Solidaritet i përkryer nga bashkëatdhetarët në Zvicër

Opinione

Solidaritet i përkryer nga bashkëatdhetarët në Zvicër

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 29 nëntor 2019 Në ora: 12:20
Ilustrim

Shtypi zviceran po shkruan çdo ditë për pasojat e tërmetit në Shqipëri. Ndërkohë njoftohet solidariteti i bashkëatdhetarëve me shqiptarët në Atdhe, si dhe ndihmat qe po zgjerohen edhe në radhët e miqve zviceranë. Po vihen në dispozicion mjetet për sjelljen e tyre në portin e Durrësit.

Ndërkohë shumë badhkëatdhetarë kanë kontribuar me vlera monetare. Pas tërmetit vdekjeprurës,  shqiptarët dhe miqtë në Zvicër janë mobilizuar për të ofruar mbështetje. "Vazhdojmë të  marrim  telefona për të ditur nëse ka një vend për të mbledhur ndihmat dhe vendosëm të koordinojmë", përsërit Leonard Ferati, President i CréAction Geneva, që ka projekte sociokulturore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Shoqata e tij, ajo e studentëve shqiptarë nga Gjeneva dhe Lozana, si dhe  Albinfo, mbledhin fonde për viktimat e tërmetit. Në këtë nismë është përfshirë edhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës. Klubi i futbollit “Kosova” nga Gjeneva organizon turneun tradicional të futbollit më 1 dhjetor 2019 tek Ecole mecanique, Avenue Louis Bertrand 38, Petit-Lancy. Kryesia e klubit ka vendosur që të ardhurat të dedikohen për të goditurit nga tërmeti në Shqipëri.

Në përkrahje të këtij turneu është edhe këshilli koordinues për përgatitjen e Festës së Flamurit i përbërë nga LAPSh, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, FC "Kosova", ansambli “Gëzuar”, RiniaKontakt, shoqatat “Vitia”, “Smira” dhe “Mogilla”. Edhe pse ka anuluar kremtimin e  kësaj feste, ky këshill ka siguruar një përkrahje financiare prej 4000 franga zvicerane.
Mbledhja e ndihmave filloi në mbrëmjen e së martës dhe vazhdon duke arritur më shumë se 5.000 franga. "Gjithçka nisi shpejt, komuniteti shqiptar është shumë mbështetës", tha Leonard Ferati, i cili tha se dhurimet janë realizuar edhe nga të tjerë jashtë të diasporës. Paratë do të shpërndahen në shoqatat në Tiranë dhe Durrës, rajonet më të prekura. Një mbledhje ndihmash  gjithashtu do të organizohet në xhami dhe qendra kulturore shqiptare .

"Ne shpresojmë të grumbullojmë disa mijëra franga, thotë imami Rijad Aliu. Mesazhi ynë është "Të gjithë së bashku", pavarësisht fesë ". Supermarketi Shala ofron transportin falas për ata që duan të dërgojnë ndihma në Shqipëri.

Në Lozanë, shoqatat Dona-Iliret-Teuta dhe Swiss Albania Event u bashkuan. Zëvendës-president i kësaj të fundit, Aina Hoti njoftoi një grumbullim "të veshjeve të ngrohta, veçanërisht për fëmijët, por edhe batanije dhe çarçafë. Në komunitet, të gjithë do të ndihmojnë. Shoqatat presin një përgjigje nga komuna për të përfituar një lokal ku të mblidhen donacionet.

Ndërkohë Zvicra ka dërguar edhe specialistë të tjerë të Njësisë Zvicerane të Ndihmës Humanitare që mbështesin ekipet shqiptare të shpëtimit në terren. Kanë shkuar edhe avionë me ndihma nga Zvicra. Kombet e Bashkuara kanë shpënë ekspertë për të ndihmuar në koordinimin e pasojave në rast të katastrofave të tilla.

Përgatitur nga Alfred Papuçiu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat