Shenjtëeresha e paqes – Nëna Terezë

Opinione

Shenjtëeresha e paqes – Nëna Terezë

Nga: Don Lush Gjergji Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 10:24
Nëna Terezë

Sivjet me të drejtë bota, sidomos ne Shqiptarët, përkujtojmë 40 – vjetorin e Shpërblimit Nobel për Paqe, që e mori Nëna Tereze në Oslo, më 10 dhjetor 1979. Ishte kjo një ditë e madhe, ngjarje e rëndësishme për ne Shqiptarët, për Kishën Katolike, për Nënën Tereze, për njerëzit e vullnetit dhe të zemrës së mirë kudo në botë, në veçanti për të varfrit dhe të gërbulurit, përjashtuarit nga familja dhe shoqëria. Kjo ndodhi është e vulosur në mendjen dhe në zemrën time. Pas 130 shpërblimeve dhe çmimeve ndërkombëtare, së fundi Nëna Tereze me të drejtë arriti edhe në piedestalin e Nobelizmit për Paqe.

Ja si e ka vlerësuar Nëna Tezeze këtë Shpërblim për Paqe, në ditën e marrjes së, në një intervistë me mua: “Ky Çmim, si dhe të tjerët që i kam marrë gjatë këtyre viteve, është vetëm për të varfëritë tanë, mendoj se ka qenë dhuratë e Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka vitin e ardhshëm për familjet tona...

Ky Çmim tregon se bota po i njeh të varfëritë, prandaj edhe e ka detyrë t’u ndihmojë. Ky është kontributi i madh për paqe. Nga që bota më në fund ka kuptuar se puna e dashurisë është e rëndësishme për paqe...

Shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit. Ai është çdo gjë për mua. Gjëja më e madhe për mua do të ishte të bëj që dashuria universale të mbretërojë, sidomos për ata që vuajnë” (Oslo, 10 dhjetor 1979).

Shumë njerëz të botës së atëhershme, ndoshta e dhe sot, janë të befasuar për këtë përzgjidhje, duke pyetur: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë, që ta meritonte dhe pranonte këtë Shpërblim?

Do të thosha shumë, gjithçka, sepse ajo vërtet e ka flijuar dhe dhuruar jetën e saj ndër të varfër ndër më të varfër, me të gërbulure, njerëz të dëbuar dhe të përjashtuar nga të gjithë për arsye të varfërisë, sëmundjes, mjerimit, pa pasur më pamje njerëzore, dinjitet dhe trajtim të denjë në jetë. Ajo ishte dhe mbeti “dashuria në veprim” për të gjithë, sidomos për të gërbulur, njerëz në buzë të vdekjes, fëmijë të braktisur...

Nuk duhet t’i harrojmë kurrë tri shtyllat e Nënës Tereze në krijimin, zhvillimin dhe kultivimin e paqes ndër ne dhe në botë:

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Pranimi, çmimi, mbrojtja e jetës prej sulmuesve të jashtëm dhe të brendshëm, nga zanafilla, ngjizja, deri në vdekje, Nëna Tereze e kishte në mendje dhe në zemër këtë parim kaq të thellë, domethënës, të guximshëm, heroik, duke thënë: “Jeta është jetë – mbroje” dhe “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Ajo para mbarë botës vendosmërisht ndër të tjera ka thënë kështu: “Rreziku më i madh për paqen është aborti, nga që nëse nëna mund të shkatërrojë jetën, që na e ka dhënë Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet vrastare për fëmijën e vet, atëherë çka mund të thuhet vallë për vrasjet dhe luftërat e botës? Sot, njerëzit nuk e duan njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë. Aborti është fillimi i të gjitha të ligave në botë.

Tani bota i njeh të varfëritë dhe unë mendoj se do të mendojnë më seriozisht për këtë problem. Të varfëritë janë të lumtur me pak, me një buzëqeshje, një shtrëngim dore, me pak oriz... Ata janë protagonistët e vërtetë të “Çmimit Nobel për Paqe”.

Dhe ka vazhduar: “Doni njëri-tjetrin siç e do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të lutemi ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka për Zotin dhe për të tjerët”.

Disa përjetime dhe përvoja me Nënën Tereze në Oslo

Mes shumë autoriteteve dhe personaliteteve në Oslo ishte ipeshkvi ynë tash i ndjerë, Imzot Nikë PRELA dhe unë. Me Nënën Tereze ishte vëllai i saj tashmë i ndjerë, Lazër BOJAXHIU, bija e tij, Age lind. Bojaxhiu – Guttadauro, dy meshtarë kroatë, i ndjeri Don Luka Depolo dhe Don Mijo Gabriq.

Nëna Tereze ishte e prekur me praninë tonë. Dukshëm e emocionuar, si gjithmonë e hareshme, tha: “Më vjen shumë mirë që keni ardhur. Si ta pasha nënën time të ndjerë. Zoti ju shpërbleftë!”.

Një mbrëmje, qëndruam bashkë deri vonë. Më vonë unë shkruaja përshtypjet e mia të ditës. Ajo më erdhi në dhomë dhe më tha: “Ti ende nuk fle, ti ende po punon?”. “Ulu, dëshiron të bisedojmë edhe pak”, ia ktheva unë.

“Jo, mjaft për sonte, nesër...”

I paharrueshëm është takimi me mbretin e Norvegjisë, Olavin e pestë. Nëna Tereze e pyeti mbretin: “Madhëri, a do të jeni të pranishëm sot në ceremoninë e prezentimit të Çmimit Nobel?”.

Mbreti Olavi u përgjigj: “Unë do të vija me dëshirë, por unë jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së njerëzve, prandaj nuk dua që edhe sot të ndodhë kjo. Sot është dita jote. Ti je personaliteti, prandaj unë nuk dua t’ua prish”.

“Jo, Lartmadhëri. As ju, as unë, nuk jemi të rëndësishëm, në qendër, por Zoti dhe të varfëritë tanë, prandaj nëse dëshironi të vini, Ju nuk do të ma prishni mua as akujt tjetër”.

Mreti pranoi propozimin dhe shpjegimin e saj, dhe në befasi të gjithëve, mori pjesë në këtë ceremoni.

Nëna Tereze e ka dëbuar drekën solemne. Kjo ishte befasi e dorës së parë për të gjithë, sidomos për organizatorët.

Ajo tha qartas dhe vendosmërisht kështu: “Unë nuk mund të marrë pjesë në një drekë festive të tillë, ndërsa njerëzit tanë vuajnë nga uria, vdesin... Ne duam të jemi të varfra si ata, për dashuri ndaj Zotit dhe për t’i kuptuar ata deri në fund”.

Vizituam një familje kroate, e cila bënte shërbime te motrat e Shën Jozefit, ku ishte Nëna Tereze dhe ne. Djali i vogël, Franku, pas përshëndetjes, u largua. Ne menduam se ishte frikësuar nga njerëzit e panjohur, foto-aparatet dhe kamerat.

Pas pak kohe erdhi. Në duar të mbyllura kishte disa para. I dha Nënës Tereze me këto fjalë: “Për fëmijët tu të varfër”.

Nëna Tereze e komentoi këtë gjest bujarie kështu: “Ky dhurim është edhe më i madh se Shpërblimi Nobel për Paqe, sepse vjen nga zemra e pafajshme e një fëmije”.

Më vonë prindërit na shpjeguan që Franku i vogël nuk kishte ngrënë ëmbëlsira gjatë një jave, për t’i ndihmuar “fëmijët e Nënës Tereze”..

Dr. Jon Sannes, kryetari i Komiteti Nobel për Paqe, në përshëndetjen lamtumirëse, ndër të tjera tha kështu: “Ne vërtet nuk dimë cilët janë ata që janë nderuar, ne apo Nëna Tereze, që ka marrë Çmimin Nobel. Ne dëshirojmë ta falënderojmë përzemërsisht Nënën Tereze, që e pranoi Çmimin Nobel për Paqe, prandaj tani vlera e këtij Çmimi është rritur jashtëzakonisht shumë... Mendoj se ajo mund të jetë ndihmë e madhe për ne, duke na dhënë ndonjë, sugjerim, që është zakoni dhe tradita jonë”.

Dhe vazhdoi: “Do të ishte mirë dhe më thjesht sikur ajo ta merrte këtë Çmim prapë” (tha këtë më buzëqeshje, mbase edhe me pak shaka).

Nëa tereze në përshëndetje na tha: “Tash po shkoj për disa ditë në Romë, te motrat e mia. Pastaj do të takohem edhe me Papën Gjon Pali II. Kam vendosur të tërhiqem nga jeta publike si dhe nga udhëheqja e “Misionareve të Dashurisë”. Do t’iu kthehem të gërbulurve tanë!”.

Ashtu edhe kishte bërë. Mirëpo Papa Gjon Pali II nuk ishte i mendimit dhe pëlqimit që Nëna Tereze të tërhiqej nga jeta publike. Ai në emër të Kishës Katolike, si dhe në emër personal, i kishte thënë: “Nënë, Ju jeni dëshmitare e dalluar e Krishtit dhe Ungjillit të tij. Mu për këtë Ju duhet të shkoni kudo që ju thërrasin për të ungjillëzuar dhe dëshmuar dashurinë e Zotit të gjithëve...”

Pas kësaj bisede dhe takimi me Papën, Nëna Tereze e kishte ndërruar mendimin dhe vendimin e saj.

Këta dy njerëz të Zotit, ishin dhe mbesin “dueti i Zotit” nëpër rrugët e botës, Shën Gjon Pali II dhe Shën Nëna jonë Tereze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat