Agim Veliu, një piroman politik i cili shpërndan re të zeza mbi Kosovën e martirëve të Reçakut..!?

Opinione

Agim Veliu, një piroman politik i cili shpërndan re të zeza mbi Kosovën e martirëve të Reçakut..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 15 janar 2020 Në ora: 13:44
Agim Veliu

Të akuzosh publikisht LVV-je se ajo, gjoja, “ka synim që LDK-në ta shkëpus nga e kaluara e saj evropiane dhe euroatlantike..”, është thjesht një shpifje e sajuar të cilën mund ta prodhon vetëm mendja primitive e një oligarku dhe sharlatani politik, i cili sipas informatave nga mediat, gati gjysmën e Llapit e ka bërë pronë të veten të cilën e ka shndërruar në pashallëkun e tij privat!

E kaluara e LDK-së ka qenë “evropiane dhe euroatlantike” po aq sa Agim tajkuni ka qenë ndonjëherë astronaut, ngase të jesh parti “evropiane” nënkupton që një parti brenda vetës të përfshijë një gamë të gjerë vlerash njerëzore, morale, politike dhe kombëtare, por të cilat, për fat të keq, vetë Agimit dhe LDK-së “llapiane-Isa-putiniane” pas vdekjes së presidentit historik dhe kryetarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova, i mungojnë që të gjitha, duke filluar nga rrënimi i trashëgimisë politike dhe kombëtare të presidentit Ibrahim Rugova, e deri tek instalimi i diktaturës dhe njëmendësisë moniste brenda LDK-së, të ngulfatjes së mendimit dhe fjalës së lirë, pastaj mbështetja dhe mos luftimi i korrupsionit, kapjes së shtetit, heshtja dhe mos zbulimi i asnjë vrasjeje politike në Kosovë, kryesisht njerëz të LDK-së, për familjet e të cilëve “agim-veliat” brenda saj nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e tyre, bashkëpunimi i ngushtë dhe qeverisja dhjetëvjeçare me partitë e krimit dhe puro staliniste-enveriste, etj. Veprime këto, që asgjë prej gjëje nuk kanë të përbashkët me vlerat evropiane të partive të qendrës së djathtë, siç pretendon të jetë LDK-ja, e cila as për së afërmi nuk ka i përmbush kriteret e të qenurit parti evropiane.

Pra, Agim Veliu shpif kur thotë se LVV-je “ka synim ta shkëpus LDK-në nga e kaluara evropiane”, sepse që nga ardhja me puç e Isa Mustafës në krye të saj, ajo kurrë nuk ka punuar sipas normave dhe vlerave të mirëfillta demokratike dhe pluraliste evropiane, përkundrazi ka qenë subjekti më lakmues dhe më divergjent në skenën politike të Kosovës. Dhe, për këtë që themi mund të sjellim një mori faktesh, por që këtu nuk na lejon hapësira e gazetës!

Pa dyshim, se shpifja dhe akuza më makabër e dëgjuar ndonjëherë në opinionin kosovar kundër LVV-je, është konstatimi i Agim Veliut, një oligarku bashibozuk, se “madje duan të na distancojnë nga Rugovizmi..”, thua se  LVV-je nuk paskësh punë më të mençur dhe më me prioritet, se sa me u marrë me rugovizmin e LDK-së, të cilin, vetë Agim Veliu dhe kasta politike e LDK-së bashkë me Isa Mustafën dhe servilët e tyre, janë aktorët kryesorë brenda LDK-së, të cilët që nga çasti kur është varrosur presidenti Ibrahim Rugova (21 janar 2006) e kanë filluar luftën e brendshme për pushtet. Këtë e dinë i gjithë opinioni i gjerë, së pari duke e rrëzuar arbitrarisht Akad. Nexhat Dacin nga posti i kryetarit të Kuvendit (një muaj pas vdekjes së Rugovës), më pas duke e ndarë LDK-në në dy pjesë në Kuvendin e karrikave (dhjetor 2006), duke e rrëzuar nga posti e presidentit e më pas edhe nga posti e kryetarit të LDK-së, Prof. Fatmir Sejdiun, duke e sjellë me puç në krye të LDK-së Isa Mustafën (2010), duke i hequr nga Programi dhe Statuti i partisë të gjitha premisat rugoviane që kishte, duke mos bërë asgjë në Parlament që flamuri i presidentit Rugova të bëhet flamur shtetëror i Kosovës, duke bashkë qeverisur me PDK-në, të cilën me vite e quanin parti të SHIK-ut dhe krimit, duke e bërë president Hashim Thaçin dhe kryetar të Kuvendit Kadri Veselin, duke mos dhënë asnjëherë raport zyrtar për mjetet e mbetura nga tre për qindëshit (3%), diku mbi 50 milion euro, duke e keqpërdorur nëpër fushata zgjedhore emrin dhe figurën historike të presidentit Ibrahim Rugova, duke nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, duke e votuar në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, me të cilën këtij shteti fqinj iu falën mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës, gjegjësisht të Kosovës, dhe kështu me radhë deri në pambarim të veprimeve hileqare, në esencë që të gjitha anti-Rugoviane, sepse po të kishte qenë gjallë Ibrahim Rugova, asnjë këto veprime  nuk do të kishin ndodhur nga LDK-ja, siç vepruan me zell Agim Veliu bashkë me klanin e Llapit, për ç’rrënjosjen me themel të “Rugovizmit” dhe filozofisë së tij politike dhe kombëtare..!?

Dhe, të dalësh sot dhe ta akuzosh LVV-je se po synon “të na distancojë nga rugovizmi..”, thënë më së buti është idiotizëm, imoralitet si dhe paturpësi ekstreme, në kohën kur mbi 450 mijë votues me padurim e pritnin arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkë qeverisës midis LVV-je dhe LDK-së, pritnin që të ndodhë NDRYSHIMI i madh në Kosovë..!?          

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat