Kush i shkaktoi viktimat, tërmeti apo politika

Opinione

Kush i shkaktoi viktimat, tërmeti apo politika

Nga: Skender Musliu Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 08:55
Skender Musliu

Fatkeqësitë natyrore, sikurse tërmetet, zjarret apo vërshimet dhe të tjera, janë fenomene  pothuajse të zakonta dhe fatkeqësisht faktori njeri  është  i pafuqishëm të ndikojë në ato, por me marrjen e masave preventive dëmet mund reduktohen.

Sipas shumë ekspertëve vendorë por edhe ndërkombëtarë,  në Shqipëri janë të parapërcaktuara zonat që konsiderohen si të rrezikuara nga tërmeti, ndër të cilat është edhe ajo e Durrësit.

Vlenë të theksohet se që në kohën e komunizmit Instituti seizmologjik i shtetit dhe istitucionet përkatëse dhe kompetente kishin ndaluar ndërtimin e objekteve në zonat bregëdetare e në veçanti në zonën e Durrësit si vënd më i rrezikuar nga tërmetet.

Parashtrohet pyetja se si dhe çka ndoshi që në këto zona të ndaluara të ndërtohen objekte, e sidomos objekte të larta. Rezulton se kjo  ndodhi nën ndikimin e lobit të oligarkëve  në lidhëshmëri me politikanët, pas viteve të 90-ta me të madhe filluan ndryshimet e planeve urabanistike, transformimin e tokave bujqësore në toka për ndërtim, zonat ranore të bregëdetit u transformuan në toka të ndërtimit, duke abuzuar me tranzicionin  në kurriz të qytetarëve. Fatkeqësisht kjo situatë po zgjatë tanimë tri dekada pa ndërprerë duke masakruar tokat, natyrën dhe pasuritë e Shqipërisë.

Në kohën e komunizmit edhe përkundër kushteve të vështira ekonomike, situata e krizave gjatë fatkeqësive natyrore është menagjuar në mënyrë më të organizuar se sot. Këte e vërtetoi tërmeti i 26 Nëntorit 2019, me ç’rast dolën në shesh të gjitha mangësitë organizative për menagjimin e kësaj fatkeqësie. Sikurse që banorët u kapën në gjum ashtu edhe institucionet mbetën në gjum deri sa nuk u erdhi ndihma nga jashtë. Nga ky tërmet humbën jetën 51 persona, afro 900 u lënduan dhe 47 u shpëtuan nga rrënojat.

Fillimisht qeveria shqiptare shpalli gjendje të jashtëzakonshme duke tejkaluar kompetencat e saja, sepse gjendja e jashtëzakonshme propozohet nga qeveria, Kuvendi e miraton dhe pastaj presidenti e dekreton, kurse më vonë ajo shpalli gjendje emergjente.  Së pari emergjencat i udhëhiqte ministrja e mbrojtjes duke raportuar kohë pas kohe për situatën në terren,  kurse pas tre ditësh si  koordinator u caktua ministri i bujqësisë i cili nuk ka kapacitetet e nevojshme dhe strukturën  organizative për menagjimin e emergjencave, prandaj kjo edhe shpjegon faktin se qeveria është treguar shumë e papërgatitur, joprofesionale dhe e papërgjegjsjme karshi situatës.

Situata e emergjencave është e rregulluar me ligj, ekziston Shtabi i emergjencave që ka strukturën e saj organizative dhe komanduese me kompetenca të qarta se si duhet vepruar në rast nevoje. Qeveria shqiptare menjëherë pas tërmetit është dashur t’a aktivizojë  gjendjen emergjente, por kjo tërësisht dështoi.

Mirëpo situata filloi të hyj nën kontrollë duke iu falemnderuar organizimit të shpejtë të qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila që në orët e para të tërmetit dërgoi njësitet e specializuara ushtarake, policore, ekipe të emergjencave dhe inxhinier të ndërtimit, si dhe falë ekipeve të specializuara nga Turqia, Greqia, Zvicra Rumunia dhe shtete tjera.

Falë këtij solidarizimi dhe organizimi të këtyre ekipeve, në terren  u shpëtuan shumë persona nga gërmadhat.

Sipas ekipeve të kërkim-shpëtimit,  ky tërmet po ashtu nxorri në shesh, përveç mosorganizimit, edhe ndërtimin stihik, pa kriter dhe pa kurfar kontrolli të objekteve, me lejendërtime abuzive, të ndërtuara me materiale të dyshimta, jocilësore dhe në mënyrë joprofesionale.

Sikur të ishin respektuar rregullat dhe normat seizmike të ndërtimit në zonat e ndaluara, sot nuk do të ndodhte kjo katastrofë. Prandaj lirisht mund të themi se pasojat e tërmetit më shumë janë si rezultat e mafijas urbane ose lidhjes se ngushtë mes politikanëve me oligarkëve, se sa rezultat i tërmetit.

Përgjegjësia direkte bie mbi politikanët të cilët jo vetëm që kanë patur obligim ligjor të marrin të gjitha masat preventive për parandalimin e këtyre pasojave, por ata i kanë kontribuar kësaj situate.

 Në vend që politika t’a luftojë krimin e organizuar dhe korupsionin, fatkeqësisht ajo është bërë pjesë e saj. Ata me qëllime përfitimi, kanë manipuluar me planet urbanistike, në mënyrë abuzive kanë dhënë leje për ndërtimin e objekteve që nuk është dashut të ndërtohen, nuk kanë kontrolluar kriteret dhe parametrat e përcaktuara me ligj, duke  mbyllur sytë para interesave të oligarkëve.

Këtë përgjegjësi duhet t’a mbajnë të gjithë politikanët që u bënë ortak me oligarkët duke krijuar mafën urbane, mafiën e koncesioneve, mafijën e tenderëve, mafiën e  krimit dhe të drogës.

Kryeministri shqiptar sikurse t’i kishte zbatuar dispozitat ligjore me kohë, sot nuk do të ishte omniprezent në vendet e prekura nga tërmeti, por do të ishte në krye të menagjimit të situatës, kurse në vend të tij, në terren duhej të ishin specialistët e ndërtimit dhe prokurorër e shtetit duke ndërmarrë masat e nevojshme për përgatitjen e dokumentacionit për ngritjen e aktakuzave për personat përgjegjës që e sollën popullin në këtë situatë të vështirë dhe dramatike.

Është e papranueshme  refuzimi i kryeministrit shqiptar të pezullojë  përkohësisht  të taksës në autostradën e kombit duke thënë se mbase kanë mundësi të sjellin ndima ata mund t’a paguajnë edhe taksën, apo kosovarin t’a quaj patriot me pixhama. Si duket ai më lehtë e ka që mediat, gazetarët dhe analistët t’i quaj, kazana, legena, Kadria, kçk, ose të dakordohet për ndarjen e Kosovës, krijimin e mini Shengenit, me çka do t’a forconte Serbinë, apo t’ia falë një pjesë të deti shqiptar Graqisë, sesa të merret me gjërat jetësore të shqiptarëve siç është ekonomia, shëndetësia, arsimi ose politikat sociale.  

Pas tërmetit në Turqi në vitin 1999, drejtësia turke arrestoi afër 300 persona, ndër të cilët 190 qeveritar, kryetar bashkie, ndërtues, zyrtarë dhe  urbanist të cilët u dënuan nga 15 deri 20 vite burg, kjo për shkakun se oligarkët ishin lidhur me qeveritarët duke dhënë leje pa u respektuar  normat ligjire të ndërtimit.

Prandaj tani është momenti i fundit që edhe në Shqipëri mafia të përgjigjet para drejtësisë dhe tash e tutje të respektohet ligji i ndërtimit.

Është për të përgëzuar dhe falemnderuar të gjithë ata që dhanë dhe vazhdojnë të japin ndihma, sidomos ato financiare, por këto ndihma do të kishin arsye dhe kuptim vetëm nëse përgjegjësit e kësaj katastrofe vihen para drejtësisë, ndryshe  do të konsiderohej se po financohet mafia urbane apo politikanët dhe oligarkët.

Duhet çmuar dhe vlerësuar shume punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit për punën e tyre të palodhshme si dhe të falemnderohet të gjithë ata që strehuan popullatën në nevojë.

Në këto momente të vështira sigurisht se mendimet e të gjithë shqiptarëve janë me familiarët e viktimave, prandaj ata që humbën jetën Zoti i mëshiroftë dhe i shpërbleftë me parajsë kurse të lënduarit të shërohen dhe rehabilitohen sa më mirë dhe sa më shpejt.

Zoti i ndihmoftë dhe bekoftë shqiptarët kudo që janë.

01.12.2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat