Militant partie apo moralist ? Zgjidhni!

Opinione

Militant partie apo moralist ? Zgjidhni!

Nga: Adriana Istrefi Më: 11 janar 2020 Në ora: 19:18
Adriana Istrefi

Krizë! Krizë politike! Krizë shoqërie! Krizë Europe! Krizë e varfëri! Kohë të vështira, ku shqiptari me shqiptarin ndihen të huaj në vend, ku politika ndan e marton njerëz, ku ligji blihet dhe shitet, ku heronjtë kanë vdekur dhe ku Revolucionet shiten vetëm online. Jetët rëndojnë më shumë se liria, dhe lirisë i kanë vendosur tapi. Shekull, ku sëmundjet nuk të vdesin, por i sëmurë je, kur ke 1 kg dinjitet. Ku ushqimi me hormone është i shijshëm dhe kur tavolinat plot shije, nuk ngopin më.

Shoqëria jonë i ka shtuar orekset. Sot oreksi seksual vret njerëz dhe xhelozia tregon moral. Atje kur martesat bëhen nga pasuria dhe jo nga dashuria e ndërsa e drejtë është vetëm ajo çfarë bota të dikton. Nuk do shumë punë të bëhesh i suksesshëm e madje suksesi shitet me lëkurë dhe jo me inteligjencë. Jemi një vend kaq i vogël, ku dijes i vëmë kufi, ku edukimi të fabrikon mendimin, ku shkollat të mësojnë veç për sot, ku pedagogu shthur mendimin, dhe ku mjeku lutet për sëmundjen e rradhës.

Shoqëria shqiptare është e ndrydhur deri në palcë, ku nuk i besohet më fjalës, kur realiteti të ndryshon, ku një turmë që bërtet nuk prodhon më kritikë dhe kur protestat realizohen nga ekrani i kompjuterit. Një shoqëri që nuk di çfarë kërkon, ku vota është souvenir dhe jeta lufton me mbijetesën, ku Sovrani nuk prodhon më publiken dhe gjithologët janë gjithmonë të shqetësuar.

Ne jemi shqiptarët që “nuk kemi parë gjë akoma” dhe ndërkohë mendojmë se demokracia bëhet duke ngritur dy gishta. Ku për një vend pune nuk kërkohet CV, por servilizëm, ku burokracitë nuk kanë fund. Ne duam më shumë teseren e Partisë dhe për këtë mund të mbushim sheshe dhe, ku adhetarizëm ka vetëm në stadium. Një shtet, ku kufinjtë i kemi të gjerë, dhe mendjen e ngushtë e që të dukemi të zgjuar bëjmë sikur lexojmë.

Vendi ku rinia po ikën, ku të aftët bëjnë krenarë shtetet ku emigrojnë, e ndërsa ne pasi i braktisim i  shesim si histori suksesi. Ku kinematë janë private, ku teatri luhet në studio televizive e ndërsa tragjeditë në kronikat e zeza. Ku gazetari nuk ka status, universiteti nuk ka autonomi, ku libri nuk shitet, por doktoraturat shtohen.

E si të besojmë ke domokracia, ku akoma ka njerëz që mendojnë për kohën e xhaxhit Enver, ku nostalgjia të bën moralistë, e politika sot militant. Ku besimet e vjetra nuk na lënë të ndryshojmë mentalitetin, dhe gjithçka e heshtur prodhon realitet. Ku filozofia nuk i edukohet brezave, por u mësohet globalizimi e ndërsa individualitet kanë vdekur sëbashku me shpresën. E çfarë na bën të besojmë për të ndryshuar ?

Ku ka mbetur liria, drejtësia, arti dhe edukimi?

Ku drejtësia paragjykon individin, vjedhja për të varfrin dënohet e për të pasurin quhet kapital. Ku liria është një fraksion jete, dhe vetëm liri mendimi nuk prodhon. Ku muzetë, pikturat i kuptojnë vetëm artistët dhe, vizitorët pakësohen çdo ditë. E ndërsa edukimi mbetet një plagë që mbytet në injorancën e shekullit pa zë.  Dhe çfarë të jesh më parë? Një militant kokëulur dhe i bindur apo një moralist që bërtet, por askush nuk të dëgjon ?!.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat