Modeli i një njësie zgjedhore për më shumë përfaqësim te shqiptarët e Maqedonisë

Opinione

Modeli i një njësie zgjedhore për më shumë përfaqësim te shqiptarët e Maqedonisë

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 21:31
Hamdi Nuhiju

Këtyre ditëve është aktualizuar tema e ndryshimit të modelit zgjedhor edhe për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara që të mbahen me 12 prill të vitit 2020. Kjo temë ka marr jehon në të gjitha sferat e shoqërisë duke mbajtur zgjuar opinionin.

Ajo që po habit shumë njerëz brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut është qëndrimi i partive politike shqiptare në lidhje me këtë temë. Asnjëra prej tyre nuk kanë qëndrim të njëjtë dhe të drejtë sa i përket modelit zgjedhor. Secila duke u bazuar në kalkulimet e saja partiake ka dhënë edhe vlerësimet e saja.

Nga disa prononcime të zyrtarëve të BDI-së, sikur Artan Grubi, Nevzat Bejta dhe Bujar Osmani, nga kjo parti në mënyrë kategorike janë kundër ndryshimit të modelit zgjedhor. Argumenti i tyre i vetëm në këtë kundërshtim është fakti se bëhet fjalë për ndryshimin e modelit zgjedhor pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tyre, kjo temë duhet që të diskutohet në rrethana tjera.

Nga partia Aleanca për Shqiptarët që momentalisht gjenden në opozitë, si duket nuk i pëlqen ideja e një njësie zgjedhore dhe ato kanë propozuar që Maqedonia të ketë tetë njësi zgjedhore me qëllim që të përmirësohet padrejtësia ndaj votuesve shqiptar. Sipas propozimit të Aleancës për Shqiptarët, nëse do të krijohen edhe dy njësi zgjedhore, atëherë në tetë njësi zgjedhore vota do të balancohej në mënyrë të barabartë dhe shqiptarët do të favorizoheshin.

Në anën tjetër, zyrtarët nga partia Alternativa, Skender Rexhepi dhe Driton Sulejmani haptas flasin për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore. Sipas tyre, nëse në Maqedoninë e Veriut do të kishim vetëm një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, atëherë vota shqiptare do të faktorizohej, por edhe do të fitonim në cilësi nga kandidatët shqiptar që do të paraqiteshin në garë. Jo çdo njeri do të kishte mundësi që të zgjidhej deputet dhe kriminelët nuk do të kishin mundësi që të fshiheshin prapa logos së partisë dhe punës së parlamentit për t`i ikur burgut.

Igor Janushev dhe Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE janë kundër shndërrimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore. Si parti ata kanë propozuar 120 njësi zgjedhore që indirekt i bie sistem mazhoritar që të kalonim në diktaturë.

Argumentet e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski ishin se deputetët duhet që të zgjidhen nga regjione të caktuara dhe jo të marrin vota nga e tërë Maqedonia. Nëse marrin vota nga e gjithë Maqedonia, atëherë kë përfaqësojnë ato? Pyet Dimovski, dhe vazhdon argumentin se edhe kontrolli i qytetarit ndaj punës së deputetit do të pamundësohej me një model të një njësie zgjedhore.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe njëherit kryetar i LSDM-së është propozues dhe përkrahës i ndryshimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore. Sipas tij, edhe nëse ky propozim nuk votohet me konsensus në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, deputetët e kësaj partie do të votojnë për ndryshimin e Modelit Zgjedhor në një njësi.

Kristijan Fidanovski në lidhje me këtë temë ka shkruar një blog ku ka analizuar mundësinë e ndryshimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2016. Duke e pasur parasysh se modeli i një njësie zgjedhore ka prag prej 5 %, atëherë në zgjedhjet e vitit 2016 në Kuvendin e Maqedonisë do të ishin tre parti më pak: Partia Demokratike Shqiptare (2,5 për qind të votave), Aleanca për Shqiptarët (2,95 për qind), e madje edhe Lëvizja Besa (4,86 për qind) do të mbeteshin pa asnjë nga gjithsej dhjetë mandatet e tyre së bashku.

Por akademik Izet Zeqiri nuk ndan mendimin e njëjtë me të. Në mënyrë statistikore, Zeqiri argumenton se me këtë model zgjedhor shqiptarëve po i bëhet padrejtësi e madhe duke u favorizuar maqedonasit për 8.32 %, ndërsa duke u dobësuar në numra shqiptarët për -6 %. Sipas akademik Zeqirit, nëse do të zgjidhej modeli i një njësie zgjedhore, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të kishin 30 deputet.

Iniciativa për një njësi zgjedhore sot i ka dorëzuar dy propozime për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, kumtoi sot në një konferencë për shtyp në Parlament deputetja, Liljana Popovska.

“Në propozimin e parë kërkuam që të bëhet ndryshimi nga gjashtë njësi zgjedhore në një njësi zgjedhore ndërsa në propozimin e dytë paraqitëm lista të hapura për zgjedhjet lokale, numër të barabartë të burrave dhe grave si në zgjedhjet lokale edhe në zgjedhjet parlamentare dhe mekanizëm për zgjedhje të përfaqësimit proporcional të këshilltarëve në listat”, kumtoi Popovska.

A do të kemi model të një njësie zgjedhore dhe lista të hapura ku disa të sulltan të politikës shqiptare përfundimisht do të pensionoheshin nuk e di. Veç e di se qëndrimet kundër interesave të votave shqiptare do të duhej që të ndëshkoheshin nga sovrani me 12 prill të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat