Shkrepje plumbash këmbëve të veta!

Opinione

Shkrepje plumbash këmbëve të veta!

Nga: Driton Gumnishta Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 21:45
Driton Gumnishta

Dyshimi se ndërkombëtarët do imponojnë kundër-vullnetshëm, qeverisjen LDK-PDK nuk po ndodhë pasi që fituese doli partia Vetëvendosje dhe ajo, sikur edhe LDK-ja refuzuan të bashkëqeverisin me Serbët a me partitë tjera në pushtet.

Kryeneqësia fataliste e LDK-së dhe LVV-së për garantimin që at’herë të postit të Kryeministrit rezultoi me mos arritjen e koalicionit të tyre para zgjedhor. Për rrjedhojë, humbën nja 10 deputetë por u pajtuan që vendi i Kryeministrit automatikisht ti takoj partisë së parë fituese. Kjo gjithashtu nënkuptonte eleminimin definitiv të mundësisë qëky posttë ri-negociohej pas zgjedhjeve. 

Me marrveshje të tyre para zgjedhore, Kryeministri u kualifikua e vulos si vendim i popullit me votë i cili nuk do të mund të kontestohej më nga askush dhe që nuk ishte kurorzim i vizionit të përbashkët strategjiko-politik para zgjedhor apo rezultat i vullnetit të tyre për qeverisjen 4 vjeqare të radhës.

Bile LDK-ja, e bindur në fitoren e saj, nëpërmjet znj Vjosa Osmani, po propozonte edhe eleminimin e mundësisë së negocimit të postit të presidentit të vendit pas zgjedhjeve. Një risi e mirëpritur e që askush nga asnjëri kamp kurrë nuk e kundërshtoj. 

Nisur nga këto, për negocim pas zgjedhor po të mbeteshin vetëm posti i kryetarit të kuvendit, postet tjera qeveritare (pa kryeministër), programi qeverisës dhe asgjë më shumë.

Problemi është se në Kosovë demokracia është e keqkuptuar dhe fjala publike zyrtare akoma mbetet si shprehje e një mendimi « kuturu » e të pa matur apo vetëm një ekspozim elokuent publik i momentit dedikuar veshit të votuesit dhe nevojës e dëshirës së tij për të dëgjuar çka ai do. 

Politikanët serioz modernë janë shumë të kujdesshëm para fjalës së thënë e të dhënë publikisht. Ajo gjithmonë është paraprakisht e mirë menduar dhe e mirë llogaritur sepse është angazhim politik edhe për të por edhe për partinë që i përket. Njëkohsisht, ajo, a posteriori, ka ndikim direkt në suksesin a mos suksesin eventual të tij dhe partisë nga vjen.

Tani, ka frikë se nuk do të bëhet koalicioni aq i premtuar sepse edhe kësaj radhe humbi koherenca e qëndrimeve politike dhe përsëri u mbytë shpresa e madhe që më në fund edhe në Kosovë. akterët politik do të ndjejnë përgjegjësi dhe dinjitetshëm do të përballen me atë që në fushatë e thanë dhe bënë (apo të kundërtën). 

Të rinjët e LDK-së dhe sidomos znj. Vjosa Osmani, që përballeshin me elektoratin në fushatë, tani janë rreshtuar prapa veteranëve të tyre negociues dhe po heshtin pa asnjë sqarim të vetëm se çka ishte ajo deklaratë e saj para zgjedhore rreth (mos) negocimit të presidentit ?!

A është znj Osmani akoma ajo «  revolucionarja konstruktive » që e njohim e që populli e votonte edhe kur partia e braktiste apo edhe ajo është ri-cikluar e ri-formatuar për kopjimin e ish kundërshtarëve partiak të dikurshëm dhe se tani lufton si ata për një vend politik e për akomodim personal?!

Në anën tjetër, lufta mediale pas zgjedhore në mes LVV-ës dhe LDK-së veq sa po e rritë probabilitetin për zgjedhje të reja që detyrimisht do të shtoj nevojën e ndërhyrjes (përsëri) ndëkombëtare për ti evituar ato sepse ndryshime numrash mund të ket por prap do të gjendeshin në të njejtën situatë !


Nëse megjithatë zgjedhjet do të përsëriten, LDK-ja nuk duhet harruar:

1.          Se në popull ka lindur shpresa e madhe dhe ndoshta e fundit për sjelljen e ndryshimeve të shumëpritura, 

2.          Se LVV-ja është në « pole position » dhe se vështirë që do ta lëshoj atë pozitë deri në fund,

3.          Se këto pritje për ndryshime janë shumë më shumë të lidhura me emrin e z, Albin Kurti si i pa provuar deri më tani se sa me atë të LDK-së si parti, pa çka se nuk ka garancion se ato vërtetë do të ndodhin realisht,

4.          Se z. Kurti dhe Vetëvendosja për dallim nga LDK-ja, kurrë nuk e ndaluan fushatën post elektorale audiovizuele duke u shfaqur nëpër studiot e shumta televizive në Shqipëri, Kosovë, Diasporë, Serbi…. etj.

5.          Se ky ishte një publicitet i pa parë post elektoral deri më tani e bile njëkohësisht edhe njëfarë ri-edukimi politik që z. Kurti po i bënte opinionistëve, politikanëve dhe gjith Shqiptarëve por edhe rajonit duke e vjetruar gjithë politikën e gjertanishme në të,

6.          Se disponimi aktual në Kosovë pro VV-së është si asnjëherë më shumë dhe se zgjedhjet e radhës do ti rrisin akoma më shumë!

7.          Se qëndrimet post elektorale të z. Kurti ishin në konformitet të plotë me pikpamjet dhe pritjet shumicë të popullit e të cilat deri më sot, askush (përveq znj. Osmani deri diku), nuk kishte guxuar ti thotë aq hapur e bindshëm sikur ai,

8.          Se ky imazh post elektoral e vë në epërsi enorme Lëvizjen Vetëvendosje në krahasim me LDK-në dhe i siguron ata që në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme janë favorit absolut për të fituar edhe më bindshëm,

9.          Se jemi dëshmitarë që shumë herë partitë politike ankohen gjatë fushatës elektorale për kohën audiovizuele dhe për favorizime të mjeteve të informimit njërës parti në dëmë të tjerave ndërsa këtu kemi me qidra orë paraqitje më shumë nga LVV-ja,

10.     Se LDK-ja gabohet rëndë nëse mendon që me disa minuta kronometrik në fushatën e radhës do të arrijë të përmbysë avantazhin audiovizuel dhe performimet e fitimtarit të cilat z. Kurti mjeshtërisht i betonoi përgjatë dy muajve post zgjedhor.

Uroj që të gabohem por të gjitha indiciet na thonë se LDk-ja nuk po gjykon drejtë.

Prandaj po e forcon pozitën negociuese të LVV dhe këmbngulësinë në kërkesat e tyre në raport me LDK-në duke qenë shumë komode në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme.


Druaj se nëse kjo ndodhë, LDK-ja do të veproj me pishman sikur që Nastradini në ëndërr po i kërkonte me ngulmë 100 lira përndryshe nuk do t’i merrte as të 99 lirat e premtuar ! Dhe kur i doli gjumi dhe e kuptoi se ku ishte, i mbylli sytë përsëri e tha me zë, mi jep pra qato 99 …»

Thuhet se nata sjell këshilla e na bënë të reflektojmë !

Të shpresojmë se netët në vijim do t’u kenë sjellur këshilla që të dy partive por sidomos LDK-së, në mënyrë që të reflektojnë drejtë dhe ta nisin sa më shpejt punën e shumtë që i pret e që e premtuan në fushatë. Në të kundërtën, shkuarja eventuale në zgjedhje të parakohshme do të ishte « rafall plumbash këmbëve të veta »me pasoja të mëdha në rezultatin zgjedhor të përsëritur, me eventualisht dorëhqje udhëheqësish e shumë e shumë probleme të tjera të pa parashikuara...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat