Ramush Haradinaj na e more fytyrën me mashtrime

Opinione

Ramush Haradinaj na e more fytyrën me mashtrime

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 11 dhjetor 2019 Në ora: 10:41
Ramush Haradinaj

Tanimë që shpresat janë tretur se sivjet do të ndodhë liberalizimi i vizave, i vetmi që vazhdon të përsërit refrenin se “ vizat do të liberalizohen sivjet” është kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. Megjithëse ne qytetarët e vendit tanimë e dimë se kjo është një përrallë e vjetër e nisur nga Hashim Thaçi që në 2010, Ramushi s`po di të ndalet. Pavarësisht se nuk kam ndonjë simpati për z. Haradinaj si politikan, më erdhi shumë keq për të, aq keq sa ndjeva dhembshuri për të. Krejt kjo rrodhi pas deklaratës së Ramushit se liberalizimin qytetarët do ta kenë dhuratë për krishtlindje, dhembshuri ndjeva për reagimin që i erdhi. Profesori njohur amerikan, Alon Ben Meir bëri një reagim mjaft të ashpër ndaj Haradinajt. Profesori përmes një postimi në Twitter i ka bërë thirrje që mos t’i manipulojë qytetarët, por të punojë në këtë drejtim.

“Përkundër deklarimeve të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj po vazhdon të insistojë se heqja e vizave do të ndodhë shumë shpejtë. Mos i manipulo njerëzit e tu zoti Haradinaj; puno që ta bindësh BE-së që shtetit tënd t’ia heq vizat”, ka shkruar Ben Meir. Të të thotë një profesor i nderuar “mos  manipulo njerëzit” për një kryeministër me pak ndjeshmëri do të ishte turp i pa kapërdishëm. Si qytetar i Kosovës nuk ndihem mirë kur kryeministri im është një njeri pa vizion, që përveç milionave që s`dihet as nga i kanë ardhur, ndër të tjera del ashiqare që po rren. Një kryeministër i tillë s`do i bënte nder asnjë qytetari të asnjë vendi, prandaj ndihem edhe unë i turpëruar nga deklarata e profesorit të njohur amerikan. Tanimë që është në ditët e tija të fundit si kryeministër do të ishte krejt me vend që z. Haradinaj së paku të reflektonte për gabimet, dështimet e tija. Në krye të dështimeve është edhe liberalizimi i vizave që u tha se do të ndodh pa ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Në emër të kësaj kauzë z. Haradinaj erdhi në pushtet,  e cila doli të ishte komplet kauzë e rrejshme. Nga jo logjikë vazhdon të rrëfej narracionin e tij të dal boje, si një foto lakuriq që nuk ka asgjë për t’u fshehur. Mungesa e liberalizimit të vizave është kryekëput “ meritë: e klasës politike, sidomos e qeverisë në ikje e cila nuk bëri asgjë në luftimin e korrupsionit që ishte ndër kushtet kryesore. Meqenëse nuk e bëri këtë gjë do të ishte krejt e rrugës që z.Haradinaj mos të provokonte me përralla të tilla, edhe pse janë festat dhe fëmijët besojnë në babadimër. Sa më tepër vazhdon të flet në këtë aq më tepër shton irritimin e qytetarëve,  të cilët ndihen të lehtësuar sado pak që kjo qeveri po ikën , ndonëse me faqe të zezë. Reagimi i profesorit Ben Meir duhet të shërbej si ligjëratë mësimi për politikanët tanë që mos të vazhdojnë të gënjejnë popullin e tyre, ndonëse vështirë të presupozosh që mos të gënjejnë asnjëherë, por së paku jo për gjëra që ata vetëm se i dinë. Në këtë fushë të të bërit politikë ku normat morale dhe kodet etike nuk figurojnë, mbetet në ndërgjegjen e secilit që fatkeqësisht kemi të bëjmë me njerëz që nuk kanë fijen e moralit politikë.

Na fal i nderuar profesor Ben Meir, që kemi një kryeministër të tillë, me shpresën se ky do të jetë i fundit i këtij soji. Me shpresën që herën tjetër të mund të thoni fjalë të mira për kryeministrin e ardhshëm, edhe një herë ju kërkojmë ndjesë. Megjithëse ne jemi ata që më së shumti kemi vuajtur nga të tillë politikanë, që mashtrimin dhe rrenën e kanë pasur Alfa dhe Omega të tyre. Nëse z. Haradinaj mëton që të vazhdojë karrierën e tij politike, duhet të merr mësim nga mesazhi që mori nga profesori i nderuar, që jeton në një vend ku mashtrimi ndaj popullit dënohet edhe me burg. Reflektimi duhet të jetë në kokën e z.Hardinaj dhe liderëve tjerë, nëse duan të përmirësohen, ndryshe populli më s’do përkrah njerëz të tillë, mashtrues dhe gënjeshtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat