A po t’vjen marre Ministër?!

Opinione

A po t’vjen marre Ministër?!

Nexhat Haziri Nga Nexhat Haziri Më 3 dhjetor 2019 Në ora: 20:33
Shyqiri Bytyqi

Rezultati në testin e PISA-s dhe pozicionimi i Kosovës në vendin 77, nga gjithsej 79 vende të botës, sot është dashur të skuqet prej marrës ministri Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi. Por, kë e ka mbytur marrja në këtë vend, në një shoqëri, e cila ka kohë që ka pranuar të nëpërkëmbet nga “Shytat” e “Shyqat”. Një vend ku Ministria e Arsimit, universitet publike, shkollat, i tërë sistemi publik i arsimit u shnëdërruar në ofertë për blerje votash, një lloj “tyxharllëku” politik, qoftë përmes punësimeve, avancimeve, regjistrimeve të studentëve, e dikasteri i ministrisë në një mëhallë akraballëku dhe militantizmi partiak, kunatizimit, kushërizimit, dhëndërzimit, tezeizimit, “zyrtareve- eksperteve t’lartë” që vjedhin një palë brekë “midis’ Brukselit. Vend ideal për organizimin e “synetive” pasi pa hequr “zahmet” për të bërë ftesa e organizime në restaurante, mjafton trokitjet në derë apo me telefon nga zyra në zyre e drejtë të gjithë në kabinetin e ministrit, aty ku do të duhej të bëhet “ahengu” i madh. Aty, në ministri ka pasur vend për të gjithë, përveç jo ekspertëve dhe profesionistëve, njohës të fushës së arsimit. PISA, edhe një herë na e beri të qartë se sistemi arsimor është kapur nga “pisat” për tas bërë “pis e pus”. E mos të flasim për sektorin privat, ku gjendja është “qelbëzuar” si rezultat i themelimit dhe akreditimit të Universiteteve, më vonë Kolegje Private pa asnjë kriter, vetëm në bazë të “jaranive”, punësimeve të  dashnorëve dhe grave të politikanëve të fuqishëm, duke i shnëdërruar në fabrika që prodhojnë diploma dhe analfabet funksional. Një mundësi që edhe truprojat e politikanëve të caktuar të bëhen doktorë shkencash, që dikur katuni i ka njohur si “harambasha” e hajna t’pulave.

Dhe sipas këtyre të dhënave që janë publikuar sot nga PISA për testin e vitit 2018, në krahasim më krahasim më rezultatin e vitit 2015, Kosova nuk ka shënuar përmirësim.

Madje, në disa lëmi ka edhe rënie. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA ka radhitur Kosovën në vendin e tretë nga fundi duke lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. Testi PISA mat aftësitë e nxënësve në moshën 15 vjeçare në matematikë, shkencë dhe lexim, etj, duke pasqyruar gjendjen reale se Kosova është po aq në gjendje të keqe siç e kishte lënë paraardhësi i Bytyqit, Arsim Bajrami.

Por, degradimi i arsimit në Kosovë, nuk ka filluar vetëm me ministrin Shyqeri Bytyqi, por ky sistem kalbëzimin e tij e filloi para një dekade duke vazhduar “deregjen” e vet për gjithë këto vite nën qeverisjen dhe udhëheqjen e PDK-së, për arsyet që i thamë më lartë.

Veçmas në periudhat kur kryeministër ishte presidenti aktual Hashim Thaçi, i cili nga “etja” e tij për “dije” patë filluar me hapje të Universiteteve Publike në çdo qytet të Kosovës, dhe sikur t’i premtonte vetëm edhe për pak ditë mandati si kryeministër, nuk ka qenë fare habi që një Universitet Publik  të kishim edhe në Skenderaj a Drenas me emrin “Universiteti i Drenicës”, me rektor Dr. Mr. Ramiz Lladrovcin e tipat e tillë si rektori i Universitetit Publik të Gjakovës “Fehmi Agani”, dostin e Rrahim Hashimit, të dyshuarit për mashtrim dhe marrje të ryshfetit, Artan Nimani, i cili ishte gjykuar si i akuzuar për tentim vrasje, apo edhe ndonjë Universitet Publik  në Shtime a n’ Han t’Elezit.

Për një dekadë e më shumë, sistemi i arsimit asnjëherë nuk u trajtua me prioritet, si një nga fusha me rendësi shtetërore e kombëtare.

Thjeshtë ishte vetëm një nga pjesë e ndarjes së “kulaçit” të pushtetit siç ndodhi në kuadër të pazareve politike në mes të PDK-së, AAK-së e Nismës për ndarje të përgjegjësive në ekzekutiv në 2017-ën. Hisja për qeverisjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, i kishte rënë bashkë partiakut të Fatmir Limajt, Shyqiri Bytyqi, një partie të rastit që është “shitore” për t’i përmbushur nevojat financiare dhe mundësi për “trashje” të kapitalit përmes tenderëve për Fatmir Limajn, familjes së tij dhe klanit të tij të ngushtë.

Përveç rezultateve skandaloze në PISA, gjatë qeverisjes së “panistëve”, Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar edhe nga dy organizata ndërkombëtare të cilësisë, EQAR dhe ENQA, e po ashtu këtë vit akademik nuk u akredituan  nga Këshillit Shtetëror të Cilësisë tri Universitet Publike si Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (emërtim me emrin e një personaliteti që nuk ka ditur shkrim e lexim), atij në Pejë “Haxhi Zeka”, dhe atij  në Prizren “Ukshin Hoti”. Bile kryeministri i ynë në detyrë Ramush Haradinaj, si njeri “me shkollë t’madhe” anëtarët e KSHC-së i kishte quajtur mercenar e mafioz.

 E sot, duhej të kërkoj falje publike edhe Rramhan Jashari, si “bajraktar” i  SBASHK-ut, i cili këtë organizim sindikal e politizoi dhe e instrumentalizoi për nevojat politike si pjesë e koalicionit PAN, në veçanti për llogari të PDK-së. Rezultati i PISA-s, e nxori po aq “pis” sa edhe vet ministrin Shyqyri Bytyqin, paraardhësin e tij dhe gjithë qeverinë e “panistëve”, duka mos ua arsyetuar grevat “sindikalistëve” për rritje pagash, që më shumë ishin si një presion i PDK-së për ta disiplinuar kryeministrin Haradinaj, se sa “halli” i mësimdhënësve, e Jashari ishte pozicionuar fortë në “istikamet’ e PDK-së.

Sot pas këtij raporti të PISA-s, për habi, ministri Bytyqi doli pa fije keqardhje dhe deklaroi se ai kishte pritur një rezultat pozitiv, por pa thënë asgjë, se çfarë kishte bërë për të pasur një vlerësim më ndryshe seç që doli .

Për gjithë atë çfarë mund të mbahet mend ministri Shyqri Bytyqi për dy vite në udhëheqje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është halli për vetën e tij, për t’u dukur më ‘shmeki”, e kishte quar në realizimin e një operacioni estetik në hundën e tij. Por, jo edhe në intervenimin për ta ndalur degradimin e sistemit të arsimit, pasi sigurisht në një gjendje të tillë siç është i degraduar dhe i kalbur, i ka leverdisur më shumë. Sa më e keqe gjendja, mundësia më e madhe për kërkesa buxhetore, por jo për ta përmirësuar gjendjen, për ta trashur xhepin personal, të liderit e të partisë. Dhe ky është modeli i qeverisjes në Kosovë dhe jo vetëm në sistemin e arsimit.

Dhe krejt në fund, a po të vjen marre Ministër!?

Mbase marrja është për ata që kanë marre, e ti dhe dostat e tu në qeveri e parti, në atë të dikurshmen, e tani në këtë të  fundit (ka aderuar në AAK), ka kohë që ju ka humbë, apo edhe nuk keni pasur kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat