28 Nëntori kujtesa historike që ben bashkë dhimbjen, krenarinë, qëndresën e solidaritetin panshqiptar

Opinione

28 Nëntori kujtesa historike që ben bashkë dhimbjen, krenarinë, qëndresën e solidaritetin panshqiptar

Nga: Azgan Haklaj Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 07:21
Ilustrim

28 Nëntori kujtesa historike që ben bashkë dhimbjen, krenarinë, qëndresën e solidaritetin panshqiptar.

Flamuri Kombëtar në gjysëmshtizë, Kombi Ynë zemërplagosur e shpirtërngrirë.

Bie kushtetuta e kufijtë e vendosur padrejtësisht mes shqiptarëve.

Fatkeqësia natyrore elaboron devizën:
“Një Komb – një Republikë”.

Nëntori i Pestë – Republikë të Pestë panshqiptare.

Viktimat e Kënetës së Durrësit dhe të Thumanës pësuan tragjedi të paralajmëruar për neglizhencë të pushtetit të kuislingëve dhe vishistëve.

28 nentori është dita e Pavarësisë, ditëlindja e parë e Flamurit Tonë të shenjtë e të lavdishëm që u shpalos i lirë e krenar për herë të parë nga Gjergj Kastrioti ( Skënderbeu) mbi bedenat e Kalasë së Krujës së çliruar me 28 nëntor 1443.
U përsëdyt në Vlorën e Pavarësisë me 1912 dhe në vitin 1944 me çlirimin e Shqipërisë.

28 nëntori 1955 është ditëlindja e Adam Jasharit dhe e UÇK- së së lavdishme 22 vite më parë që realizoi ëndrrën shekullore të Kosovës.
Ky është nëntori i pestë që do të memorizohet në histori, por shqiponja jonë, ky dron madhështor i qiellit Iliro-Dardano- Arbëror ka ngrirë fluturimin dhe është ulur në gjysëm lartësinë e fluturimit të zakonshëm, për të qenë më pranë nesh në këto ditë të dhimbjes së madhe.
Shqiponja e Aleksandrit të madh e Pirros së Epirit, Konstadinit të madh, Teutës e Gjergj Kastriotit, Ismail, Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Ded Gjon Lulit e Adam Jasharit është simbol i qiellit dhe qielli është i pavdekshëm.

Ashtu është shpirti madhështor i Kombit Tonë, i cili në këto ditë apokaliptike i tregoj Botës se dashuria solidariteti njerëzor dhe sakrifica sublime janë trinia e tij e shenjtë, apo misioni hyjnor që Zoti i ka ngarkuar për të deshmuar para Botës përgjatë rrugës së historisë së tij në sagën e gjatë e kasandrat e shumta.

Në virgjilje të ditëlindjes së tij Flamuri Ynë Kombëtar është ulur në gjysëmshtizë e zemrat tona janë të ngrira e shpirti ynë është mpirë nga dhimbja që ka shkaktuar termeti i tmerrshëm i së martës, bilanci i të cilit ështě tragjik.

Dhjetra të vdekur, qindra të plagosur, dhjetra ndertesa të rrenuara, qindra të tjera të pabanueshme, mijëra të pastrehë , familjet Cara e Lala të shuara nën germadha.

Është e pamundur ta përshkruash dhimbjen tek sheh, gjyshen e vdekur që ka mbështjellë nipin për ta mbrojtur, përqafimin e nënës me djalin, përqafimin e fundit të ngrirë bashkëshortor, djalin që mban për orë të tëra mbi vete babain e vdekur nën rrenoja, britmat e femijëve për ndihmë, dyluftimin e banorëve me vdekjen, ankthin e të mbijetuarve për fatin e familjarëve të tyre nën gërmadha.

Në të njëjtën kohë me goditjen brutale të natyrës u ngrit në këmbë një Komb me guxim, kurajo e solidaritet të pashembullt.
Shqiptarët i thyen rrufeshëm barrierat e kufijtë e vendosur padrejtësisht, që tani janë vetëm imagjinarë, duke deshmuar solemnisht se jemi një Komb i pandarë, me një Flamur, një Gjuhë dhe një trup i vetëm.

Në Durres e Thumanë janë Kosova, e Çamëria, Shkupi e Presheva, Deçani e Tuzi, Prishtina e Tetova, Struga e Tivari, Ulqini e Kumanova, Plavë- Gucia e Dibra e Madhe, Gjakova e Kërçova e Ali Ahmetit, Mitrovica e Gostivari, të gjithë shqiptarët e Diasporës.
Solidaritetit vellazëror shqiptar i bashkohen shtetet fqinjë të Ballkanit por dhe Italia, Franca, Gjermania, Austria dhe Amerika e madhe e lirisë dhe humanizmit. Areali i madh i vlerave të civilizimit e humanizmit është bërë njësh me Atdheun e shqiponjave.

E ndërkaq Selia e Shenjtë përmes Papës së Madh Françesku na ka blatuar lutjet e bekimin e saj në këto momente tragjike që popujt i përjetojnë njëherë në 100 vjet.

Sot nuk është koha për të festuar.
Ky 28 nëntor është e do të mbetet gjatë në kujtesën tonë historike si një ditë reflektimi, solidariteti e lutjesh.
E them së pari reflektim sepse ka ardhur koha e kujtesës historike, një analize të thellë, gjakftohtë e të paanshme për tu ndërgjegjësuar më së shumti së fati ynë është i përbashkët, se të pasur dhe të varfër, pushtetarë e njerëz të thjeshtë janë njësoj të ekspozuar para fatkeqësisë dhe vdekjes dhe vetëm të bashkuar mund të përballojmě fatkeqësi kaq të rënda, të imponuara nga forcat madhore e të pakontrollueshme të natyrës.
Teksa sheh qindramijra shqiptar nga të katër anët e trojeve etnike e nga Diaspora duke vrapuar drejt qendrave të grumbullimit të ndihmave për zonat e goditura për të dhanë kontributin e tyre bujar në veshëmbathje, ushqime mjete logjistike e para.

Kur sheh qindra familje, e biznese private që hapin dyert e zemrat e tyre për të pastrehët e termetit e kupton edhe më skeptiku së ëndrra shekullore e bashkimit tani është dizenjuar në mënyrë të pakthyeshme me ngjyrat e Flamurit Kuqezi.

Këto ditë Zoti foli shqip për ti treguar Europës e mbarë Botës se Ai i ka caktuar Kombit Tonë një mision hyjnor, të cilin Ai po e kryen më së miri.
Me devizën vëllezërit bashkë Qeveria e Kosovës, burrështetasi i saj i madh Ramush Haradinaj reaguan me shpejtësi si një trup i vetëm duke venë në dispozicion të Shtetit Shqiptar dhe të demtuarve një ndihmë të madhe financiare, forca elitë të ushtrisë, mjete logjistike, e pershtatur objekte të mëdha në Kosovë për strehim.
Çfarë përfeksioni e aftësie e ekipeve të kerkim shpëtimit demonstruan vëllezërit tanë të Kosovës e të mendosh se Kosova ka vetëm 10 vjet shtet.

Ata punuan në krah të italianëve, kroatëve,turqëve, francezëve, shtete të cilat kanë përvojë të gjatë në betejat me termetet.
Ekipe të trajnuara në nivelin më të lartë dhe mjete logjistike të fjalës së fundit, të shkencës e teknologjisë.
Është për tu nënvizuar fakti se grupeve të lartëpërmendura të shpëtimit iu bashkuan edhe ekipet greke e serbe.
Beteja kundër fatkeqësive të tilla i ngjet Maratonës së Nju Jorkut, ku marrin pjesë mijëra njerëz e rendësi parësore ka pjesëmarrja e jo klasifikimi.

Qindramijëra shqiptarë vrapojnë këto ditë e përcjellin stafetën e solidaritetit si një Pishtar Olimpik drejt Durrësit, Thumanës, Lezhes, Kurbinit, Tiranës, për të ndezur flakadanin e pashuar të dashurisë e solidaritetit njerëzor.

Sot nuk është koha e të bërit politikë por e “verteta del edhe nga varri” thotë populli ynë.
Viktimat e Kënetës së Durrësit dhe Thumanës pësuan një tragjedi të paralajmëruar nga termeti i 21 shtatorit.
Ata u braktisën nga shteti i tyre pasi specialistët e aparatçikët e Rilindjes u thanë publikisht para dy muajsh se banesat e tyre janë të sigurta.
I quaj lotë krokodili ato që demonstruan para kamërave qeveritarët, zonjat e zonjushat që na kaně grabitur pronën, votën, pushtetin, besimin, avenirin e jetës e më në fund vetë jetën, kanë shitur pasuritë kombëtare madje deshën të shisnin dhe pjesë të Atdheut tonë në akord me fqinjët tanë grabitqarë për interesat e tyre utilitare duke u damkosur nga populli si vishistë opo kuislingë.

Ka mbetur proverbiale shprehja biblike e Jezu Krishtit drejtuar popullit çifut:

” Është më e lehtë të hyjë deveja në vrimën e gjilperës sesa i pasuri në parajsë”.

Termeti që shkundi Shqipërinê i zbuloj Botës se mbi germadhat e rrënuara qëndron e shëndrit me dritë hyjnore shpirti i madhërishëm i një Kombi të lashtë e fisnik.

“Bashkimi ban fuqinë” thotë një shprehje e urtë shqiptare, e kjo na kujton ne të përkohëshmëve në këtë tokë se fuqia janë qëndron tek bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet e një flamur të vetëm që sot është ulur gjysëmshtizë në nderim të viktimave që dhanë jetën në germadhat e shtëpive të tyre.

Është koha e një Kombi e një Shteti të ri e një Republike të re panshqiptare,e cila do të jetë e aftë të mbledhë në çatinë e saj shqiptarët etnikë të Ballkanit për të ecur të sigurtë në Rrugën e Historisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat