2016 ka ngelur si një ditë e zezë për Kosovën, një ditë ku pushteti i hajnave tregoi fytyrën e vërtetë. Një fytyrë që pak kush e kishte besuar, fytyrën e vrasësve. Pikërisht këtë 5 nëntor, në tre vjetorin e ikjes në amshim të Astrit Deharit u bën homazhe në varrin e ti, si dhe u mbajt një marsh më moton “Drejtësi për Astrit Deharin”. Më një lule në dorë vajza e Astrit Deharit, që nuk arriti asnjëherë të njihte të atin e saj, bëri homazhe pranë varrit të babait që nuk e pa kurrë.

Në sytë e saj engjëllor shkëlqente një sinqeritet, dashuri për jetën dhe të gjithë ata që e rrethonin. Sigurisht ky engjëll i vogël nuk është mjaftueshëm e vetëdijshëm, për shaka të moshës, se nuk e ka babanë dhe se vrasësit ende bredhin të lirë. E për vrasësit nuk ka dënim më të rëndë se fëmijët e kësaj vogëlushe, që fatkeqësisht s`do arrin kurrë të shohin babanë e saj. Sytë e saj engjëllor janë dënimi më i rëndë për vrasësit, të cilët nuk e dinë se si arrijnë të bëjnë gjumë të qetë, nëse arrijnë të bëjnë një gjë të tillë.

Lëvizja Vetëvendosje të cilët i ka takuar Astriti, ka premtuar se me të  ardhur në pushtet vrasësit do të gjenden dhe do të japin përgjegjësi. Nëse ndodh kjo gjë është diçka shumë e mirë, dhe një mesazh për të gjithë vrasësit që një ditë do të japin llogari, por realisht sa është e mundur një gjë e tillë, ne veçanti kur sistemi drejtësisë është i kapur nga njerëz të lidhur me krimin, dhe ata në pushtet.

Kjo mbetët një pikëpyetje që vështirë të merr përgjigje, megjithëse duhet theksuar se pritjet janë të mëdha, edhe përkundër vështirësive për një gjë e tillë. Mbase, edhe me të drejtë familjarët e Astriti presin që me ardhjen e VV në pushtet, të zbardhët e vërteta. Kjo e vërtetë që kërkohet tash e tri vjet rropatet sa në një instituti sa në tjetrin, ndonëse ende s`ka konkrete asgjë. Nuk besoj se ka pasur dyshime që nga fillimi se Astriti është vrarë, mirëpo enigma mbetet, vrasësit ende janë të lirë. Për më tepër është shumë e vështirë që vrasësit e vërtetë të zbulohen,duke ditur se kjo vrasje ishte shumë profesione dhe vrasësit nuk kanë lënë asnjë gjurmë.

Asgjë nuk kanë lënë pas që mund të shtonte shpresat për kapjen e tyre, e kjo nënkupton se kjo vrasje ishte hartuar dhe planifikuar në zyra të larta shtetërore. Themi shtetërore pasi shteti ishte i lidhur me krimin, me vrasës dhe hajna, shteti është vrasës dhe historikisht aty ku shteti ka marr pjesë në vrasjet asnjëherë nuk është gjendur se kush ishin vrasësit. Rast i njëjtë është edhe me Dino Hasanajn, për të cilin prokuroria pati dhënë përfundimin se është vetëvrarë, ndonëse ishte  me njëmbëdhjetë plagë. Plagë kishte edhe Astriti, prandaj edhe një amator e di se kur njeriu vret veten s`ka mundësi të këtë plagë në pjesë të trupit.

Duke dashur të injorojmë rastet që kanë mbetur enigmë historikisht, dua të besoj se vrasësit do të gjinden dhe do të marrin përgjegjësi, por jo vetëm vrasësit por edhe urdhëruesit e tyre. Zbardhjen e kësaj vrasje mos ta bëjmë as për hir të VV, as për hir të familjarëve të tyre, por mbi të gjitha për sytë dhe fytyrën e asaj engjëllushe dhe të Kosovës. Pa gjendur vrasësit e Astriti s`mund të bëjmë kurrë sado pak të lumtur fytyrën e vajzës së tij, pro edhe as të miliona shqiptarëve që kërkojnë drejtësi. Vetëm me drejtësi, eshtrat e Astriti do të prehen në Kosovën që e deshi aq shumë.

E kemi borxh këtë të bëjmë, edhe pse është e vështirë, por jam i bindur se hetimi duhet nisur nga njerëz në zyra të shteti, që fatmirësisht së shpejti do të largohen nga aty. Pyetja më e shpeshtë që qarkullon në fjalorin e secilit qytetarë të Kosovës, dhe vajzës se Astriti është se A do të gjinden vrasësit e astrit ndonjëherë, apo kjo vrasje do të mbetet enigmë përgjithmonë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat