A është ulur krimi, apo buletini i policisë nuk po e raporton komplet?

Opinione

A është ulur krimi, apo buletini i policisë nuk po e raporton komplet?

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 21:55
Hamdi Nuhiju

Krimi në Maqedoninë e Veriut është në rritje e sipër. Gazetarët që përcjellin për çdo ditë buletinin e policisë ndjehen të shqetësuar për raportimet dhe llojet e krimit që realizohen në vendin tonë. Në përgjithësi, nuk ka skaj të Maqedonisë së Veriut që nuk ndodh ndonjë vepër kriminale e dënueshme me ligjet në fuqi.

Policia edhe pse ndërmerr masa dhe aktivitete të ndryshme gjatë tërë vitit për parandalimin e krimit, dhe po lexojmë vazhdimisht për shpërnguljen e popullatës së vendit, është pak e habitshme trendi i vazhdueshëm i rritjes së krimit. Në shikim të parë të krijohet përshtypja se policia dhe institucionet e hetuesisë thuajse nuk ndërmarrin asgjë për parandalimin e krimit.

Ka disa elemente të krimit të cilat janë transformuar, si për shembull rasti me pasaportat bullgare, ose më mirë thënë skandali ku qenë të përfshirë edhe disa policë.

Jashtë syve të opinionit, shumë njerëz e pranojnë se një pjesë e konsiderueshme e policisë janë vet pjesë e krimit duke e nxitur dhe furnizuar atë me material. 

Madje disa lloje të krimeve thuajse nuk raportohen fare. Sidomos kur e kemi parasysh sezonin e dasmave dhe problemet e vazhdueshme me teprinë në ahengjet familjare duke përdorur armë, alkool,si dhe zëri shurdhues i muzikës që në vazhdimësi shndërrohet në pengesë për shumë njerëz që nuk janë pjesë e ahengut familjar.

Pak para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski paralajmëroi vetingun e famshëm në polici. Gazetari Zoran Bozhinovski nga Burevesnik këtë veting të policisë e interpretoi si formë e fshehjes së gjurmëve të protagonistëve të caktuar nga pushteti i kaluar. Se për çfarë fshehjes gjurmësh bëhet fjalë, lexuesi i këtij teksti mund të orientohet në shkrimet e tij.

Megjithatë, vetingu në polici është i domosdoshëm për të pastruar radhët e policisë dhe për të krijuar siguri tek njerëzit. Shumë njerëz ngurrojnë që t`i paraqesin rastet në polici ngaqë besojnë fuqishëm se vetes mund që t`i sjellin vetëm sherre.

Bota e krimit është e larmishme dhe me shumë mirëkuptim për uniformat e kaltra. Ajo që është e habitshme për opinionin, e sidomos për gazetarët është mënyra e raportimit në buletinin e policisë për krimin. Një njeri i thjeshtë në Maqedoninë e Veriut mjafton që ta gjurmon buletinin e policisë për ta kuptuar se për çfarë bëhet fjalë.

Prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 12 prill të vitit 2020, ka ndryshuar si duket edhe qasja në raportimet e policisë për krimin. Prej me 1 nëntor e deri më sot, 12 nëntor të vitit 2019 niveli i krimit në buletinin e policisë është në rënie.

Sot për shembull në buletinin e policisë është raportuar për katër kafshime nga qen endacak, dy rrahje, një ndërtim pa leje, një transport pa leje, një plagosje, gjetjen e një të zhdukuri, dy bomba të vjetra të dorës, një vjedhje, dy raste të falsifikimit të dokumenteve, një aksident me efekt vdekjen, një rast të armëmbajtjes pa leje, dy mashtrime dhe dy raste të kapjes me marihuanë.

Për një njeri të rëndomtë që për herë të parë përcjell buletinin e policisë këto raportime duken të shumta dhe të mëdha, por për një gazetar që me vite për çdo ditë përcjell buletinin policisë e sheh që diçka nuk është në rregull.

Natyra e krimeve po thuajse është e njëjtë për çdo ditë, me përjashtim të sezoneve të caktuara të dimrit, verës, të dasmave, të nisjes së shkollës, të ardhjes së mërgimtarëve etj. Ajo që është e habitshme në raport me këto krime, është mungesa e ndërmarrjes së masave nga ana e institucioneve të shtetit për t`i ndryshuar seriozisht dhe rrënjësisht shifrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat