Kështu fliste prof.Hadri!

Opinione

Kështu fliste prof.Hadri!

Nga: Esad Dujaka Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 23:16
Ali Hadri

“Studimi, shkenca dhe dija janë fundament intelektual i një shoqërie për të krijuar platforma për krijimin e një shoqërie të emancipuar politikisht... ”

Kështu fliste dikur akademik Ali HADRI. Këtë thënie të tij ma kujtoi miku im nga rinia dhe “Rilindja”, Jusuf Buxhovi, i cili shtoi se mburret jasht masës që profesor Hadrin e kishte mentor të temës së tij të magjistraturës Mbi shqiptarët në dokumentet gjermane.

”Kjo që ka thënë i nderuari akademik Hadri, sipas historianit Buxhovi, sot jo vetëm që u harrua, por tash po veprohet e kundërta: Rrënoje shkencën, rrënoje dijen dhe rrënoje sistemin arsimor dhe edukativ në përgjithësi  - që të shpërlahet truri i të rinjve për mos me qenë në gjendje me ba dallimin midis vlerës dhe jo vlerës, etj, etj.”

Këto që i biseduam me z. Buxhovi, më shtyrën që sot të zbres këmbë nga Kodra e Diellit e të ndalëm para përmendores së që gjendet para Bibliotekës Studentore, godinë kjo që ishte nisur nga themeli me përkushtimin që në te të vendoset Instituti Historik, por histori e gjatë pse Instituti ngeli në godinën e Arkiveve të Kosovës kurse kjo godinë u shndërrua në Bibliotekë Universitare-Studentore .

E kur jemi te Instituti Historik, mirë që e përkujtojnë me nder e si e ka merituar akademik Hadri, por hiç  më shumë nuk kemi në Kosovë lidhur me veprën dhe punën akademik të këtij kolosi të shkencës sonë në Kosovën e fundshekullit të kaluar, nëpër të cilën kaloi me shumë kujdes, vështirësi e sakrifica edhe akademik Hadri, apo Vllaçko siç e quanim ne miqtë e tij, që nuk i ndante as në të rinj e në të moshuar...

Nuk e di se pse më shkoi syri e mu ndal te dora e tij e djathtë dhe gishti i tij...Ka ngelur një rrëfim (i përfolur në variante të ndryshme), që ende në mesin e gjeneratës sime por edhe më të moçëm që ende janë gjallë se Vllaçko në ato kohët e të të ashtuquajturit “diferencim politik” ishte në maje të thumbit, ai dhe vepra e tij që u cilësua fund e krye nacionaliste dhe shumë e rrezikshme për ”vëllaznim-bashkimin” e asaj kohe...Në mbledhjen e fundit për dhe kundër Vllaçkos, ishin ngritur gishtat për ta përjashtuar atë nga LKK e nga funksionet e tjera, e në mesin e tyre më i zëshmi që kishte rrëzuar gurë e bërboça mbi personalitetin e akademikut të nderuar kishte qenë edhe një (fatkeqësisht) një kuadër i ri shqiptar (se meriton t’i përmendet emri). Dëshmitarët e kësaj mbledhjeje madje-madje edhe historike për të ardhmen e këtij vendi, të intelektualëve shqiptarë siç ishte edhe akademik Hadri, e kujtojnë se Hadri kishte ngritur zërin pa drojë e me plot ironi e sarkazëm ia kishte kthyer aktivistit partiak: ”Ruaj për vete ata gishta se ndoshta do të duhen njëherë tjetër ! ”

*    *    *

“Aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë do të ndaj fatin tragjik të popullit tim…“

Kështu fliste Vllaçko, pra akademik Ali HADRI! Këtë thënie të tij e ndeshim në fund të pllakës së përmendorës së tij që ka zënë vend në këtë pjesë të Prishtinës, në oborrin e Bibliotekës studentore dhe përballë Menzës së studentëve, të studentëve që aq shumë i respektoi dhe e çmoi e të cilët sa qe gjallë në të njetën masë ia kthyen…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat