Pse heshtë Ministria për Punë të Jashtme dhe stafi i saj inert ndaj agresionit diplomatik të Serbisë kundër Kosovës..!?

Opinione

Pse heshtë Ministria për Punë të Jashtme dhe stafi i saj inert ndaj agresionit diplomatik të Serbisë kundër Kosovës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 21:47
Rexhep Elezaj

Këtë pyetje në titull do ta shtronte çdo qytetari i thjesht i Kosovës, kur e lexon këtë deklaratë në shtypin kosovar; “Ministria e jashtme serbe përmes një deklarate vlerësoi “vendimin e rëndësishëm” të Ganës dhe tha se është bërë “vendi i 16, anëtar i OKB-së, që e ka tërhequr njohjen e Kosovës”..!?

Pra, ky nuk është “Fake news”, por lajm i vërtetë se “qeveria e Ganës e ka tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë të martën për AFP-në zëvendësministri i jashtëm i këtij vendi, Charles Owiredu”!

Deklarata e ministrisë së Ganës si shkak të tërheqjes, thotë se “pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit” e vitit 1999, që e vuri vendin nën protektorat ndërkombëtar!

Kjo tërheqje e radhës, mjerisht vije pas dështimit të plotë të Ministrisë së Republikës së Kosovës për Punë të Jashtme dhe stafit të saj diplomatik, para së gjithash, e dështimit të vet ministrit të saj në shkuarje, z. Behgjet Pacolli, në planin e rritjes së numrit të njohjeve nga vendet e botës, por edhe dështimit në forcimin e bashkëpunimit bilateral me 116 vendet që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës deri më tash. Dhe, për këto dështime kaq të mëdha në cilin do shtet demokratik në botë, ministri dhe stafi më përgjegjës i këtij dikasteri do jepnin përgjegjësi morale, politike dhe kombëtare para Kuvendit dhe popullit të tyre..!?

Mbase, një moral, patriotizëm dhe dinjitet të tillë kombëtar, mjerisht nuk e kanë treguar politikanët shqiptar, sepse me sjelljet e tyre harbute, egoiste, megalomane dhe autokratike, kanë treguar në vepër, se ata janë “shumë” më të rëndësishëm sesa vet shteti i Kosovës, ndaj edhe nuk dorëheqen, gjithnjë sipas logjikës së tyre gllabëruese, ngase pa ta në maje të shtetit “Kosova do vdiste”..!?

Anomalitë, mosaftësitë, joprofesionalizmi, mosnjohuritë e duhura, mungesa totale e përvojës diplomatike, me kuadro të pashkolluara dhe fare të papërgatitura për punë në politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik, nepotizmi, mungesa e programit dhe platformës për politikën nacionale dhe shtetërore kundrejt rrjedhave dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare në fusha të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, multilateral, rajonal dhe atij global, hapja e përfaqësive tona konsullore dhe diplomatike pa asnjë kriter administrativ, pa sistematizim përkatës të vendeve të punës, pa zgjedhjen adekuate të ambasadorëve kredibil dhe njohës të raporteve strategjike Lindje-Perëndim, njohës të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, përfshirë ato të Zhenevës dhe Londrës, me një politikë dhe aktivitet tejet pasiv të stafit tonë diplomatik në botë, me shumë pak përjashtime etj., etj., nuk ka asnjë dilemës, se si rezultat i gjithë kësaj neglizhence, mos pune dhe diplomacie tejet të dobët, të sjelljeve të papërgjegjshme dhe plotë gabime, pa dinamikë dhe fushatë diplomatike, dhe të ngjashme, për fat të keq Kosova pas 11 viteve pavarësi, do bie në nivelin më të ultë të marrëdhënieve dhe statusit së saj shtetëror dhe diplomatike në Evropë dhe botë..!?

Lidhur me çështjen e stagnimit qe disa vite të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, sidomos mos lobimi tek 5 vendet kyçe të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, por edhe shumë dështime tjera në planin diplomatik të qeverive të deritanishme, përfshirë edhe qeverinë “Haradinaj”, siç është mos anëtarësimi i Kosovës në UNESC-o dhe Interpol, etj., i kanë sjellë dëme gati të pariparueshme procesit të shtet ndërtimit të Kosovës si dhe arritjes së numrit të nevojshëm të njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së saj, si kusht për t’u anëtarësuar në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë!

Mbase, jam shumë i sigurt se me formimin e qeverisë së re në krye me z. Albin Kurti, kryeministër, kjo gjendje e rënd si dhe amullia e krijuar vitet e fundit në fushën e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Perëndimin dhe rajone tjera të rëndësishme të botës, do ndryshojë shpejt në favor të interesave tona vitale politike dhe nacionale, duke iu kundërvënë fuqishëm fushatës fashiste diplomatike dhe agresive të Serbisë kundër Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat