Iniciativa për “Mini-Shengen” Ballkanik, është një lojë puro politike dhe diplomatike e Serbisë..!?

Opinione

Iniciativa për “Mini-Shengen” Ballkanik, është një lojë puro politike dhe diplomatike e Serbisë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 21:19
Pamje nga Samiti i Ohrit

Për njohësit dhe analitikët e historisë, politikës dhe diplomacisë së Serbisë, sidomos në dy shekujt e fundit ndaj kombit shqiptar, është e qartë se cilat janë motivet, shkaqet dhe arsyet, që Beogradi zyrtar në krye me presidentin, Aleksandar Vuçiç, ta pranon dhe të jetë aktor kryesor i nismës së përbashkët me kryeministrat, Zoran Zaevin dhe Edi Ramën, në formimin e “Mini-Shengen-it” ballkanik, ndër të cilat do i shtjellojmë disa më kryesorët, si më poshtë;

E para; dhe ndoshta arsyeja kryesore është, se regjimi i Serbisë pas dështimit të arritjes së marrëveshjes me Hashim Thaçin për ndarjen e Kosovës si dhe pas ofensivës diplomatike nga Washingtoni zyrtar, që midis Kosovës dhe Serbisë të arrihet sa më shpejt marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, përfshirë edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pala serbe, pa dyshim, se udhëheqësit e Serbisë i ka sjellë gati para aktit të kryer, në mos edhe para kapitullimit të dytë diplomatik pas atij në Kumanovë në qershor të vitit 1999!

E dyta; të gjendur në një situatë tejet të pavolitshme në raport me presionin e fuqishëm amerikan, por edhe për shkak të rritjes gjithnjë e më të madh të presionit brenda popullit serb dhe vetë subjekteve politike në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, regjimi i Beogradit në krye me presidentin A. Vuçiç, siç mund të kuptohet nga sjellja dhe diskutimet e tyre në dy takimet e mbajtura midis tre liderëve të lartpërmendur, i pari në Novi Sad, i dyti dje dhe pardje në Ohër, ndërsa i treti takim i paralajmëruar të mbahet në dhjetor në Durrës, del se kjo iniciativë ka dalë nga Beogradi zyrtar. Sepse, gjithherë kur udhëheqësit dhe shteti serb gjenden para situatave gati të pa rrugëdalje, ata nxjerrin nga naftalina ide, propozime dhe iniciativa si kjo e fundit, jo që ato i duan dhe i përkrahin seriozisht, por për më tepër ato i nxjerrin në tryeza diplomatike si një instrument kamuflues për humbjet e tyre në terrenin politik dhe diplomatik, siç ishin bisedimet private me H. Thaçin dhe Edi Ramën për ndarjen e Kosovës. Pra, kjo nismë është një potez strategjik i tyre për ta larguar vemëndjën e faktorëve ndërkombëtarë nga dialogu me Kosovën, duke i kthyer ata kah kjo iniciativë e re, kryekëput me qellim të përfitimit në kohë, derisa të kalojnë zgjedhjet në Serbi vitin e ardhshëm, por edhe ato në SHBA në vitin 2021, dhe jo vetëm..!?

E treta; pranimi dhe kyçja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në këtë iniciativë, është pa dyshim, për shkak të dështimit të tij të turpshëm në realizimin e marrëveshjes “Thaçi-Rama-Vuçiç” për ndarjen e Kosovës dhe pastaj ta kandidonin veten e tyre për çmimin Nobel, siç ëndërronin sy hapur këta tre siamez politik dhe primitiv ballkanik. Por, edhe për shkakun e zgjatjes së sundimit të tij diktatorial në Shqipëri, duke u fshehur pas nismave rajonale, gjoja të mëdha ballkanike e për interesa “kombëtare”, që në fakt është një farsë politike me përmasa tragjike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar në Ballkan. Madje, kjo nismë pikë për pikë i ngjanë vendimit të Enver Hoxhës me 1943-44 (gjatë LDB), kur komisarin partizan Hysni Kapon e urdhëronte që të dërgonte në Kosovë Brigadën e -V-të dhe -III-të partizane për t’iu ndihmuar “vëllezërve serbë” partizanë për ta çliruar Kosovën nga ushtarët gjermanë, meqë rast ato brigada çarmatosën dhe vranë shumë nacionalist shqiptarë, anëtarë të Ballit Kombëtar. Siç dihet ato aradha udhëhiqeshin nga komandanti i Divizionit të -V-të, krimineli Shefqet Peçi si dhe komisari politik Ramiz Alia. Në kërkesën dhe vërejtjen vëllazërore asokohe të burrave të mençur shqiptar të Kosovës, se “serbët kurrë nuk do jenë vëllezërit tanë..”, ata ua kthenin përgjigjen shumë ashpër; “ne serbët i kemi vëllezër, or kokëderra, ikni nga këtu derisa nuk u kemi shporrur ne..”!?

Mos harroni, se të njëjtën gjë po e bën sot Edi Rama, duke hyrë në vallen e Serbisë mbi kurrizin e thyer dhe me njëmijë plagë të pashëruara të Kosovës martire, sepse po të ishte E. R. qëllimmirë dhe po ta bënte këtë për interes të kauzës së Kosovës, nuk do kyçej në këtë nismë pa i ftuar dhe marrë me vete edhe udhëheqësit politik dhe shtetëror të saj..!?

E katërta; esenca e pranimit të iniciativës dhe e kyçjes për formimin e një “Mini-Shengeni” ballkanik e zyrtarëve të Serbisë, qëndron para së gjithash, në faktin sepse përmes këtij mekanizmi ata synon shtrirjen e politikës dhe ambicieve të tyre-saj hegjemoniste në Ballkan, por edhe krijimin e mundësive për të dalë në brigjet e detit Adriatik të Shqipërisë, duke filluar nga shfrytëzimi i Portit të Durrësit e deri në depërtimin më të thellë në tokat dhe pasuritë, mbi dhe nëntokësore të Shqipërisë, që të gjitha këto kinse në emër të bashkëpunimit turistik me Shqipërinë.

Dhe, ç’është më e rrezikshmja këtu, bëhet fjalë për synimin idiotesk të izolimit sa më të madh të Kosovës nga shteti amë, por edhe mbajtjen e saj në geto politike dhe ekonomike, duke e dobësuar sa më shumë subjektivitetin e saj shtetëror, përmes shfrytëzimit të serbëve lokalë, si një platformë kjo serbomadhe dhe hegjemoniste ndaj kombit shqiptar, madje në staza shumë të gjata kohore qindravjeçare..!? Dhe, kush nga politikanët shqiptarë nuk e kupton këtë lojë djallëzore serbe ndaj kombit tonë, në veçanti prapavijën e tyre për rifutjen e Kosovës nën okupimin serb, është më mirë dhe më e ndershme që mos të merret me politikë!?

E pesta; ndërsa për kyçjen e Maqedonisë veriore në këtë iniciativë nuk kemi nevojë të flasim shumë, sepse ajo edhe ashtu qëkur është shkatërruar ish Jugosllavia me 1991, gjendet nën hegjemoninë dhe ndikimin e plotë të Serbisë, mbase këto dy popuj janë shpirtërisht të lidhur mes vetes përmes besimit ortodoks si dhe rrënjëve të sllavizmit të tyre në origjinë, si mbijetesë vëllazërore, siç e dimë, mbi synime dhe ideologji të përbashkët që si lajtmotiv kanë pasur dhe kanë anti-shqiptarizmin shekullor..!?  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat