A duhet t’i bashkohet Kosova “Mini-Shengenit”?

Opinione

A duhet t’i bashkohet Kosova “Mini-Shengenit”?

Zejnullah Jakupi Nga Zejnullah Jakupi Më 11 nëntor 2019 Në ora: 07:28
Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev

Nga përfundimi i luftës, Kosova dhe Serbia janë si në gjendje lufte. Serbia e ka mohuar dhe dhe e mohon shtetin e Kosovës. Shpesh ajo ka inicuar, ose inskenuar urrejtje dhe ka nxitë kundërshtitë politike ndaj Kosovës, duke i manipuluar edhe serbët e Kosovës. E kemi fundin e vitit 1999, pastaj 2004, 2011 dhe, nuk kalon vit pa patur ndonë skenar absurdë i cili vetëm se e tensionon situatën edhe më shumë. Prej të gjitha arritjeve dhe marrëveshjeve politike të arritura, si ajo e 24 shkurtit 2002, e 19 prillit 2013 e tutje nuk po zbatohen. Tani, me iniciativën e takimeve për Mini-Shengenin e mbajtur si ky Samiti i Ohrit, i dyti mes 3 liderëve, pas atij të Zagrebit, zhvillohen, sipas dokumentit që është botuar, për arritjen e një marrëveshjeve mes palëve, për lëvizjen e lirë të njerëzve, prodhimeve dhe kapitaleve. Kjo iniciativë është kundërshtuar nga aktorë të tjerë, si p.sh. nga Kosova. Ndërkohë që SHBA e ka mbështetur këtë nismë, kanë njoftuar mediet. Zëra pozitiv kanë ardhur dhe nga BE, por kërkojnë integrimin e të gjithë rajonit në marrëveshje.

Kjo është, sipas kryeministrit serb Aleksander Vucic, një iniciativë e rëndësishme për Serbinë dhe thotë; ´Unë jam krenar të them që ne kemi rënë dakord për gjëra të rëndësishme për qytetarët tanë në një kohë të shkurtër dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të krijohet ambienti i normalitetit në rajon, jo ambjenti i konfliktit dhe urrejtjes.´

Detaje të reja nga takimi i Samitit të Ohrit, mes kryeministrit Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për “Mini-Shengenin e Ballkanit” duhet të kuptohet vetëm si një përparësi për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Pra, siç thekësohet në këtë dokument, kuptohet qartë se anëtarësimi në BE është objektivi kryesor i Ballkanit Perëndimor.

Samiti shpie drejt avancimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, i cili njëheri eliminon barrierat e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Me ketë iniciativë do të mundësohet, gjithashtu, edhe lëvizja e lirë e njerëzve kapitalit mes Kosovës dhe Anamoravës, Kosovës Lindore, Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Pra, pse duhet ta kundërshtojë Kosova këtë nisëm kur edhe Shqipëria dhe shtetet tjera janë aty? Pro-Samitit, d.m.th. ky vetëm sa i ndihmon shtensionimit të situatës dhe ndihmon përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për dyja shtetet, por jo vetëm për to, objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet qëllim i Ballkanit Perëndimor dhe, siç është thekësuar, ´asnjë alternativë tjetër për këtë synim nuk është e zbatueshme për rajonin´.

Kosova dhe Serbia, si gjithë shtetet tjera, duhet dhe janë të detyruara, herët apo vonë, t´i ndajnë vlerat evropiane. Iniciativa e samitit nuk e zëvendëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili dhet të vazhdojë dhe të përmbyllet me suksese.

Secila shoqëri duhet ta arrijë standardin, si Kosova ashtu edhe Serbia, pra, këto kanë për t´i bërë punët e veta, duke u afruar me standardet evropiane dhe, duke i ofruar ato me shoqëritë tona respektive. Si përfundim, me një PRO, thotë Edi Rama ne përsërisim përkushtimin tonë që të implementojmë të gjitha reformat e domosdoshme dhe të arrijmë gradualisht të kemi përafrim të plotë me këto standarde.

Pra, Samiti si ky në Ohër, dhe të tjerët që do pasojnë, nuk e izolojnë Kosovën dhe Kosova, siç tha edhe Edi Rama, tutje nuk duhet ta izolojë veteveten duke mos marrë pjesë në të. Parasëgjithash ky Mini-Shëngen ka për synim lehtësimin e kontakteve mes njerëzve dhe do shkojë në shërbim të përpjekjeve ´dorë për dorë me ambiciet´e vendeve Ballkanike për anëtarësim në BE´ dhe nuk ka tërheqje nga deklarimi në Beograd se Serbia duhet ta njoh Kosovën si shtet të pavarur.
Sipas këtij dokumenti palët nënshkruese sigurojnë se ´këto masa po implementohen në mirëbesim nga të gjithë palët, brenda strukturave aktuale (për shembull, MAP REA, Cefta, RCC etj)´.

Prania e Kosovës, aty ku është edhe Shqipëria, nuk do jetë kurrë e gabuar, kur dihet se Edi Rama ka marrë edhe mbështjetjen e Berlinit dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Prandaj, duhet pohuar se marrëdhëniet mes palëve nuk përmirësohen duke vë taksa 100% dhe duke ndaluar qytetarët me orë të tëra nëpër kufij, si veproi ish-qeveria Haradinaj. Sikur t´i bashkangjitet Republika e Kosovës kësaj nisme, qytetarët e saj, pra të dyja vendeve, do të shohin beneficione të dukshme. Prandaj, ritheksohet se duhet të punohet me ngulm që edhe shtetet tjera, si Kosova, në takimin e Durrësit të marrin pjesë në samit. Pjesëmarrja e Kosovës dhe arritja e marrëveshjes për kalimin e kufijve në rajon me letërnjoftime, sipas dokumentit, mund të nënshkruhet gjatë Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në verën e vitit 2020.

Kundërshtimi i Kosovës

President i Republikes së Kosovës Hashim Thaçi thotë se e ka refuzuar pjesëmarrjen tij në Samitin e Ohrit. Vendim për mospjesëmarrje bazohet, sipas tij në disa argumente ekzistuese.´Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.´

Kundërshtimin ndaj Samitit presidenti Thaçi e ka kundërshtuar duke thenë se ´kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.´

Sipas tij Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar. Ai mendon se ´pengesat aktuale mund të tajkalohen nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta.´

Edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa e ka kundërshtuar Mini-Shengenin duke e quajtur si një „mini-jugosllavi“. Sipas tij ky projekt është një Jugosllavi e re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. ´Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës.´

Sipas z. Mustafa, Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së.

´Marrëveshjet e Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi.´

Po-ja e Shqipërisë dhe e Edi Ramës ndaj Marrëveshjeve të tilla janë atraktive në sferën ekonomike, pra Shqipëria mbledh tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën, e do ti mbledh në pjesën më të madhe. Edhe Serbia po ndërton Autostradën e cila kalon nëpër Kosovë dhe do t´i mundësonte asaj daljen në detë, investime të Serbisë, por edhe të Maqeonisë në bregdetin shqiptar janë shumë atraktive dhe për Shqipërinë kjo krijon rritje ekonomike.

Z. Mustafa ka mendim ndryshe për këtë. Ai thotë se Kosova nuk kufizohet tanipërtani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Prandaj me këtë marrëveshje Kosova, sipas z. Mustafa sovranitetin e saj Kosova ´do ua kalonim vendeve fqinje, sepse siç dihet Shengeni (mini apo maxi) nënkupton politika unike të vendeve anëtare për kalimin e lirë të kufijve pa kontroll dhe kjo do të vlente edhe për Mini-shengenin e Serbisë dhe të përkrahësve të hegjemonisë së saj.´

Zëra të cilët e mohojnë Samitin e Mini-Shëngenit, thonë se Kosova nuk duhet të ulet në sofrën e shtruar nga dikush. ´Sikur t' kish qenë ndonji marrëveshje pa bisht, kish marrë pjesë edhe Mali i Zi. Për çfarë lëvizje të lirë po flasim kur të gjithë udhëtojnë pa viza, e veq Kosovarët me viza. Nuk jemi bash n' zor me udhëtue në serbi, se edhe 1000 marrëveshje me i ba, ai polici serb prap ka me të maltretue njejt´, thotë M. Zeka

Por nuk duhet harruar se Dialogu dhe marrëveshjet paqësore janë gjithnjë të mira, pra nëse duhet të arrihet një përafërim dhe njohje të dyanshme. Gjithsesi nuk mund të ketë njohje pa vullnet të dyanshëm. Herëdokur duhet të ndodh një pajtim, qoftë edhe një më pak se ai në mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Berat Buzhalës nuk duhet me patjetër me na njoftë Serbia. ´As Kina nuk e njeh Taiwanin po asht superfuçi. Pra nëse duan Serbët marëdhanje të mira, në rregull, përndryshe , shpirtin n' dorë na e ka Amerika e jo Serbia.´

Por çfarë fitohet nga izolimi? Një ´Jo´ vjen megjithmend nga elita politike. E të cilët na kanë lodhur deri tani duke thënë se Serbia e njohu Kosovën me marrëveshjen e 13 prillit 2013. Edhe intervenimi në Veri në vitin 2011 ishte në të njëjtën linjë. Tani, edhe BE dhe SHBA i kanë përmirësuar marrdhëniet me Serbinë, por e cila, falë dilomacisë së avancuar ka dëmtuar imazhin politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ka bërë që shumë njohje t´i humb shteti i Kosovës pikërisht pse kemi patur kursin e konfrontimit me Serbinë. Pra edhe politikanët tanë nuk janë pa faj, sepse nga shpallja e pavarësisë ata betejën kundër Serbisë e kanë kthyerë në betejë për të manipuluar votuesin duke i shpallur luftë Serbisë dhe në anën tjetër, kanë shtuar intensitetin dhe zhvatjen e parasë publike dhe janë zhytur në korrupsion. Shihet gjithashtu, edhe nga raportimet televizive se si është manipuluar opinioni publik vite me radhë. Besohet se Edi Rama nuk është kaq tradhëtar dhe i pabesë sa ta fus Kosovën dhe një pjesë të kombit nën tutelen serbe, ose përmes kësaj të humb diçka Kosova dhe populli i saj, si e mendojnë kundërshtarët e tij politik.

PS: Çështja e dëmshperblimit të dëmeve të Luftës, çështja e fatit të të pagjeturëve, kërkim-falja për konfliktin dhe krimet kundër njerëzimit që pushteti serb i ish-Jugosllavisë i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, ushtruar në Kosovë gjatë vitit 1998/1999 janë kaptinë tjetër, të cilat duhet të zgjidhen vetëm mes dyja shteteve, mes Serbisë dhe Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat