Enver Hoxha për Kosovën, lotë zemre apo krokodili?

Opinione

Enver Hoxha për Kosovën, lotë zemre apo krokodili?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 07:28
Xhevat Mustafa

Shumë të vërteta “të varrosura për së gjalli” dhe si dokumente arkivore shprehin dhe dëshmojnë se Enver Hoxha e ka dashur Kosovën vetëm me fjalë të bukura dhe fjalime pompoze.

Një miku im nga Ferizaj, që e kishte “përtypur” me vështirësi analizën time të botuar në “BOTA SOT” më 8 nëntor 2019 me titullin “ Enver Hoxha në varr, enverizmi në pushtet”, më mori në telefon dhe më tha jo me sinqeritet të plotë se “shkrimi më pëlqeu, por ama Kosovën e ka dasht Enveri...”. Natyrisht atë ditë i dhashë një përgjigje të shkurtër. Një përgjigje më të zgjeruar po ia jap sot. Shumë të vërteta “të varrosura për së gjalli” dhe si dokumente arkivore shprehin dhe dëshmojnë se Enver Hoxha e ka dashur Kosovën vetëm me fjalë të bukura dhe fjalime pompoze.Ndërsa  me vepra të shumta, i ka bërë gjëma “historike”, me efekte dhe rrjedhoja deri në ditën e sotme. Mjaftojnë të kujtohen se në dhjetor të vitit 1944 dhe në muajt e parë të vitit 1945, Kosovën e bashkuar me Shqipërinë nga pushtuesit italianë dhe gjermanë, pavarësisht motiveve dhe qëllimeve të tyre, Enver Hoxha ia”fali” Jugosllavisë motër”.

Ky akt “bujarie|, justifikuar me ndikimin e fuqive të mëdha dhe të traktateve midis tyre, është lakuriq edhe tradhëtie kombëtare. Nëqoftëse do të kërkohet një arësye se përse e bëri Enver Hoxha këtë, nuk e kundërshtoi hapur, vendosmërisht dhe forcërisht, është e vështirë të gjendet përgjigje tjetër veç asaj se ai u lau një borxh të madh “vëllezërve jugusllavë” të tij, që e mbështetën fort dhe në mënyra kriminale për t’u bërë kryetar i PKSH-së e më vonë edhe kryeministër apo “mbret i pashpallur” i Shqipërisë. Po ta kishte ndërmend dhe  ta kishte dashur të mos e lejonte rikthimin e Kosovës në hartën dhe strukturën shtetërore të Jugosllavisë, ai mund të kujtohej edhe për alternativën e kundërshtimit me armë. Nuk mund të harrohet se në atë kohë ai pretendonte se kishte nën komandën e tij një ushtri të madhe, me jo pak forca edhe në Kosovë, në rreth 13.000 vetë. E favorizonte edhe një rrethanë tjetër historike: në Kosovë kishte gjithashtu të gatshëm për ta mbështetur kundështimin e tij edhe dhjetra mijëra shqiptarë të tjerë partizanë dhe nacionalistë vendalinj, si dhe një “ushtri rezervë, nga populli, që mund të vihej nën komandën e tij brenda pak orëve dhe padyshim, me rritje shumë të shpejtë brenda pak ditëve...

Në atë kohë Enver Hoxha kishte në duar edhe një kartë tjetër të fortë; referendumin popullor në Kosovë. Nuk mund të vihet në diskutim se rreth 90% e popullisë së saj shqiptare do të shprehtë qartësisht vullnetin e vet për të ardhmen, për shkëputjen përfundimtare nga Jugosllavia, si shtet i pavarur e për bashkim kombëtar me Shqipërinë, ashtu si kishin qenë, de facto e de jure, gjatë viteve të pushtimit italo-gjerman. Merret me mend se do të kishte kundërshtim të fortë dhe të dhunshëm ushtarak nga Jugosllavia, sidomos nga forcat ultranacionaliste, çetnike serbe, malazeze, maqedonase. Me shumë gjasa ky opsion do të kundështohej edhe nga aleatët historikë apo tradicionalë të Jugosllavisë, si Franca, biles edhe nga BS dhe Stalini personalisht, i cili, deri në fillim të vitit 1948, e llogariste edhe Shqipërinë si pjesë apo republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Por, Enver Hoxha, me vetëdije, marrëvëshje të fshehtë, llogari e dëshirë për të mos rrezikuar fronin dhe të ardhmen e tij, nuk tregoi as burrëri dhe as shqiptari për ta hedhur në tryezën e “bisedimeve vëllazërore” kartën dhe opsionin demokratik të referendumit popullor në Kosovë. “Shqiptari i madh” Enver Hoxha zgjodhi dhe vendosi të mos prishte për Kosovën, për gati gjysmën e Shqipërisë, “miqësinë vëllazërore” me shokun Tito, domethënë, shqip fare, faljen e saj “Jugosllavisë motër”.

Kjo nënkupton dhe i hap rrugën edhe dyshimit të mundshëm se ai ishte i një mendjeje me Titon, që bashkimi i Kosovës me Shqipërinë të ribëhej, kur të ishin të dyja në përbërjen e Jugosllavisë, si republikë e shtatë e saj, alternativë që gëzonte deri në fundt të vitit 1947 edhe miratimin dhe mbështetjen e Stalinit, “mikut më të mëdh të popullit shqiptar”, sipas Enver Hoxhës. Se sa shumë i deshi ai kosovarët, e shprehu edhe me sy, veshë e gojëmbylljen ndaj Masakrës së Tivarit më 31 mars 1945. Disa enveristë të pashërueshëm e mbrojnë duke përrallisur se Enver Hoxha nuk kishte dijeni dhe informacion për planin e "vëllezërve të tij serbë" në Tivar?! Vërtetë atëherë nuk kishte internet dhe celularë, por kishte radiondërlidhje të rregullt e të shpeshtë...Kolona ka bërë disa ditë rrugë nëpër Luginën e Drinit, në Has, Kukës, Shkodër...Pastaj Enveri  ka pas kohë të bollshme për t'u informuar nga të dërguarit, "sytë, veshët, duart" e tij në Kosovë, në krye të reparteve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë...Ishin pikërisht drejtuesit kryesorë të këtyre njesive që u bënë ndërmjetës apo garantë tek partizanët kosovarë për të pranuar të çarmatoseshin, duke mbetur të pambrojtur para xhelatëve serbë...

Pra, partizanët e Kosovës ishin viktima edhe të “besës që u dhanë” bashkëpunëtorët apo të dërguarit e Enver Hoxhës... Pas prishjes me Jugosllavinë, nga viti 1948 e deri sa vdiq, më mirë se shumica e aktorëve hollivudianë  dhe shqiptarë bashkëkohorë më të talentuar, ai derdhi “lotë krokodili” dhe thuri plane rimarrjeje me ushtri e me luftë, për Kosovën dhe vëllezerit shqiptarë në Kosovë. Por, ishte “kujtuar” tepër vonë. Të gjitha ishin thjeshtë fjalë të bukura nga tribunat e mitingjeve festive, nga ‘fjalimet historike’ të tij nëpër kongrese dhe nëpër fletët e librave, nga seriali i tij i veprave me kujtime dhe refleksione. Populli ka shprehjen: mos i shiko gunën, po punën! Karriera e Enverit u parapërgatit dhe u investua nga jugosllavët.

Miqësia e fortë" dhe e " pistë" me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Vukmanoviç Tempon, Velimir Stojniçin; eleminimi i disa kundërshtarëve, me akuzat e sajuara se ishin agjentë jugosllavë; veprimet dhe mosveprimet e tij për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë; izolimi i egër dhe i gjatë i vendit; qëndrimet e tij ndaj çeshtjes së Kosovës, e tj, janë arësye të bollshme për të kuptuar se njeri i të cilëve ishte Enver Hoxha. Maskën e shqiptarit të madh Enver Hoxhës ia çjerr dhe hedh në koshin e plehrave edhe një detaj tjetër shumë shprehës. Dihet se pas vitit 1948 plot shqiptarë nga Kosova vinin në “tokën amë” për të shpëtuar nga prangat dhe burgjet jugosllave. Por, jo pak prej tyre ranë nga ferri në ferr, nga qelia në qeli. Më së shumti me dyshimin e sajuar se mund të ishin “spiunë të UDB-së”, ose ktheheshin në kthetrat e saj, ose përplasesishin nëpër burgjet dhe kampet e internimit edhe më të ferrshme të Enver Hoxhës?!

Është shumë shprehës për hipokrizinë e Enver Hoxhës edhe fakti se ndërsa në fjalime dhe shkrime përgjërohej për Kosovën dhe vëllezërit shqiptarë në Kosovë, në Maqedoni dhe Malin e Zi, nuk ndryshoi rrënjësisht tekstet shkollore dhe universitare. Edhe pas vitit 1948, kur u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shteteve, në tekstet mësimore kjo nuk u reflektua në përmasat që meritonte. Kështu nxënësit dhe studentët në Shqipërinë e viteve 1950-1980-të  kishin me shumë faqe informacione biografike dhe pjesë nga krijimtaria për autorë të letërsisë së lashtë greke dhe romake, persiane, të mesjetës evropiane, për shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj italianë, francezë, spanjollë, anglezë, amerikanë, gjermanë, austriakë... të shekujve 19-20-të, por nuk kishin as nga 10 rradhë për shkrimtarët shqiptarë në Kosovë. Fjala është pë ata më të shquarit, si Anton Pashku, Din Mehmeti, Besim Vokshi, Esat Mekuli, Rifat Kukaj, Rahman Dedaj, Mark Krasniqi, Hivzi Sulejmani, Adem Demaçi, Zejnulla Rrahmani, Musa Ramadani, Rexhep Qosja, Azem Shkreli, Beqir Mysliu, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Nazmi Rrahmani...“Harresa” apo anashkalimi i Kosovës, i shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi si dhe i Çamërisë, ishin flagrantë edhe në tekstet e historisë.

Këto dy pjesë etnike të Shqipërisë përmendeshin kalimthi, në kuadër të kryengritjeve popullore që sollën shpalljen e pavarësisë së vendit më 28 nëntor 1912, ngjarje për të cilën Kosova ka dhënë ndihmesë më të madhe se pjesët e tjera të Shqipërisë etnike dhe prandaj meritonte më shumë mirënjohje dhe hapësirë. Deri nga fundi i viteve 1980-të nxënësit në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë nuk kishin informacion të gjërë e të saktë për Kosovën, për sipërfaqen, popullsinë, pasuritë nëntokësore, nivelin e prodhimit, të të ardhurave, të jetesës, për figurat më të shquara të saj në kulturë, letërsi, kinematografi, arte, shkencë, sporte...Natyrshëm dhe logjikshëm shpërthejnë pyetjet: Përse e “fali”, “shiti”, “harroi”, anashkaloi, “persekutoi” me vepra kaq të shumta Enver Hoxha Kosovën?

Përse u lejuan vetëm rreth 30 vjet pas vitit 1948 motra e vëllezër (me rast konkret e shprehës  më 1979, vjehrra ime nga Durrësi dhe motra e saj arsimtare nga Korça, mbetur në Kosovë pas martesës me një burrë fisnik prizrenas) të shikoheshin, së bashku me fëmijët, të përmbytur nga lotët e mallit, nga rreth 50 metra larg, pra, pa u përqafuar, përtej trarëve respektive në Qafë Morinë? Përse një pushtet, që vetëreklamohej deri në pështirosje si “popullor”, edhe kur iu “zbut” pak zemra për motrat dhe vëllëzërit në Kosovë, vazhdoi t’i jepte me pikatore vizat pë ata dhe të afërmit e tyre në Shqipëri dhe e bëri, paradoksalisht, tejet më depresuese se pala jugosllave marrjen e vizave?  Përse qytetarëve nga Shqipëria u jepej “porosia”, që kur të jeni në Kosovë do t’u thoni motrave dhe vëllezërve se “jetoni shumë mirë dhe nuk keni nevojë për dhuratat e tyre” e kur të ktheheni do t’u thoni njerzve të familjes se “ne jetojmë më mirë se ata”?!

Përgjigjet mund të gjenden, së pari brenda, këtu në Shqipëri, tek njerëzit e paktë që janë akoma gjallë dhe dinë shumë për Enver Hoxhën e vërtetë dhe jo atë të tribunave dhe ekraneve, të librave dhe dokumentarëve. Por, edhe në arkiva, nga aq sa kanë shpëtuar prej masakrave të urdhëruara prej tij, për t’ia zhdukur bëmat dhe gjëmat.Natyrisht, edhe jashtë Shqipërisë.Por,serbët, ashtu si ne, nuk do t’i bëjnë publike shpejt dokumentet që hedhin dritë të plotë për këtë.Po kështu, do të vonohen shumë edhe francezët, amerikanët, britanikët, rusët, italianët, grekët...Gjithsesi, me deduksione, tani për tani, mund të thuhet me bindje se veprimet dhe mosveprimet e Enver Hoxhës; eskperimentet e mënxyrshme të tij me një popull të tërë, aventurat e tij donkishoteske, qëndrimet dhe politikat e tij, çuan ujë me bollëk, më së shumti, në mullinjtë e Jugosllavisë dhe të Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat