Thaçi dhe PAN humbësit, Albini dhe Vjosa fituesit e 2019

Opinione

Thaçi dhe PAN humbësit, Albini dhe Vjosa fituesit e 2019

Nga: Faton Mehmeti Më: 30 dhjetor 2019 Në ora: 08:17
Albin Kurti/ Vjosa Osmani

Në jetën tonë të përditshme kryesisht në aspektin soci-ekonomik, në fund të çdo muaji apo periudhe të caktuar, bëhet bilanci. Pikërisht bilanci tregon me së miri si kemi qenë, të suksesshëm, pjesërisht të tillë apo të dështuar. Edhe në fund të çdo viti sikur është bërë zakon, me një kalkulim jo edhe të detajizaur, bëjmë llogarinë si ka qenë ky vit për ne, për Kosovën tonë të përbashkët. Me të filluar 2019 qysh në janar, pritej që të fillonin arrestimet nga Gjykata Speciale, e të cilat ishin paralajmëruar para disa muajve. Kjo nuk ndodhi, përveç se intervistimet nga kjo gjykatë të “peshqve të mëdhenj”,  deri tani pa asnjë rezultat konkret. Dështimet e qeverisë vazhduan nën mbulesën e taksës ndaj mallrave të Serbisë, derisa presidenti aktual i Kosovës vazhdonte pazaret e tija në dëm të Kosovës. Në një farë mënyrë taksa i ngadalësoi pazaret, por pa i këputur në themel të saj. Duket sikur Hashimi ishte i vendosur t’i shkonte deri në fund kësaj ideje të marrë, e që në krahë kishte Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiqin. Derisa po shpresonte që pas pushimeve të verës të fillonte përsëri trekëndëshin famëkeq për t’i dhënë finishin, në një ditë të bukur të nxehtë korriku në qiell të hapur u shkaktua rrufeja e papritur politike. Ramush Haradinaj dha dorëheqje duke quar vendin në zgjedhje, lajm i keq për Hashimin që më një matematikë edhe prej naive e kuptonte se PAN nuk kishte asnjë shansë të fitonte përsëri. Ishte radha e opozitës VV dhe LDK, e të cilat edhe ishin arsyeja për dëshpërimin e madh të presidentit. Nga këtu edhe nisi tatëpjeta e Thaçit, që u finalizuar me 6 tetor. Ish partia e tij që e drejtonte humbi terren ndaj opozitës së deri djeshme, e cila nuk do bënte sehir përballë marrëzive të Hashim Thaçit me shkëmbim territoreve. Gjysma e dytë e vitit 2019 doli të ishte fundi për klanin “Pronto” që mori goditje fatale nga qytetarët për të gjitha mëkatet, krimet dhe të zezat ndaj qytetarëve. Andaj na jepet e drejta e plotë që të konkludojmë se humbësi më i madh i vitit 2019 është PAN, përkatësisht ish komandantët e rrejshëm të luftës çlirimtare. Ndërkohë që fitues mund të quhet tandem Vjosa Osmani –Albin Kurti, të cilët arritën që partitë e tyre t’i qojnë tek fitorja e zgjedhjeve, me votën kryesisht të të rinjve të cilët shohin shpresën e fundit për ndryshim.

Megjithatë të ndalemi tek bilanci gjatë vitit që po lëmë pas. Fatkeqësisht, realiteti dhe faktet nuk janë në favorin tonë, pasi dështimet janë të mëdha dhe faktet kokëforta. Tërheqjet e njohjeve  kanë pësuar rritje si pasojë e dështimit të qeverisë së kaluar, e cila nuk kishte prioritet Kosovën. Nga kjo ka përfituar Serbia e cila ka shfrytëzuar të gjitha mekanizamt dhe faktet e korrupsionit, për të paraqitur Kosovën si vend të krimit, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative. Ikja e të rinjve vazhdoi me përmasa të mëdha,me shtetin që nuk ndërmori asgjë për të parandaluar një gjë të tillë. Dështimet në arsim vazhduan edhe gjatë këtij viti, ashtu si në shëndetësi dhe ekonomi. Dhe si arritje të vetme mund të cekim anën sportive, aty ku Kosova na bëri krenare të gjithëve me djemtë që dhanë  çdo gjë në fushën e lojës. Aty ku nuk ka prekur politika, aty ka pasur suksese. Me fundin e tyre që u erdhi, si dhe me dëshirën dhe shpresën që këta që do vijnë s`do të jenë si ata, viti 2020 mund dhe duhet të jetë më ndryshe. Një vit që do të tregojë tjetër fytyrë të politikës, për të cilën edhe qytetarët votuan. Shenjat janë të mira që 2020 të jetë ndryshe, jo si viti që po lëmë pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat