A e ka merituar populli ynë këtë injorim ?

Opinione

A e ka merituar populli ynë këtë injorim ?

Nga: Shefik Sadiku Më: 14 janar 2020 Në ora: 14:28
Shefik Sadiku

Po bëhen 6 muaj që kur Qeveria Haradinaj dha dorëheqje dhe ende nuk e kemi Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
A nuk është tallje kjo me popullin tonë ? Nuk janë tre muaj që s'po mund të merren vesh dy partitë,dikur opozitare, VV-ja dhe LDK-ja për ta formuar Qeverinë,por janë plot gjashtë muaj,sepse  me kohë dihej se këto dy parti u kishin vënë vija të kuqe partive tjera, prandaj hapësira kohofe për t'marrë vesh këto dyja është gjashtë muaj.
Dhe pse nuk mund të merren vesh se ? Jo për parime,që do të ishte shumë normale, por për pozita rehatuese për partiakët! A ka merituar dhe a e meriton ky popull një përbuzje kaq të skajshme nga liderë partiakë ? Jo, dhe jo në asnjë mënyrë. Populli me votën e tij më 6 tetor tregoi se nuk do një Qeveri me 21 ministra e 80 zëvedësministra, prandaj votoi për ta ndëshkuar një mentalitet të tillë, por ata që e morën besimin e votuesit a thua a po sjellen konform kërkesave të votuesit ?  Jo,aspak jo,sepse ta vonosh krijimin e Qevetisë kaq gjatë jo për ndonjë pengesë të arsyeshme,por vetëm se partitë po shtyhen në ndarjen e pushtetit në dëm të shtetit, kjo është më shumë se injorim me votuesin.
Populli ynë as nuk e ka merituar dhe as nuk e meriton një përbuzje dhe fyerje kaq denigruese nga liderët politikë. Është mirë që ata,liderët,të reflektojnë arsyeshëm për momentin historik dhe strategjik të popullit, e mos të abuzojnë me durimin civilizues të qytetarëve.
Të gjithë ata që kanë marrë dhe marrin ndonjë pizitë legjislative,ekzekutive apo gjyqësore duhet ta dinë mirë se ato pozita para se privilegje janë përgjegjësi. Janë qytetarët,andaj janë pushtetarët dhe liderët për t'u shërbyer të parëve dhe jo e kundërta. Liderët dhe pushtetarët që nuk i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë e veta, të jenë të sigurtë se populli di t'ua jap vendin e merituar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat