S’mund të ketë skenar të koalicionit LDK-PDK

Opinione

S’mund të ketë skenar të koalicionit LDK-PDK

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 janar 2020 Në ora: 21:25
Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Skeptikët që po dyshojnë në dështimin e koalicionit VV-LDK, e poashtu kanë dyshime në një koalicion të mundshëm LDK-PDK me të tjerët për të formuar qeverinë, duhet të qetësohen (disa të dëshpërohet) pasi kjo nuk mund të ndodh.

Pavarësisht se brenda LDK-së mund të ketë persona që e dëshirojnë një koalicion të tillë, kjo nuk mund të ndodh për shkak se në ulëset e Kuvendit, elektorati veproi mençur dhe nuk i votoi ata që mund ta ngrisin dorën për një koalicion me PDK-në.

Ndonëse ka të tillë brenda grupit parlamentar, shumica e tyre nuk e dëshirojnë dhe as nuk e kanë dashur kurrë një koalicion të tillë.

Si mund të votojë për koalicion me PDK-në Vjosa Osmani, Fetah Rudi, Anton Çuni, Driton Selmanaj, Lumir Abdixhiku, Doruntina Maloku, Besian Mustafa, e disa të tjerë?!

Ky është grupi i LDK-së i cili është i distancuar nga disa të tjerë, e që elektorati që i votoi me shpresën se do ta dërgojnë PDK-në në opozitë, duhet të ndihet të sigurt tek ata.

Përveç kësaj, një tentim koalicioni me PDK-në, do të ishte fatal për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ende i vuan pasojat nga koalicioni “i famshëm” i vitit 2014, pikërisht me PDK-në. Madje, LDK-ja sigurisht që duhet t’i jap më shumë hapësirë Vjosa Osmanit që të jetë më ndikuese dhe më vendimmarrëse në bisedimet me Vetëvendosjen, pasi dihet se ishte pikërisht ajo që ia solli gjithë ato vota LDK-së.

LDK-ja i ka votat edhe për një skenar tjetër. LDK-AAK-NISMA-AKR si dhe minoritetet, mirëpo edhe kjo mund të dështojë, ndonëse historia politike e Kosovës na e ka dëshmuar të kundërtën.

As për këtë skenar, LDK-ja nuk i ka të gjitha votat, pasi shumë deputetë të saj nuk duan bashkëpunim me PAN-in.

Thonë se gjërat e mira vijnë ngadalë,  mirëpo kjo vonesë e koalicionit VV-LDK po ndodh në kohën e gabuar, pasi Kosova nuk është në pozitë për të pritur kaq gjatë, që ata të formojnë koalicionin, madje kur dihet se kjo nuk është e sigurt.

Këtu është vetëm një gjë e sigurt, se nëse LDK dhe VV nuk arrijnë marrëveshje, vendi do të shkojë në zgjedhje. Nuk do të ketë skenare tjera. E nëse do të kemi prapë zgjedhje në muajt në vijim, Kosovën do ta kaplojë një krizë e madhe, sidomos në atë të ekonomisë.

Nëse do të dështojë marrëveshja, të dy partitë do të jenë fajtore. Vetëvendosje do të jetë fajtore për shkak se nuk e garantoi postin e presidentit për LDK-në, gjë që kjo mund të jetë pa interes për VV-në, nëse Albin Kurti i merr të gjitha përgjegjësit që i takojnë si kryeministër. Atëkohë, presidenti do të jetë vetëm një figurë ku shpërndan dekorata e mirënjohje, pa ndikim në dialog, e me një ndikim të zbehtë në diplomacinë e jashtme.

Në anën tjetër, LDK-ja do ta ketë barrë përgjegjësinë te populli se kërkoi shumë, edhe pse nuk ishte fituese e zgjedhjeve dhe se Vjosa Osmani nuk ishte pjesë e ndikimit në koalicionin LDK-VV.

Të dy këto parti do të humbasin vota, mirëpo partitë tjera nuk do të shënojnë rritje, për shkak se qytetarët e revoltuar nuk do të dalin fare në zgjedhje.

Përndryshe, koalicioni me shumë gjasë do të arrihet, ndonëse ky gabim i vonesës do t’iu kushtojë të dy partive, herët apo vonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat