Pa pazar politik me marrëveshje politike për postin e Presidentit të Kosovës

Opinione

Pa pazar politik me marrëveshje politike për postin e Presidentit të Kosovës

Nga: Prof dr Riza Smaka Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 18:55
Prof dr Riza Smaka

•    Kushtetuta
Termi kushtetutë rrjedhë nga latinishtja dhe në kontekste të caktuara shpreh kuptime të ndryshme., siç është fjala strukturë, ndërtesë, kompozitë, formacion, figuracion (Eng: composition, makeup, construction, structure, configuration, figuration, formation, texure, pshysical condition, ..). Në jurisprudencë dhe judikaturë, termi kushtetutë e ka domëthënien e aktit politik e juridik më të lartë me të cilin rregullohet juridikisht shteti i caktuar si dhe të ligjit suprem të shtetit demokratik (Eng: governing charter, charter, fundamental principles, basic laës).

Në përgjithësi, kushtetuta në shtetin demokratik është ligji suprem i shtetit sipas dhe në bazë të të cilit duhet të krijohen të gjitha aktet ligjore e nënligjore dhe të njëjtat të zbatohen në praktikë gjithnjë në harmoni madje në koherencë me frymën e kushtetutës.

•    Marrëveshja politike
Marrëveshja, në përgjithsi, është akt i akordimit, harmonizimit, bashkërenditjes së shumë persona apo entitete legale apo natyrale si subjekte të saj. Varësisht nga natyra, karakteri, roli i marrëveshjes ajo mund të jetë dypalëshe apo shumëpalëshe, morale, juridike, politike, gjentlemene. Marrëveshja, në raste të caktuara, shprehet në  formë të kontratës, akordit, agrementit, mirëkuptimit të ndersjellë, harmonisë, përputhjes së mendimeve apo të ideve ( Eng: mutual understanding, accord, concord, concordance, harmony, concert, conformance, compatibility, correspondence ,similarity, meeting of the minds...). Marrëveshja, konform me natyrën, karakterin e rolin qe e ka, po që se është në  harmoni, fillimisht, me kushtetutën e rrjedhimisht me aktin ligjor përkatës, obligon moralisht, politikisht, juridikisht. Për dallim nga marrëveshja juridike, e cila, vetëvetiu është Pacta Sunt Servanda apo kontratë dhe, si e tillë, obligon juridikisht Nolens Volens, marrëveshja politike, morale apo gjentlemene detyron vetëm politikisht përkatësisht moralisht por nuk ka instrumente imperative për realizim në rast të dështimit të aplikimit apo të sëndërtimit të plotë. Ndryshe, në shtetin e së drejtës ,nëse marrëveshja, cila do qoftë, do t’ishte në kundërshtim me rendin juridik të përbërë nga aktet juridike të përgjithshme në aplikim, a priori, do të cilësohej juridikisht e pa vlerë dhe, jo që nuk do të aplikohej, por, do të sanksionohej dhe subjektet e saj do të ndëshkoheshin. Marrëveshjet politike nuk janë akte juridike ndaj, si të tilla, nuk obligojnë legalisht. Marrëveshjet politike do të duhej të afirmoheshin dhe të aplikoheshin vetëm në funksion të konstitucionalizmit e të legalitetit apo thënë më shkurtë në favor të ofrimit të mekanizmave e instrumenteve sa më aportune për përfillje e implementim të kërkesave juridike imperative. Pra marrëveshjet politike preferohet të aplikohen vetëm në funksion të  zbatimit sa më konsekuent e konsistent të ligjit në fuqi por kurrsesi jo në të kundërtën nëpërmjet mbivënieve të provizioneve të tyre mbi ato të kushtetutës apo të ligjit në aplikim.

•    Marrëveshjet politike në vendin tonë, jo rrallë herë, të dëmshme e të kundërshtueshme me Kushtetutën
Gjatë periudhës 1945- 1999 ,jo vetëm në Kosovë, por, edhe në ish YU II e në konstitutentët e saj, rëndom, praktikohej qe, paraprakisht të bëheshin marrëveshje politike edhe kur ishin në kundërshtim me rendin juridik ,me qellim të miratimit të vendimeve të caktuara. Në atë mënyrë, me marrëveshje politike paravendosej për çështje politike sensitive, ashtu qe, rrjedhimisht, aktet, vendimet e veprimet e caktuara duhej të bëheshin jo sipas ligjit në aplikim por konform me “ qëndrimet politike” të shprehura në marrëveshje politike të caktuara! Së andejmi, në bazë të marrëveshjeve e qëndrimeve politike të strukturave politike e shtetërore, nder të tjera , gjatë dekadës së tetë të shekullit të kaluar, në kundershtim me rendin juridik të shtetit federativ në të cilin Kosova ishte një nga tetë konstitutentet, ka qenë imposicionuar reduktimi i autonomisë politike e kushtetutare të Kosovës në nivelin e autonomisë territoriale – administrative! Pos 11 ish delegatëve të Kuvendit të Kosovës, delegatët shqiptarë tjerë në vend të Kushtetutës e kanë pas përfillur qëndrimin politik të përcaktuar me marrëveshje politike për vendim regresiv të tillë.

Për të qenë ironia irrituese sarkastike edhe më e madhe, delegatët – deputetët votues pro suprimimit të autonomisë politike – kushtetutare të- Kosovës, publikisht agjitonin e propagandonin tezën se Kosova me asofarë ndryshimesh statusore “nuk ka humbur asgjë” !!! Ngjashëm edhe në vitin qe kaloi pos deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosja e liderit të saj, 80 deputetët e partive politike parlamentare të nxitur fuqishëm nga liderët e tyre e patën votuar pro ratifikimin e Marrëveshjes “për Demarkacionin” e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi e cila ishte e gabuar dhe e dëmshme për territorin e bvendit tonë për mbi 8000 hektarë. Prapë, për të qenë ironia bizare, sikunder ish deputetët votues të “ demarkacionit” të legjislaturës së mëparshme tok me liderët e partive politike të tyre, publikisht, madje me vetëmburrje, deklaronin e deklarojnë së Kosova nuk ka humbur territor dhe se nuk lejojnë copëtim të vendit...

”Marrëveshja në fjalë ishte dhe mbetet jo për demarkacion kufitar por për ridelimitacion – ricaktim të gabuar e të dëmshëm të kufirit me atë qe demarkacioni – shënjimi i linjës kufitare do të duhej të bëhej brenda dy viteve nga data e ratifikimit të asaj Marrëveshjeje u muar vesh përgjatë linjsë së ridelimituar sipas së cilës vendi ynë pa kthim i humbë mbi 8000 hektarë!

•    Koalicioni pa “marrëveshje politike” përkitazi me postin e Presidentit të Republikës

Së pari, nuk do të duhej të trajtohej çështja e postit të Presidentit të Republikës në bisedimet për koalicionin e mundshëm ndermjet LVV dhe LDK-së , subjekteve politike me numrin më të madhë të votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Sëpakut nga shkaku se në zgjedhjet e përgjithshme të rregullta apo të parakohshme nuk diskutohet as nuk votohet dot për postin e Presidentit por vetëm për mandatet e deputeteve e të deputetëve të Kuvendit të RK-së! Pra, posti i Presidentit nuk është subjekt as i zgjedhjeve të përgjithshme as i diskutimeve paszgjedhore.

Së dyti, posti i Presidentit aktualisht nuk është i hapur për plotësim. Përkundrazi funksionin e Presidentit aktualisht e ushtron z. Hashim Thaçi i cili ka mandat edhe një periudhë të konsideruar.

Së treti, procedura dhe afatet e zgjedhjes së Peridentit të Republikës janë të përcaktuara me dispozitën e nenit 86 të Kushtetutës, ashtu qe, ai apo ajo zgjedhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ,në të cilën dispozitë ,marrëveshja politike referuar postit të tij nuk figuron dot! Konform me nenin 83 paragrafin 3 të Kushtetutës,

Së katërtit, sipas nenit 86 paragrafit 3 të Kushtetutës, për postin e Presidentit virtuelisht , mund të nominohen deri në 4 kandidatë , nga se , për një kandidat sëpakut, kërkohen 30 propozime të nënshkruara të deputetëve të Kuvendit të Republikës! Ndaj, edhe sikunder të ishte kandidati i paracaktuar me marrëveshje politike të dy subjekteve politike më të mëdha në këtë legjislaturë , ai nuk do t’ishte i vetmi nga se krahas tij do të mund të nominoheshin edhe dy të tjerë. Për aq kandidati i marrëveshjes politike sëpakut nuk do të mund të ishte i vetmi e për aq as i sigurt për t’u zgjedhur President.

Së pesti, kandidimi eventual i personit të caktuar për President të Republikës nëpërmjet marrëveshjes politike, do t’ishte në kundërshtim me nenin 86 dhe  nenin 70 të Kushtetutës e rrjedhimisht zgjedhja eventuale e tij do të rezultonte kunderkushtetutar. Konkretisht me nenin 70 të Kushtetutës , deputetet e deputetët janë të autorizuar për të votuar pro, kundër apo për të abstenuar duke u nisur jo nga çfarëdo marrëveshjeje politike por nga bindja e paimponuar nga kush do pra sa nga marrëveshja politike e kujtdo!

Së gjashtit, nga LDK-ja ,si parti politike e dytë, edhe po të preferohej marrëveshja politike për postin e Presidentit të Republikës, kurrsesi nuk do të ishte moralisht e tolerueshme për të “siguruar “ pos pozitave qeveritare përkatëse edhe atë të Presidentit, aq më parë kur  posti i Presidentit edhe gjatë një periudhe të konsideruar nuk do të jetë vakante, marrëveshja politike nuk figuron në dispozitat kushtetutare respektive dhe mbi të gjitha deputeteve e deputetëve të dy subjekteve politike anëtare të saj në kolizion me nenin 70 të Kushtetutës do tu imponohej votimi i kandidatit të paracaktuar në vend të kandidatit të nominuar konform me nenin 86 të Kushtetutës!

Së andejmi përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosja e Kosovës, kurrsesi, nuk do të duhej të pranonte insistimin joparimor dhe të padrejtë përfaqësuesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të paracaktuar kandidatin për President të Kosovës në kundërshtim me moralitetin politik dhe Kushtetutën në fuqi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat