Ballkani Perëndimor pjesë vitale e Europës

Opinione

Ballkani Perëndimor pjesë vitale e Europës

Nga: Nasho Bakalli Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 18:46
Nasho Bakalli

Hashim Thaçi, presidenti i Republikës të Kosovës,  përmes një postimi në Facebook, kumton se është takuar, në 18 nëntor 2019, me Edi Ramën, kryeministër i Republikës të Shqipërisë, dhe kanë biseduar " për avancimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e hapave në zhvillimet e reja ndërkombëtare, për të mbrojtur dhe promovuar sa më mirë interesat e shteteve dhe të qytetarëve tanë”.

Cilat janë disa nga "... zhvillimet e reja ndërkombëtare..." që H. Thaçi mund ti ketë biseduar me E. Ramën, dhe anasjelltas.           

 Lidhja e organizuar mes shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet edhe më e çmuar në ditët e sotme kur, gjëndja e kontinentit tonë vazhdon të jetë e pasigurtë  në pikën e saj më të lartë. Tipari më karakteristik  që përmbledh dhe shpërfaq kjo gjëndje është se shtetet e Europës  kur bisedojnë mes tyre nuk e dinë mirë nëse po llafosen me një shtet mik apo me një shtet kundërshtar. Paçka se, të gjitha këto shtete qeverisen me të njëjtin sistem politik, ekonomik, shoqëror. Konkretisht. Franca, Gjermania, Italia dhe anasjelltas, sa herë që është fjala për zgjerimin e BE, me shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashkët  mes tyre qoftë për: Jo-në, qoftë për: Po-në. Franca  kërkon - mbase -  të realizojë  edhe me Italinë atë politikë rrethuese  që ka pas ndjekur me Gjermaninë, dhe ka krijuar lidhje më të afërta me Beogradin me qëllimin që ta rrethojë Italinë edhe nga ana lindore me "tmerrin" e botës sllave. Franca, Gjermania, dhe Italia ushqejnë ende për njëra tjetrën ndjenja të vjetra mosbesimi. Dyshimi shpjegohet edhe prej faktit se shkaqet e pasigurisë bashkëkohore europiane janë të shumta dhe komplekse aqsa, edhe Franca, Gjermania dhe Italia mbahen sot - në ekonomi, politikë, mbrojtje, çështjet nacionale, dhe të mjedisit - prej lidhje interesash veçanërisht të ngatërruara. Të paqarta janë marrëdhëniet e këtyre tre shtetevë edhe me vendet e Ballkanit  Perëndimor. Le ti lemë fjalët dhe të kqyrim faktet.

 - Franca, Gjermania, Italia janë mike të ngushta me shtetet e Ballkanit Perëndimor për sa i takon marrëdhënieve politike dhe ushtarake. Ndërkohë, ato tregohen të "matura" kur është fjala për të investuar me hov dhe drejtpërdrejt në zgjerimin, fuqizimin, përparimin ekonomik, shoqëror, arsimor, shkencor të vendeve të Ballkanit Perëndimor.          

-  Franca, Gjermania, Italia realizojnë shkëmbime ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore, shkencore ... në përmasa gjigande me Kinën dhe Rusinë. Ndërkaq, ato nuk i kurajojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor të vendosin lidhje të gjëra e të fuqishme ekonomike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën.

- Ato, e shikojnë ca si shtrembër shtrirjen dhe thellimin e influencës së gjithanëshme amerikane në vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë që,  Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO, deklaron vazhdimisht se "SHBA është shtylla kurizore e Aleancës tonë. Ne nuk do ta kishim Evropën paqësore dhe të prosperuar, që shohim sot, pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara".

Ballkani Perëndimor, pa më të voglin dyshim, është faktor paqeje në Europë. Megjithatë, ai mund të përjetojë situata edhe më të rënda ekonomike, politike, dhe ushtarake pikërisht nga shkaku i gjallërimit të mentaliteteve kolonialiste të Fuqive të Mëdha europiane, të cilat, prej shekujsh janë mësuar të luajnë mes tyre duke vënë në tavolinën e bixhozit, me gjkaftohtësinë e të vdekurit, fatin e Shqipërisë; Kosovës; Maqedonisë Veriut, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, etj.

                                                                * * *

Në këtë moment çështja që po debatohet ashpër në Europë - pjesë vitale e Europës është edhe Ballkani Perëndimor - është ajo e mbritjes të refugjatëve nga Afrika. Për këtë fenomen Silvio Berluskoni, ish kryeministri i Italisë; deputet në Parlamentin Europian, kryetar i "Forza Italia"; tha, para pak ditëve, në Canale 5, se: "Kina komuniste po kolonializon Afrikën, ngase ajo i ka shtrirë investimet e saja kolosale - edhe në sferën publike - në 47 nga 53 shtete që ka kontinenti afrikan, dhe po eksporton në Afrikë çdo ditë e më shumë puntorë  kinezë, të cilët ropaten 12 orë  në punë, me pagë mujore rreth 600 euro ... . Kina nuk e ka problem eksportin masiv të fuqisë puntore pasi ka afro 1. 5 miliardë banorë. ... . Prandaj,  refugjatët afrikanë po ikin që të mbijetojnë dhe, do mësyjnë në masë dhe paprerë Europën". 

Çfarë do të bëhet vallë Europa?  Ajo, nuk do të mund të ketë të ardhme të kthjellët në qoftë se Fuqitë e Mëdha europiane nuk likuidojnë kohën e kaluar; në qoftë se ato nuk e pastrojnë atë nga të gjitha gjëmbat dhe barnat që e helmatisin. Këto të fundit nuk do të mund të shkulen me rrënjë  për sa kohë që Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Hollanda, etj.,  ngulin këmbë që ti thonë e shkruajnë  punët dhe vlerat e tyre europiane ashtu siç atyre i'u pëlqen. Domethënë se Franca, Gjermania, Italia, Greqia, apo Holanda nuk kursehen ta lartësojë, sa herë i'u intereson,  lavdinë dhe begatinë e tyre në dëm të shteteve të tjerë, Në dëm të shteteve të vegjël e të dobët. Aktualisht, në dëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Zhvillimet e reja ndërkombëtare janë të mprehta dhe gjëndja e qytetarëve europianë është e dëshpëruar. Por, kjo situatë  nuk është arësye themelore që ti shtërngojë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kërkojnë, përtej SHBA dhe BE, një rrugë tjetër "... për të mbrojtur dhe promovuar sa më mirë interesat e shteteve dhe të qytetarëve tyre" .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat