Temat e mëdha dhe ato të vogla

Opinione

Temat e mëdha dhe ato të vogla

Esad Dujaka Nga Esad Dujaka Më 11 nëntor 2019 Në ora: 07:21
Prishtinë

E kam fjalën pikërisht për ato tema që ne gazetarët i trajtojmë nga portalet, e gazetat e deri te emisionet informative radio-televizive! Ndoshta unë jam konvencional, gazetar që më ka kaluar afati, por ja që po marr guximin profesional dhe po them se nuk po pajtohem fare që emisionet qendrore p.sh. televizive te ne nisin me tema të rënda politike si ajo për dashurinë me naze ndërmjet VV dhe LDK, kush me kë u takua, kush me kë ka biseduar, se çka do të bëjë ky pa atë e si dikur ky kishte folur qyfer për atë tjetrin...

E deri te një takim në Ohër ku po na përgatitet një “mini Shengen” e ku Edi Rama, që ende sot e kësaj dite gazetarët shqiptarë andej e këtej Drinit pa pikë korrektësie e pa pikë kulture i quan hiq më pak se KAZAN, ka deklaruar se na qenka 192 cm. i gjatë dhe se ai nuk po u hyeka punëve që janë mini, ndërkaq që nuk e flet asnjë fjalë për planet aq antikombëtare për “këmbimin e territoreve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që kishin zierë e përzier - ai, Thaçi dhe Vuçiqi ku ta dijmë se kush tjetër, a në Romë, Beograd, apo matanë Atlantikut?! Dhe, kolegët e mi gazetarë e redaktorë mbërthehen pas temave “të mëdha” ndërkaq ose ua imponojnë ose mbërthehen vet e i harrojnë temat e ashtuquajtura të vogla për popullin, e të cilat janë me rëndësi jetike për shtresat e gjera që nga çerdhet e deri te fakultetet, për shkollimin që gjithnjë e më shumë ka humbur cilësinë e të të mësuarit dhe të mësimdhënies, që nga rrugët që ndërtohen dobët e pas një viti u çahet asfalti, për ato rrugë që ndërtohen si Kalaja e Rozafatit që kanë filluar nga paslufta dhe ende gërryhen e nuk përfundojnë si ajo për Pejë, tjetra për Mitrovicë ajo për Podujevë që herë - herë e quajnë edhe Besianë...

Nuk e nisim emisionin kryesor të ditës me hallet e mëdha të shëndetësisë, sidomos në qendrat më të vogla, nga Prishtina e deri në zonat më të thella ku këmba e mjekut vështirë se depërton, nuk e nisim me skamjen e theksuar të pensionistëve që marrin ndihma sociale pas 40 viteve të punës së ndershme ( e nuk i krahasojmë me të ardhurat enorme të pushtetarëve e deri te Trusti Pensional ku drejtori p.sh merrte si të ishte në Zelandën e Re!)

Nuk e plasojmë si lajm të ditës çështjen e parkingjeve në Prishtinë, punimet e filluara në nëntor të disa rrugëve e bllokadat që pasojnë, për shtrirjen e kabllove pak para se të bie borë, shtrirjen e gypave të ngrohtores “Termokos”, e të tjera e të tjera sa të duash deri në mëngjes – e nuk marrim guximin njerëzor e mbi të gjitha profesional e ta thërrasim në përgjegjësi pse jo kryetarin e Prishtinës, nënkryetarin, atë afër tij (se s’po përmendi emra se kam frikë se do të skuqen dhe turpërohen... Jo! Pa drojë të jeni se fatkeqësisht se ka ndërmend ASKUSH në këtë vend të skuqet e as të zverdhet për kritikat që iu bëhen...Veç të mos i prekim në xhepa e në tendera, këtë e kanë drojë, atëherë ndoshta do të reagonin e do të bëhej hataja!?)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat