Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo (Pjesa e dytë)

Opinione

Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo (Pjesa e dytë)

Nga: Alfred Papuçiu Më: 27 dhjetor 2019 Në ora: 21:52
Alfred Papuçiu

Europa ka si kufij Atlantikun, Oqeanin Arktik, Uralin, Mesdheun, brigjet veriore dhe perendimore të Pont-Euxin dhe më në jug Bosforin dhe Hellespontin. Pa botën e Mesdheut, Europa nuk do të ishte e plotë dhe fizionomia e saj do të ishte e mangët, pasi vlera politike dhe ekonomike, kulturore, shpirtërore e Mesdheut kanë një rëndësi të madhe për civilizimin europian.

Lufta civile kërcënoi të përfshijë të gjithë ish- Jugosllavinë, « shtet artificial » që doli e « fituar » nga Lufta e Parë Botërore, nga ndarja e pabesë e kufijve, në sajë të disa fuqive të mëdha që vendosnin pa marrë parasysh aspiratat e popujve që e përbënin Europën. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë të drejtuar nga serbomëdhejtë u përhap fryma dhe dëshira për autonomi dhe më tepër. Spastrimet e komunistëve nacionalistë kroatë pastaj serbë, të instruktuara nga Tito në fillim të viteve 70-të, të kryera pas vdekjes së tij sidomos në Kosovë, ishin shenjat paralajmëruese, të një revolte më të madhe. Dëshira për pavarësi ishtë e afërt Krijimi i shteteve të pavarur dhe njohja e tyre nga komuniteti ndërkombëtar do të sillte patjetër një zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të kombësive dhe minoriteteve në Jugosllavi dhe në Europë, si edhe të problemeve të tranzicionit drejt demokracisë dhe zhvillimit. A duhej refuzuar akoma pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë Erdhi koha, bile e vonuar që ajo të kishte shtetin dhe strukturat e veta, identitetin e saj. Duhej ndërtuar një arkitekturë e re europiane, në një tërësi të Europës multinacionale, multifetare, shumëgjuhëshe dhe kulturash. Shqipëria, njëfarë kohe e tulatur nga problemet e veta, me ardhjen e qeverisë demokratike mbështeti me forcë krijimin e Republikës së Kosovës, duke provokuar reagimin e serbëve të Milosheviçit që refuzuan të heqin dorë nga ajo që ata e cilësojnë si „djepi i kulturës së tyre“.

Edhe sot, me mundësinë e padrejtë që u jipet serbomëdhenjve, e içëve të tjerë kriminelë, që t’i bashkohen armatës së madhe të serbomëdhenjve që janë larguar me pasuritë e tyre që në kohën e Titos, apo ato femra të bukura serbe që janë martuar me autoritete europiane, intelektualë, historianë që bëjnë historinë e shteteve europiane dhe atyre që janë akoma jashtë saj, Europa e Brukselit bën hesapet pa hanxhinë. Pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët që janë aty autoktonë. Pakica serbe është vendosur aty më vonë dhe kjo dihet historikisht dhe e argumentuar edhe nga historianë të nderuar europianë dhe të pavarur nga propaganda serbomadhe. Për më tepër dihet se jeta e përbashkët e popujve të Jugosllavisë nuk ka qënë në respekt të barazisë dhe identitetit, apo zhvillimit ekonomik të çdonjerit që e përbëjnë atë. Komuniteti europian dhe sidomos SHBA po pranojnë pak e nga pak se kjo është „çështje jo vetëm europiane“ dhe po marrin përgjegjësinë e tyre. Megjithatë, Milosheviçi,dhe ata që e pasuan, duke marrë si shkak revoltën e ligjshme të popullit kosovar, të mbështetur nga bashkëkombas që jetojnë jashtë dhe popuj miq, trumbetuan me mllef ideologjinë e Serbisë së madhe. Flaka nacionaliste serbomadhe u përhap nga një republikë në tjetrën. „Divorci“ i popujve ju kundërvu sistemit nacional totalitar. E drejta për vetvendosje u vu në rend të ditës. Një hap u bë me pavarësinë e Kosovës. Urojmë që kjo padrejtësi e historisë së sotme, me refuzimin e vizave për qytetarët e shtetit të pavarur të Kosovës, të shkojë sa nuk është vonë, në krahun përparimtar…

Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » të shkruara nga „kokat e mëdha“ të historisë, duke përfshirë edhe serbë të vendosur prej kohësh në Europën e Brukselit, deri vonë nuk gjeje ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesorit zviceran, Basil Schader, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve të nderuar shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar, jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… », me titull: « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve.

Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull «Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç « Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.
 

Gjatë qëndrimit tim disa ditësh para disa kohësh në Tiranë mora librin e tretë të diplomatit dhe gazetarit penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më pare, në vitet 70-80-të ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, me vlerësimin për kontributin e shquar në promovimin e çëshjesh shqiptare nëpër botë. Shabani”. Do të uroja që libri i Shaban Muratit të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar kudo në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu. Ai është një analizë e përkryer e “Cështjes shqiptare pas Pavarësisë së Kosovës”, është një testament diplomatik. Siç shprehet ndër të tjeranë librin e tij me postulata tepër aktuale, vetë analisti ynë i shquar, diplomat karriere dhe ish drejtor i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë, se janë shkëputur njëherë e përgjithmonë nga ide, doktrina, programe dhe ambicje për ta sabotuar këtë çështje”. Dhe ai vazhdon: “çështja shqiptare është ende e kërcënuar, sepse shtete ballkanike, që kanë një trashëgimi historike jo miqësore me çështjen shqiptare në përgjithësi dhe me përbërës të saj në veçanti, si psh me Kosovën, nuk kanë dëshmuar“çështja shqiptare identifikohet me mbrojtjen e interesave strategjike e jetike të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që jetojnë, nuk mund të mos ndjejnë edhe vetë veten e tyre si pjesë dhe bartës të çështjes ende të pazgjidhur shqiptare”.

Një shërbim i tillë ndaj Kombit që bën Shabani me librat e tij, duhet lavdëruar. Më parë ai fillimisht“ I bëri një analizë të thellë procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Libri i tij « Serbia kundër Serbisë » - analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm, botuar nga shtëpia botuese « Albin » në 2005, lexohet me nje frymë dhe s’ke dëshirë ta lësh pa e mbaruar deri në fund. Në të flitet me realizën edhe për « Europën tjetër » dhe rolin ogurzi të disa qarqeve keqdashëse.

1- Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.

2- Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.

3- Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :

Shaban Murati e meritonte të shkruheshin faqe të tëra për librin e tij, si dhe të tjera për Bosnjën etj. Shaban Murati shpreh një të vërtetë të pamohueshme në librin e tij të fundit që çdo historian apo analist i Ballkanit, Europës mund ta vërejë thjesht : « Cdo diplomat dhe analist e ndjen se bëhet e vështirë të kuptohet plotësisht kuadri i rolit dhe i veprimit të një shteti në Europën Juglindore, pa njohur edhe pikëpamjen e të gjitha kryeqyteteve rajonale, me të cilat shteti përkatës ka marrëdhënie dhe raporte historike e perspektive.

Një pikëpamje nga Shqipëria del si një nevojë për çdo studjues, që kërkon të plotësojë njohjen e hartës historike, diplomatike dhe politike të rajonit. Nuk janë të paktë diplomatët dhe studjuesit europianë, që e kanë krijuar opinionin e tyre për Shqipërinë dhe kanë formuar kulturën e tyre për çështjen shqiptare në Ballkan nga literatura politike serbe. Nuk kam hasur ndonjë studjues apo diplomat, që ta ketë formuar opinionin e tij për Serbinë nga literatura politike e Shqipërisë. Serioziteti i analizës dhe kërkimit të së vërtetës këshillon njohjen e dy literaturave… ». “Enigmat diplomatike të Pavarësisë së Kosovës”-fletë nga ditari i një ambasadori është shkruar për çështjen e statusit dhe të pavarësisë së Kosovës, brenda vorbullës së ngjarjeve,” i nxitur nga ndjenja e detyrës për të dhënë një kontribut modest në përpjekjet për të shpeguar në kohë për opinionin public dhe diplomatic shqiptar se çfarë po ngjet, për të dërguar një sinjal drejt vendimmmarrësve, nëse kanë patur veshë dhe dëshirë për të dëgjuar”.

Këto postulata dhe libri i sipërpërmendur i analistit të politikës së jashtme, prej mëse 50 vitesh dhe diplomatit të urtë, modest, por me tepër kulturë, Shaban Muratit, duke njohur thellësisht jo vetëm historinë, politikën, kulturën, zakonet e vendit të vet, por edhe të vendeve ku ka qënë ambasador, do të dëshiroja të përktheheshin sa më parë në gjuhë të huaj, qoftë anglisht, frëngjisht, apo gjuhë tjetër. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Le të lexojnë Homerin dhe ç’thotë për shqiptarët, dijetarin francez Solange d’Angely.

Çfletoj kohë pas kohe edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre.

Pra në këto çaste do të dëshiroja që ata që vendosin në Euopën e Brukselit, të cilëve do t’u dërgojmë një letër si intelektualë shqiptarë në Diasporë, të mësojnë edhe për Kombin tonë që i ka dhënë Europës figura të shquara, shumë më tepër se serbofilët që ai takon dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, që ato të ecin më përpara. Jo vetëm Ismail Kadarenë që njihet në botë më tepër se sa një president i çdo vendi qoftë, por edhe Robert De Niro, Aleksandër Moisiu, Sandra Bullock, James Belushi, Ferid Murati, Angjelin Prelocaj, Eliza Dushku, Stan Dragoti, Riçard Lukaj, Joseph DioGuardi, Emina Cunmulaj, George Tenet, Kledi Kadiu, Laura Mersini Houghton , Tedi Papavrami, Anthony Athanas, Erald Dervishi Saimir Pirgu, Fadil Berisha, Liria Begeja, Nik Xhelilaj, Karl Gega, dhjetra e dhjetra artistë që i ka duartrokitur, ma merr mendja në skenat madhështore të Brukselit, Skalës, Parisit, Nju Jorkut, Athinës, Buenos Airesit, etj., edhe kryetarë shtetesh që e përbëjnë Europën. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën vite më parë, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar në vendimarrjen famëkeqe të deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë Zografë Kokthi që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure, Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…Disa shoqëri ajrore përfshirë së fundi dhe Easyjet, etj fluturojnë në Shqipëri në aeroportin modern “Nënë Tereza” të Rinasit. Ku shqiptarët si edhe unë kemi tani pasaportat biometrike që siç duket përfaqësues të BE si kanë parë. Por do t’i a dërgojmë t’i shohin! Të shohin edhe autostradën që lidh Tiranën me Rinasin apo me Fierin tim. Të shohin bankat e shumta europiane dhe amerikane që janë vendosur në Shqipëri dhe i kanë shtuar dita ditës përfitimet e tyre. Të shohin disa universitete europiane ku japin mësim profesorë të dëgjuar shqiptarë që kanë studjuar në Europë dhe kolegë europianë apo amerikanë. Të shohin ato magazina madhështore që u a kalojnë atyre të shumë vendeve europiane, të shohë…Europën vetë , në Shqipërinë e brishtë demokratike !

Dëgjojmë edhe se statusi i Kosovës do të merret parasysh, shumë shpejt. Jetojmë në një epokë të jashtëzakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ; diku shprehen për paqe, për buqeta me lule, solidaritet, mirësi ; diku tjetër vetëm kriminalitet, prostitucion e drogë… Fenomene që nuk ishin të dukshme në të kaluarën, si rezultat i « hermetizmit ». Shumë prej tyre u sollën enkas nga mafia italiane, apo edhe vetë ndonjë fqinj, enkas për ta lënë Shqipërinë jashtë Brukselit. Thuhej për të qeshur se ekonomistët shqiptarë po të shkojnë në Amerikë do ta shkatërojnë ekonominë amerikane, me padijen e tyre. Por shumë prej tyre punojnë edhe në Uoll Strit, edhe diku tjetër, në aeronatikë, apo si arkitektë, profesorë, artistë, edhe në Europën e të 27-tëve…Ka ndonjë që të shtyjë hyrjen e Shqipërisë apo Kosovës « de jure » në Bruksel, pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.

Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit.

Dihet botërisht se të paktën tre qytete kryesore të Shqipërisë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, me një jetë të pandërprerë, kanë afërsisht një moshë me Romën. Gjurmët arkeologjike greko-ilire-romake, teatro dhe amfiteatro ndodhen kudo në vendin tonë. „Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit“, na kujton shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadaré. Dhe ai vazhdon me argumenta: „Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan të zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Europës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria“.

Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës jashtë Brukselit », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë, në fjalimin e tij më 21 gusht 1849, në Kongresin e Paqes për „Shtetet e Bashkuara të Europës“: „ Do të vijë dita kur armët do t’u bien nga duart, edhe juve! Do të vijë një ditë kur lufta do të duket gjithashtu absurde dhe do të jetë po aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, që siç është e pamundur dhe duket absurde sot midis Rouenit dhe Amiensit, midis Bostonit dhe Filadelfias. Do të vijë një ditë kur ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë, kombe dhe kontinent, pa humbur cilësitë tuaja të veçanta dhe individualitetet tuaja të lavdishme, do të shkriheni ngushtësisht në një bashkësi superiore dhe do të ndërtoni vëllazërinë europiane, ashtu si Normandija, Bretanja, Burgonja, Lorena, Alzasa, të gjitha provincat tona që u bënë njësh me Francën. Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fusha të tjetra lufte dhe se tregjet do të hapin rrugën e tregëtisë dhe mendjet e njerëzve do mbushen me mendime. Do të vijë një ditë kur mortajat dhe bombat do të zëvëndësohen nga votat, nga votimi i përgjithshëm i popujve, nga arbitrazhi i nderuar i një senati të madh sovran që do të jetë në Europë, ashtu siç është Parlamenti në Angli, ashtu si është Dieta në Gjermani, si është Asambleja Ligjvënëse në Francë ! (Duartrokitje) Një ditë do të vijë kur do të tregohet një top në muze, siç tregohet sot një instrument torture, duke u habitur se çfarë ka qënë ai (Të qeshura dhe bravo nga salla). Do të vijë një ditë, ku do të shihen këto dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Europës (Duartrokitje), të vendosura përballë njeri tjetrit, duke i dhënë dorën njeri tjetrit, mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregëtinë, industrinë, artet, gjenitë e tyre, duke deshifruar globin, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar nën shikimin e Krijuesit dhe duke kombinuar sëbashku, për të patur të gjithë mirëqënie, këto dy forca të pakufishme, vëllazërimi i njerëzve dhe fuqia e Zotit (Duartrokitje të zgjatura) Victor Hugo.

*Autori ka mbrojtur “Diplomën e Studimeve të Larta Europiane”/DEA/ në Universitetin e Gjenevës, me temën “Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit” dhe ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Europën në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, dhe në organizma të tjera ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat