Në ditëlindjen e Dr. Rugovës, Kosovës po i kthehet shpresa me koalicionin VV-LDK

Opinione

Në ditëlindjen e Dr. Rugovës, Kosovës po i kthehet shpresa me koalicionin VV-LDK

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 2 dhjetor 2019 Në ora: 13:37
Ibrahim Rugova

Duket se 2 dhjetori është datë e bekuar për popullin shqiptar në Kosovë. Derisa po përgatitemi që sot me 2 dhjetor të nënshkruhet marrëveshja për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, po në këtë datë, në vitin 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, u lind arkitekti i pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në çdo 2 dhjetor shënohet ditëlindja e Presidentit, jo vetëm nga përfaqësuesit e LDK-së, por edhe nga i gjithë spektri politikë dhe qytetarët e vendit. Kjo datë, ndonëse jo zyrtarisht, ka marrë formën e një date të shënuar në kalendarin e festave shtetërore. Përveç se vizitohet varri i Dr. Rugovës, gjithashtu mbahen edhe manifestime të ndryshme.

E gjithë kjo si shenjë falënderimi për kontributin e paçmuar që Dr. Rugova ka dhënë për Kosovën, e cila falë urtësisë, vizionit të tij, arriti të përfitoj miqtë e botës e të cilët edhe ndihmuan që sot të jemi të lirë. Edhe kundërshtarët e tij të dikurshëm, për çdo 2 dhjetor bëjnë homazhe tek varri i tij për ta falënderuar, andaj kjo datë vetëm sa ka marrë atributet e një datë të shenjtë dhe të shënuar në historinë e popullit të Kosovës. Si për t’i dhënë madhështi kësaj date, pikërisht sot në këtë përvjetor të ditëlindjes së Dr. Rugovës pritet të nënshkruhet koalicioni mes VV dhe LDK. E gjithë kjo vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar për “formulën” se si do të ndahen ministritë ndërmjet këtyre dy partive. E gjithnjë sipas zërave thuhet se do të jenë gjithnjë 12 ministritë, që pritet të ndahen kësisoj: 5 për Vetëvendosjen, 5 për LDK-në dhe 2 për minoritetet, 1 për minoritetin serb dhe një për minoritetet tjera.

Por, pse është kaq i rëndësishëm ky koalicion për Kosovën, pse nuk është si gjithë të tjerët, dhe pse këtë 2 dhjetor kjo ngjarje e bën kaq madhështore? Këto do të mund të ishin pyetjet e rëndomta që mund të dëgjojmë nga secili qytetarë i vendit tonë. Arsyet janë këto, ndër të tjera: LDK shquhet si parti që kultivon një frymë tjetër qeverisës nga PDK, si oponenti i saj kryesor. Pastaj kjo parti po dominohet nga të rinjtë, të cilët kanë mentalitet dhe vizion tjetër qeverisës, jo si deri tani ku është vjedhur dhe zhvatur buxheti dhe shteti. Prandaj, shpresat e qytetarëve janë se më të rinjtë në LDK, vendi do të shkoj tutje. Pastaj Vetëvendose nuk ka qenë asnjëherë në pushtet, dhe gjatë kohës sa ka qenë në opozitë ka dominuar me fushatën e saj kundër vjedhjes dhe protestave me moton “hajnat në burg” duke aluduar tek qeveritarët.

Pastaj, duke shtuar këtu profilin e Albin Kurtit, njeriut të pa kompromis ndaj korrupsionit, ka qenë edhe kërkesë nga elektorati i të dyja partive për koalicion. Ky koalicion presupozohet se do të jetë tandemi shkatërrues të segmenteve të së kaluarës, çkapjës së shtetit nga oligarkia, mundësia për biznes për të gjithë qytetarët, dhe rikthimi i dinjiteti të qytetarit. Pritjet janë shumë të mëdha, aq sa nga tabori i të dyjave partive janë të bindur se do të qeverisin shkëlqyer, aq sa ky koalicion do të vazhdojë jo vetëm në një mandat, por edhe më gjatë. Derisa pritjet janë shumë të mëdha, megjithëse me shkop magjik gjërat nuk mund të zgjidhen, gjithsesi pritet një ndryshim pozitiv qeverisës, pikërisht duke besuar në kualitetin që ofrojnë të rinjtë nga dy partitë. Derisa Kosova së shpejti pritet të ketë qeverinë e re, njëkohësisht shpresën e re, gjithashtu është e udhës të proklamojmë besimin së gjërat do të ndryshojnë.

Ky koalicion nga qytetarët shihet si shpresa e fundit, e cila nëse dështon, e zbrazë Kosovën përfundimisht. Por, këtë nuk duam ta besojmë, nësë për asgjë tjetër, së paku për faktin se 2 Dhjetori i Dr. Rugovës do ta bekojë këtë datë të rëndësishme për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat