Labirinthet diplomatike dhe çështja e Kosovës

Opinione

Labirinthet diplomatike dhe çështja e Kosovës

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 5 janar 2020 Në ora: 12:14
Profesor Ksenofon Krisafi

Nuk ka shumë kohë që Profesor Ksenofon Krisafi, një prej profesorëve më të njohur të së Drejtës Ndërkombëtare, Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH ka botuar dy librat e rinj : “Lufta e Kosovës në Labirintet Diplomatike" dhe “Në Gjenevë për Kosovën-Fjalime në institucionet ndërkombëtare”. Këto janë dy librat të cilat janë shkruar duke iu referuar kohës, kur Prof. Krisafi, ishte në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në OKB. “Janë libra që kanë nisur kur në Kosovë bëhej luftë dhe në qarqet diplomatikë ku kam bërë pjesë në atë kohë, punohej për ta ndalur atë. Janë vitë të mbushura me veprimtari mjaft intensive e përkushtim për një kauzë të madhe mbarë kombëtare, shprehet prof. Krisafi. Ndjehem vërtet me fat që isha pjesë e atij grupi njerëzve që punuan sinqerisht dhe pa u lodhur duke kontribuar modestisht për Kosovën”.

Në këto libra tregohet qartazi se çfarë mund të bëjë një diplomat i një vendi të vogël, për një kauzë të madhe siç ishte pavarësia e Kosovës. Ato janë dokumenta mjaft të rëndësishëm, të cilat do të mbeten gur themeli në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht me shtetin e Kosovës. “Kam pasur fatin apo rastin që u ndodha në shërbimin diplomatik, atëherë kur kriza e Kosovës mori proporcione të dukshme e duke u shndërruar shumë shpejt në një luftë të armatosur me një prapavijë të sigurisë diplomatike e politike”, është shprehur Krisafi. Në librat e tij, Ksenofon Krisafi kujton lidhjen me Kosovën, të nisura qysh në rini në Gjirokastër, gjatë kohës kur ishte student e dëgjonte nga pedagogët apo kur mbante ligjërata si pedagog i ri në Universitetin e Prishtinës e më pas në Gjenevë gjatë misionit, ku siç thotë ai gjeti edhe një Dardani të dytë, një fshat që mbante këtë emër, sepse banorët e tij kishin ardhur qysh herët nga Dardania e dikurshme, Kosova e sotme. Libra të mbushur me ngjarje, konceptet e forta politike dhe juridike të artikuluara prej ish-diplomatit, kur fliste kundrejt regjimit të Beogradit, terrorit ndaj shqiptarëve, masakrat, shkeljen e të drejtave të njeriut, të Drejtës Ndërkombëtare humanitare, tentativat e regjimit serb për të shuar identitetin kombëtar në Kosovë apo kur akuzonte Millosheviçin për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, për spastrim etnik dhe gjenocid të programuar kundër shqiptarëve. Çështje që jo vetëm rrezikonin ekzistencën e një populli, por gjithashtu paralajmëronin destabilizim të Ballkanit e më gjerë. Qysh më 1 prill të 1999-ës, përfaqësuesi i Shqipërisë njoftonte vendimin e qeverisë shqiptare për denoncimin e krerëve të regjimit të Beogradit dhe ushtarakët e lartë serbë në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, gjë që ndodhi më vonë. Mbledhjen e fakteve dhe hetimet të vërtetuar me prova e dëshmi autentike krimet serbe e më 6 prill të atij viti artikulonte që popullit të Kosovës t’i jepej e drejta për vetëvendosje.

Ksenofon Krisafi e mori detyrën si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në vitin 1998. Ndërsa në Shqipërinë zyrtare  mundohej të rimëkëmbej shteti pas luftës civile, në veri të trojeve etnike, kishte ngritur kryet një tjetër luftë. Çdo ditë, ushtria serbe dhe grupe paramilitare masakronin, dhunonin, nxirrnin nga shtëpitë mijëra shqiptarë të Kosovës. Opinioni publik botëror kishte çdo ditë para sysh pamje të servirura nga mediat ndërkombëtare të pozicionuara në vijën e parë, por sa e ndërgjegjësuar ishte diplomacia e huaj në zemër të Gjenevës për tragjedinë që po ndodhte pas derës?! Si përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar i duhej të trokiste në çdo derë, përfaqësi, organizatë ndërkombëtare për t’i dhënë zë çështjes së Kosovës, që siç e kujton ai kish marrë përmasat e luftës dhe kudo ishte kthyer në çështjen e diskutimeve të ditës.

Sot, pas 20 vjetësh, periudha 1998-1999, duken vite të një tjetër epoke dhe për një përfaqësues të Shqipërisë ishte pamundur të ruhej ftohtësia, tipar i diplomatit, ndërkohë që masakrohej një pjesë e popullit shqiptar. Ky zjarr e pasion, veç erudicionit, kompetencës juridike e diplomatike, ka qenë pjesë e recetës origjinale që i bënte fjalimet e profesor Krisafit të hynin deri në ndërgjegjet më të ftohta të përfaqësuesve të huaj. Gjuha e drejtpërdrejtë përcillte sigurinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë dhe urgjencën për ta parandaluar këtë tragjedi.

 « Nuk luftohej vetëm në Kosovë nga personalitetet e shquara të vendit, nuk luftonin vetëm pjesëtarët e UÇK por luftohej edhe nga diplomacia, shqiptare” – kujton ish-diplomati, themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Profesor e Akademik, Anastas Angjeli. Ai është shprehur se këto dy vepra kanë në thelb një komb, vijnë  pas përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës. “Janë dy vepra për një çështje, gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, natyrisht të gjithë e njohim këtë luftë, por ka edhe një luftë tjetër të një karakteri të veçantë , lufta diplomatike e cila ka nisur dekada më parë dhe me veçoritë e saj e me vlerat është sjellë ashtu siç duhet nga prof. Ksenofon Krisafi,falë përvojës së tij , falë veprimtarisë konkrete dhe praktikë në fushën historike e diplomatike , të drejtën ndërkombëtare ».

Librat janë prova e dokumente me rëndësi për kohën e Luftës dhe për vetë historinë e Kosovës, e në veçanti, të diplomacisë së saj, krahas diplomacisë europiane dhe ndërkombëtare, si një faktor me rolin e njohur historik si në fushën e betejës, jo me armë , por me fakte, drejtësi, e vullnetin për një zgjidhje demokratike të problemit të Kosovës dhe për ndërprerjen e luftës e të gjakderdhjes në vend. Një homazh të veçantë për atë pjesë të atdheut që ka vuajtur shumë, ka luftuar pareshtur e pas një shekulli arriti të shkëputej nga zgjedha e serbëve si një entitet më vete.

 

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës. Është lauruar Doctor honoris causa, nga Universiteti Sancti Cyrilli i Valetës. Ka qenë Dekan i Fakulteteve Juridike të Universitetit të Tiranës, “Luarasi” dhe UET. Aktualisht është Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Ai ka qenë drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasador në OKB dhe në OBT, në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Është lektor i së drejtës publike, të drejtës ndërkombëtare, organizatave ndërkombëtare etj.

Ka mbajtur leksione në një numër universitetesh të huaja dhe ka marrë pjesë në dhjetra konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar monografi, tekste universitare, si dhe artikuj shkencorë e publicistikë. Ndër librat duhen përmendur sidomos, Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), Në Gjenevë për Kosovën - Fjalime në institucionet ndërkombëtare, E drejta e organizatave ndërkombëtare, Organizimi politik ne trojet shqiptare, Për tokën dhe detin e Shqipërisë, Diplomaci pas lufte, Në kërkim të arit, E drejta e organizatave ndërkombëtare, Paradigma e tranzicionit demokratik: - “Fundi” i tranzicionit apo një tranzicion “pa fund” (bashkëautor), Epiri i Jugut, Çamëria, (bashkëautor), Historiku i Bankave në Shqipëri, (bashkëautor), Çështje të historisë së shtetit dhe të drejtës, (bashkëautor), Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri (bashkëautor), Kushtetuta e re shqiptare sfida e së ardhmes euroatlantike të Shqipërisë, (bashkëautor), At Giuseppe (Zef) Valentini, Vepra 1,2,3, Publicistikë, studime dhe tekste, (bashkëautor), Emigrimi i elitës intelektuale nga Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit (bashkëautor), etj.

Për kontributet e shquara në veprimtarinë diplomatike, shkencore dhe në mësimdhënie në fushën e së drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin e spikatur në çështje me rëndësi të veçantë në politikën e jashtme të vendit, si dhe për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai mban dekoratat e larta “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe “Medaljen presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, akorduar përkatësisht nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat