Nga ditari i një diplomati

Opinione

Nga ditari i një diplomati

Nga: Alfred Papuçiu Më: 17 janar 2020 Në ora: 09:59
Alfred Papuçiu

1990.Kryetarët e dy dhomave në Parlamentin zviceran, gjatë kthimit me aeroplanin e Swiserit, pas vizitës në Shqipëri, më shprehën entuziazmin e tyre nga vizita në Tiranë e disa qytete të tjerë të Shqipërisë. Sidomos u kishte pëlqyer takimi me studentët e profesorët e Universitetit të Tiranës, ku ata shprehën me finesë dëshirën e tyre që Shqipëria t’u përmbahej standarteve europiane në fushën e të drejtave të njeriut. Nga udhëtimi u ktheva pak pezmatuar. Në pritjen që u bë në Durrës, lart tek Pallati i ish mbretit Zog, Reizi më tha në konfidencë: “Dikush i ka thënë ambasadorit italian, lidhur me atë që  ka ndodhur vite më parë, kur u rrëzua aeroplani që u nis nga Pekini. Sikur m’u rishfaq përsëri ngjarja para syve, sidomos fytyrat e fëmijëve dhe gruas”. Mezi i mbante lotët. Por ashtu, siç e kishte bërë jeta të fortë, e mbajti veten dhe vazhdoi bisedën me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit zviceran.

1990. Ka ardhur dikush nga Tirana dhe më telefonon nëse ka mundësi të takohemi. I them: “Ku je?”. Më përgjigjet: “Tek kali”. E kuptoj se ai nuk e di se pranë liqenit të Gjenevës ka dy kuaj, në dy vende të ndryshme. Megjithatë e kuptoj se ku ndodhet dhe lëmë një takim. M’u kujtua se vite më parë kur shoferët tanë vinin në Paris dhe humbisnin rrugën, i binin telefonit të ambasadës dhe kur punonjësi u thoshte: “Ku ndodheni?”. Ata përgjigjeshin: “Tek Coca-cola”. Ajde pastaj t’i gjeje ata në atë mori “Koka-kolash” të Parisit?!!!

1990.Jam në Paris në Konferencën ndërkombëtare për vendet në zhvillim që zhvillohet në godinën e UNESKO-s. Ministri më dërgoi që të kryesoj delegacionin shqiptar. Ndërkaq unë vendosa të mos mbaj ndonjë fjalim të veçantë dhe ja spjegova arsyen shokut Reiz. Gjithashtu, mendova se nuk është me vend që unë të qëndroj shumë këtu, pasi këshilltar i ambasadës është Arqile Semini, për të cilin kam patur respekt që kur ka qënë në sektorin e jashtëm të rinisë. Si zakonisht, bëra disa vizita turistike në Paris, ku kam gjithmonë dëshirë të shkoj. Nuk më harrohet edhe vajtja atje me profesorin tim të studimeve rajonale ë Universitetit Europian, Silvion. Ai ka studjuar në Paris dhe na çoi tek “Kartjé Latën”dhe në ato vende ku shtonte kur ishte i ri.

Jam gjithmonë i mrekulluar kur vij në Paris, me “Luvrin”, “Tur Eifel”, me Notrë Dame, Arkun e Triumfit, me Senën, me “Kartjé Latën”. Diku kam lexuar se në Francë janë të rregjistruar më tepër se 300 mijë monumente, duke përfshirë muze, kisha, bazilike etj. Nuk kënaqem së shikuari këto bukuri dhe atë madhështi që të jep Parisi sidomos natën kur kalon tek “Shanz Elizé”. Më kujtohen të gjitha temat që bënim vite më parë kur mësonim frëngjishten me “Mozhenë” e famshme. Gjithashtu ruaj një kujtim të veçantë për profesorin tim të frëngjishtes në Fakultet, francezin Jean-Claude Mothe. Nuk e di se ku mund të jetë, pasi do të kisha dëshirë ta takoja atë njeri të urtë, të ditur dhe aq kërkues në mësimin e frëngjishtes. Një antipod me profesoreshën René e cila në çdo cast na tregonte vetëm historira nga jeta e vet.

1990.Afaristi zviceran më priti tek fshati i tij turistik në “Gryjer”. Ka dëshirë të organizojë një udhëtim me turistët që i vijnë aty për ski, si dhe të krijojë një fshat turistik në Durrës apo diku në bregdet. I merr vete përsipër të gjitha shpenzimet. Mendon se do të krijohen mundësi punësimi edhe për hotelet e krijuara, punonjës shërbimi atje, shoferë, blegtorët që do prodhojnë djathin “Grujer” sin ë Zvicër, për ata që do përgatisin ushqimet etj. Nuk e di a do të përgjigjet njeri nga Tirana shpejt dhe pozitivisht. Shpesh mesazhet tona mbeten në vesh të shurdhët. Mendimi është tepër i mirë dhe i realizueshëm. Më kujtohet kur ish-kryetari i Bashkisë së Gjenevës, personaliteti Roger Dafflon, shkoi në Tiranë me cilësinë e presidentit të shoqërisë turistike “Cosmos”. Pas vizitës së tij, u realizuan dy udhëtime turistike “Carter” me 400 veta brenda ditës që shkuan për vizitë në Durrës, Krujë si dhe në Tiranë. E njëjta gjë duhej të ishte bërë ndaj kërkesës së profesorit të katedrës greke në Gjenevë, i cili më propozoi njëherë që të organizohej një ditë turistike në Sarandë me grupin që do të bënte një “Croisière”(udhëtim turistik) nëpër Mesdhé. Mendimi ishte që grupi të ndalonte një ditë në Sarandë dhe të shkonte edhe në Butrint. Atëhere, më kujtohet se profesori i shquar shtroi një darkë madhështore, ku kish ftuar miq të tij të shumtë në vilën e tij, si edhe Neritan Cekën që kishte ardhur enkas nga Gjermania, për të mbajtur një ligjëratë në Muzeun Historik të Gjenevës...

1990.Gati çdo darkë në Gjenevë ka pritje që organizojnë Misionet e ndryshme pranë Kombeve të Bashkuara. Shpesh jam i detyruar të shkoj për kortezi, por nganjëherë edhe sikur më pëlqen pasi takoj dhe miq të mirë si ambasadorin turk, atë francez, italian, brazilian, senegalez, me funksionarë ndërkombëtarë e shumë të tjerë. Pritjet zakonisht zhvillohen tek Hotel Interkontinental, apo tek Restauranti i Pallatit të Kombeve. Ne me buxhetin e vogël që kemi nuk i kemi këllqet për atje, kështu që më duhet të kavërsidem me pak, duke kërkuar edhe ndihmën e miqve për organizimin e pritjeve për festën kombëtare. Njëherë e organizuam tek “Quai de l’Ile” (Skela e ishullit) në Gjenevë, një restaurant buzë liqenit ku është dhe Radio Lak, njëherë tek restoranti i Zholidonit në Versua, ku punonin vëllezërit dhe nipat e “Malësisë”, një shqiptar tepër simpatik dhe energjik.

Tetor 1990. Reizi më thërret në Tiranë për të dhënë ndihmesën time lidhur me mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit. Nuk e di por nuk e ndjej veten të qetë, pasi këtu ka tepër hallka dhe gjithçka duhet të jetë e përkryer që mbledhja të arrijë rezultatin e duhur. Sidomos duhet patur kujdes se mos shpëtojë ndonjë gabim në fjalimet që botohen si pasqyra shtypi të MPJ të vendeve të Ballkanit, si dhe të ministrit tonë të jashtëm Reis Malile. Gjithashtu, duhen reflektuar me vërtetësi dhe pa shumë ujë diskutimet në mbledhje. Në fjalime ndihet shenja e detantës, pasi në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore janë shpejtuar tashmë proceset që nxitën vendosjen e pluralizmit politik dhe ekonominë e tregut. Për herë të parë në historinë e Ballkanit, në mbledhjen e Tiranës u bënë përpjekje për të institucionalizuar bashkëpunimin ballkanik. Më pëlqeu sidomos fjalimi në anglisht, aty në hollin e hotel “Tiranës” drejtpërdrejt, i zëvëndësministrit tonë të jashtëm Muhamet Kapllani, i cili me elokuencë dhe me finesë paraqiti pikpamjet e Shqipërisë për problemet e Ballkanit.

1990. Ambasadori turk më ka ftuar sot për dreke. Ka qënë zëvëndësministër i jashtëm, njeri me shumë kulturë dhe kam respekt të veçantë për të. Kam lexuar shumë për Turqinë, Ataturkun, si dhe për historinë e atij populli trim e krenar. Po sot, më merr dikush nga Tirana për të dale në aeroportin e Zyrihut për të pritur dikë që kalon andej për në Paris. Nuk dua t’i dal fjale ambasadorit turk, kështu që dërgova punonjësin tjetër ta presë. Nuk e di por e kam alergji të shkoj deri në Zyrih, tre orë larg nga Gjeneva dhe duhet të paktën dy orë të qëndrosh atje dhe me një njeri që nuk të hahet aspak muhabeti. Mbi të gjitha më vjen pak zor me punonjësit e Swiserit që janë shumë korrektë, por sikur e kemi tepruar pak me pritjet e shumta të njerëzve që kalojnë transit në Zyrih dhe duhet patjetër t’i kalojmë tek VIP. Emili atje është tepër i sjellshëm, më kupton, sidomos sikletin tim përballë atyre që kërkojnë të kalojnë vetëm një orë, pa e ditur se diçka të pret në Gjenevë, një mbledhje, konferencë. Ai më përgatit si gjithmonë një pije “Emil”- koktej i sajuar prej tij posaçërisht për mua.

25 tetor 1990. Një gazetar më telefonon nga Radio Suis Romandë. E njoh pasi e kam takuar disa herë dhe ka përgatitur disa emisione për Shqipërinë. Në Tiranë e ka pasë shoqëruar ish shoqja ime e Fakultetit, Marjeta Vinjau, një grua serioze dhe tepër e aftë. Më thotë: “A je në dijeni? Ismail Kadaré ka kërkuar strehim politik në Francë”. Ju përgjigja pa shumë zë: “Jo nuk dij gjë”. Në fakt, asnjë njoftim nuk na vinte atëhere nga Tirana. Intervistat që filloi të japë Kadareja që nga Franca, lidhur me arsyet që e shtynë të largohej nga vendi i tij, ndikuan tek një pjesë e inteligjencës dhe sidomos rinisë që donte me të vërtetë një ndryshim demokratik në Shqipëri.

Dhjetor 1990. Lajmet nga Tirana zyrtare janë me pikatore. Më 8 dhe 9 dhjetor marrim vesh se janë zhvilluar manifestime të studentëve në të cilat ishin përhapur parrullat: “Edhe ne duam të jemi si pjesa tjetër e Europës”. Më duket se ky manifestim do të jetë një shenjë e një jete të re politike, sidomos në Tiranë. Ai është një sinjal se megjithë politikën e izolimit të plotë 46 vjeçar, populli aspironte që të shkrihej me atë të të gjithë kontinentit. Më 11 dhjetor, pleniumi i jashtëzakonshëm i KQ të PPSH u detyrua të lëshojë pe lidhur me pluralizmin politik që e kërkonin me ngulm studentët e Universitetit të Tiranës, por edhe qindra mijra punonjës dhe intelektualë të qyteteve të tjerë të Shqipërisë.

Janar 1991. U botua projektkushtetuta e re. Neni që theksonte monopolin e PPSH mbi jetën politike është hequr. Aty figuron edhe parimi i një ekonomie mikste.

1991.Në selinë e Misionit britanik në Gjenevë u zhvilluan bisedimet për çështjen e arit shqiptar. Ishste i pranishëm zëvëndësministri ynë i jashtëm, Muhamet Kapllani dhe zëvëndësministri i jashtëm britanik. Kishte ardhur nga Tirana edhe Ksenofoni që e kishte ndjekur nga afër këtë problem. Unë personalisht mora pjesë në bisedime, por në fakt këtu në Gjenevë nuk isha marrë konkretisht më parë me këtë problem. Ndërkohë, midis dy vendeve tashmë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Muhameti e njihte mirë zëvëndësministrin e jashtëm britanik, pasi e kishte takuar edhe më parë.

Siç dihet në vitin 1946, dy destrojerë britanikë ndeshën në mina, kur po ushtronin të drejtën e tyre për të kaluar përmes Kanalit të Korfuzit. Një destrojer britanik u mbyt. Vdiqën 44 vete që ndodheshin në bordin e tij. Ndërsa destrojeri tjetër, megjithëse u dëmtua u largua. Në atë kohë, Britania e Madhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe vendosi ta mbajë një sasi ari shqiptar. Ai ishte gjetur nga aleatët në Gjermaninë jugore që nazistët e kishin tërhequr gjatë Luftës nga Shqipëria. Pasi Britania e Madhe e ngriti çështjen e incidentit të Korfuzit në Gjyqin e Hagës më 1948, ky i fundit e quajti Shqipërinë fajtore. Si dëmshpërblim Shqipëria duhej të paguante 843947 stërlina. Dihet se asnjëherë në atë kohë nuk u njoh nga ana e qeverisë shqiptare ky vendim si i ligjshëm, me argumentin se kur ndodhi incidenti nuk egzistonin as mjetet më të vogla për vendosjen e minave të tilla…

E kam ndjekur këtë çështje me interes dhe e kam studjuar edhe gjatë kohës që ndiqja Komisionin e Gjashtë Juridik në Nju Jork. Shpesh kam biseduar edhe me juristë specialistë atje, algjerianë apo edhe të vendeve të tjera, por që edhe ata nuk mund t’i jepnin “dum”, një mosmarrëveshje që kishte ndodhur në një kohë të largët dhe të errët. Bisedoja dhe me Drejtorin tonë të Byrosë Juridike, shokun tim Ksenofon Krisafin, jurist i zoti dhe me përvojë. Problemi tani shtrohej që duhej kapërcyer ai cak. Ishin bërë disa hapa të para edhe para mbledhjes së Gjenevës, që siç dukej do të ishte hapi i fundit në zgjidhjen e këtij problemi që ekzistonte prej vitesh. Në bazë të marrëveshjes paraprake u arrit që Shqipërisë do t’i dorëzohej nga ana e Britanisë së Madhe afro 1574 kilogram ari. Si shkëmbim, kjo e fundit do të merrte 2 milion dollarë nga Shqipëria. Pas bisedimeve, delegacioni britanik dha një darkë për nder të delegacionit shqiptar, tek Hotel “Interkontinental”. Atë natë kam qëndruar deri vonë, pas darkës për të dërguar njoftimin përkatës qendrës në Tiranë. Mediat u treguan shumë të interesuara, dhe i dhanë vend të rëndësishëm bisedimeve që ishin vazhdim i atyre të mëparshmeve, për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme dhe rela të problemit të arit.

Gusht 1991. Kam filluar punën si funksionar i pavarur ndërkombëtar, pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Një punë që më jep kënaqësi, por edhe që paraqet vështirësitë e veta, pasi ke të bësh me kolegë me përvojë të gjatë me organizatat ndërkombëtare. Dikush më merr në telefon nga Tirana dhe më thotë të ndërhyj tek zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, lidhur me demostratën e madhe që po mbahet përballë Presidencës në Tiranë. U ndodha para një çasti të vështirë. Në radhë të parë, ai që më telefononte as nuk e dinte se unë tashmë isha një funksionar ndërkombëtar. Pra si i tillë nuk më lejohej që të ndërhyja për një çështje që i përkiste përfaqësuesit të Shqipërisë, pranë Kombeve të Bashkuara. Funksionarët ndërkombëtarë për veprimtarinë e tyre i japin llogari vetëm OKB-së dhe betohen se as do të marrin, as do të japin udhëzime asnjë qeverie, as një autoriteti të jashtëm. E dyta ishte se m’u duk edhe disi e stisur kërkesa, për të më vënë në një qorsokak. Megjithatë, e mblodha veten dhe i thashë: “Kërkesa duhet të bëhet si në çdo rast, nëpërmjet Misioneve diplomatike, pranë Kombeve të Bashkuara. Unë, nëse më ngarkon sekretariati ta ndjek si problem, me gjithë qef do të bëj, në bazë të normave që i përmban Karta e Kombeve të Bashkuara”. Dhe kaq.

Gusht 1991. Ai profesori i shquar zviceran më dha çelësat e vilës së tij dhe m’u shpreh se gjatë pushimeve të tij mbi një mujore mund të qëndroja dhe të banoja me familjen time tek ai. Akoma nuk isha rregulluar mirë me banesë, por nuk më vinte mirë ta pranoja. Ai gjeti mënyrën për të më bindur dhe unë kapërceja çdo ditë qytetin me biçikletë nga shtëpia e tij, për të shkuar në punë në Kombet e Bashkuara. Një kënaqësi e veçantë të banoje në një mjedis aq të bukur dhe të pastër. Aty kam lexuar shumë libra interesantë, në bibliotekën e pasur, darkave, kur qëndronim në verandën e shtëpisë së profesorit. Të shtunave dhe të djelave kisha dëshirë të punoja kopshtin. Aty pranë kalonte një lum dhe shumë afër ishte Saleva. Fqinji i profesorit, një bankier, me të shoqen na ftuan edhe për darkë dhe zhvilluam një bisedë tepër interesante..

Shtator 1991. E ndjej se ka diçka që nuk shkon. Dikujt nuk i ka pëlqyer përgjigja ime lidhur me angazhimin tim pranë Kombeve të Bashkuara dhe përpiqet të hedhë baltë ndaj meje. Këtë m’a tha edhe funksionari i lartë i atij organizmi ndërkombëtar, për të cilin kam respekt të veçantë. Unë do të vazhdoj punën time por sidomos duhet të kem kujdes nga ai “qoftëlargu” që bën gam-gam, sikur unë i kam zënë vendin. Nuk e kuptoj pse duhet të egzistojë kjo cmirë ndaj një bashkëkombasi, kur ai me aq sa ka mundësi jep ndihmesën e vet, duke siguruar bursa, si dhe pjesëmarrjen në seminare për specialistët shqiptarë. A nuk duhet të bëhemi edhe ne më të ndërgjegjëshëm se sigurimi i çdo vendi qoftë edhe i thjeshtë,  apo siç thuhet i shërbimeve të përgjithshme në një organizëm ndërkombëtar, do të jetë dobidhënës. Pse nuk marrim shembull nga gjithë ata funksionarë ndërkombëtarë francezë, britanikë, amerikanë, gjermanë, apo afrikanë, që bëhet bllok nëse cënohet vendi i punës së një bashkëkombasi të tyre?

17 shtator 1991. Shkoj në Bruksel si i dërguar i Sekretariatit Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik për Evropën të OKB-së, së bashku me sekretarin e Komisionit, Brian Duke, një britanik me përvojë shumë vjeçare me organizatat ndërkombëtare.Do ndjekim punimet e mbledhjes së vendeve të Bashkësisë Evropiane, si edhe të grupit të 24-shes për ristrukturimin e ekonomisë në Shqipëri. Nga delegacioni shqiptar kishin ardhur një zëvëndëskryeministër, disa ministra dhe ambasadori shqiptar në Bruksel , sëbashku me Agron Agalliun, shokun tim të Fakultetit i cili ishte caktuar të punonte në atë ambasadë. U çmallën sëbashku. Mbledhja vazhdoi dy ditë dhe unë megjithëse isha në rolin e funksionarit ndërkombëtar ndihmoja disi nëpërmjet Agronit për mbarëvajtjen e punës së delegacionit shqiptar që nuk kishte përvojë të madhe lidhur me mbledhje të tilla.

Mbledhja kaloi në përgjithësi mirë. Pjesëmarrësit vlerësuan disa hapa që janë bërë drejt demokracisë në Shqipëri, lidhur me pesë kërkesat politike dhe ekonomike kryesore: përparësia e së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, futja e multipartizmit, organizimi i zgjedhjeve të para të lira dhe evolucioni drejt një sistemi të ekonomisë së tregut.

Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Brukselit, zëvëndës president i Komisionit të Bashkësisë Europiane, Frans Andriessen theksoi se Shqipëria ka disa avantazhe: procesi i reformave në këtë vend është shfaqur më vonë ( në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore-shënimi im) dhe përvoja e këtyre viteve të fundit në vendet e tjera ka qënë fitimprurëse; në radhë të dytë, Shqipëria e braktisi KNER-in qysh prej mëse 30 vitesh: ajo nuk ka qënë e detyruar të çlirohet nga ndarja e sforcuar ndërkombëtare e punës; në radhë të tretë, Shqipëria ka patur një zhvillim shumë të ngadalshëm, kështu që ajo mund të fillojë të ndërtojë pa qënë nevoja që të shkatërrojë; dhe më në fund, Shqipëria duke ndjekur në të ardhmen një politikë të drejtë ekonomike, me një mbështetje të përshtatshme nga jashtë, do të mundë shumë shpejt të arrijë rezultate për të rivendosur besimin.

Kur u zhvillua konsulta e Brukselit u hodh mendimi i një marrëveshjeve bashkëpunimi dhe të tregtisë midis Bashkësisë Europiane dhe Shqipërisë.

Përfitoj nga rasti që jam në Bruksel dhe vizitoj “Grand Plas” që është e shquar për bashkinë e saj të stilit gotik dhe për shtëpitë rrotull të stilit barok. Duke u nisur nga „Grand Plas“ që gjendet në qendër të qytetit, rrugët të çojnë tek bulevardet që rrethojnë qytetin. Në Bruksel ka shumë galeri arti dhe muze të mrekullueshëm. Ai është një qendër e rëndësishme intelektuale. Qyteti në të kaluarën nuk ka patur lidhje të drejtpërdrejtë me detin. Por me ndërtimin e kanalit „Uillbrok“, nga mesi i shekullit të XVII-të, Brukseli u lidh me detin e Veriut. I themeluar në shekullin e VII-të, qyteti i Brukselit u bë kryeqytet i Belgjikës në 1830. Ai u pushtua dy herë, nga gjermanët gjatë Luftës së Parë Botërore, pastaj përsëri në 1940 dhe u çlirua nga forcat aleate në 1944.   Brukseli ka afro 1 milion banorë dhe këtu jetojnë dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, nga emigracioni i vjetër dhe i ri. Ata janë mikpritës dhe punëtorë. Në hotelin që ishim shërbente një shqiptar tepër simpatik i cili na ftoi bashkë me Brian Duke për darkë. Më dhuroi dhe simbolin e Brukselit: fëmijën që është duke pshurur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat