Tre korba shigjetuan helmin në zemrën e Smajl Hajdarit

Opinione

Tre korba shigjetuan helmin në zemrën e Smajl Hajdarit

Nga: Maxhun Smajli Më: 13 janar 2020 Në ora: 17:35
Smajl Hajdari

Shtëllunga të errta sterrë zezë, nxinë vitin 2002. Në gulçim vajtues mjellma kobndjellëse, kërriste në ekstazë këngën e trishtë rrënqethëse mortore. Tre korba shigjetuan helmin në zemrën e Smajl Hajdarit. Pa iu dridhur qerpiku i dhuruan vdekjen. Si termet fundosën ëndërrat e sapo nisura Apogjen i triumfit. Smajli, shtri për vdekje e, unë në ekstazë thërras me pezëm përhumbur; pse vritën më të mirët e kombit?! Kasnecët mizor zgaqur ligësi djallëzie ulurinin me piskam në ikje për tek padroni i tyre. Në mbrëmjen mizore të 17 janarit, Smajlin, e mori në flatra kerubini dhe iu sul qiejve të pa fund.

Korbat ndjellazeza po i coptojnë zemrën Kosovës. O mizorë, o gjakatarë, që veç përpini jetë e shkatrroni atdhenë, a vriten qiejt, a pushkatohet drita, a mund t'i marrësh frymën simbolit? O Zot, ku je?! Ku i ke rrufetë përvëluese, që me to djeg lisat maje maleve dhe katilët i le gjallë. Pse nuk i zharit, nuk i përvëlon me llavën shkatrrimtare, mbledhur thellësive të zemrave më shkrumuese, ku janë e ku sjanë, por i le gjallë dhe zgërdhihen fitimtarë në orgji përverse.

Ju, dukagjinas që vratë vëllaun e juaj, Smajlin, dhe po keni fytyrë të jetoni pa iu dridhur qerpiku e, pa iu skuqur surrati, kujt ia kishte zënë hisen e diellit mbi kokë mbi këtë tokë. Ai, që vetëm mirësi shartonte për të gjithë.

Rugovë, është turp dhe faqe e zezë të heshtësh, të mos flasësh, por duhet të thërrasësh dhe të ulurijsh me të madhe, sa të tundet dheu, për djalin që ta vranë. E, për ne është detyrë dhe në nder t'i luftojë kriminelët, ata që po fundosin krenarinë kombëtare shqiptare.

Mallkuar nxitësit e krimit dhe kriminelët, nder dhe lavdi luftetarëve, që me vetmohim dhe përkushtim dhanë çdo gjë, edhe jetën, për lirinë e popullit; në mbrojtje të jetës së fëmijëve, nënave dhe baballarëve.

Me largimin e Tij në botën e përtejme ai, la të bëmat e veta, emrin e vet dhe mesazhin e vet. Kriminelët i morën jetën, shenjtëritë e morën në gjirin e vet e, populli do ta kujtoj për jetë e mot. Bekuar dheu i tokës nanë, që të ruan në gjirin e vet!

Lavdi!

P.S. Me kërkesë të pjestarit të grupeve të para guerile të armatosura të UÇK-s, njëherësh, kryetarit të LDK-s, Dega për Gjermani, z. Osman Ferizit dhe ushtarit të UÇK-s, në Rugovë, Dukagjin dhe gjithandej nëpër zonat e luftës, 1998/99, z. Bujar Lajçit, pas 18 vitesh po e ribotojmë, me dy ndryshime të vogla; në titull dhe tekst.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat