Publiku kundër qytetarëve

Opinione

Publiku kundër qytetarëve

Nga: Fadil Lepaja Më: 22 janar 2020 Në ora: 10:41
Fadil Lepaja

Është sezoni i tretë. Është serial, tashmë. Edhe herëve të tjera është luajtur shah në politikën kosovare. Shumë herë kemi qëndruar deri pas mesnate, përplot tensione, për të pritur vendime “vendimtare” për fatin tonë. Zakonisht kanë luajtur të tjerët, me ne, por kemi lozur edhe vetë.

Për shembull, në vitin 2015, kur dukej se më në fund diçka po ndryshon, u shpenzuan gjashtë muaj për bisedime, për një koalicion që njihej me emrin e shkurtër VLAN. Ky proklamohej si koalicion për ndryshime, i cili synonte të “ç’kapte shtetin”. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit, por jo me partnerët me të cilët “qonin dashuri” politike, para kamerave. Marrëveshja u arrit pikërisht me “armikun” e përbashkët. Më kot “shahej” tashmë kryeministri, Mustafa se kishte bërë atë që ishte betuar se nuk do të e bënte kurrë. Qysh ka thënë i moçmi, "Never Say Never"!

Modeli i këtyre bisedimeve, pra, një tip akullnaje, ku pjesa më e madhe gjendet larg syve të publikut, ishte një lojë me nervat e qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtarë, të cilët kërkonin sa më shpejt një qeveri. Vetëm diçka më pak se tri vite më vonë, LDK do të nxirrej në opozitë, nga partneri i saj, pasi me dy partnerët e tjerë nga ish-VLAN, pikërisht në mesnatë, do të lidhnin “kurorë”, për të mirën e Kosovës, siç deklaroheshin atëherë. Jashtë qeverisjes u la përsëri Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila u “mund” duke u kapur në “vegzën” kushtetuese, se fituesi “relativ”, jep detyrimisht mandatarin.

Do të thuhej, me të drejtë pastaj se secili e gjen partnerin që e meriton, në jetën politike, por mbetet e paqartë, përse ende ka nevojë për këtë lojë nervash dhe “tradhti” në minutën e fundit? Përse “cajtnoti”?

Ajo që dikur quhej “shteti i kapur”, duket në veprim pikërisht në këto çaste. Ka disa lojtarë shahu të cilët pikërisht në “cajtnot” e arrijnë kulmin e përqendrimit, por ka edhe të atillë, të cilët ngulfaten. Ai që pëson është publiku edhe pse notat dramatike e rrisin adrenalinën dhe për shumë kë është një gjendje ideale, kur kënaqet me debatet e pafund në të cilat askush nuk e dëgjon askënd, ku gjithçka është personale, ku nxirren në publik krejt të brendshmet e politikës, si arsye për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet vendi.

Sidoqoftë, e gjithë kjo detyrimisht na sjell te momenti kur, për shkak të presionit, sidomos të ambasadave dhe emisarëve, bëhemi të vetëdijshëm se ka një afat kushtetues kur duhet përmbyllur gjithçka me një marrëveshje “fer”, të cilën e presin të gjithë. Nëse jo “fer” atëherë me një marrëveshje të mundshme. Krejt bëhet, me qëllim që marrëveshja “fer” të zëvendësohet me një të mundshme, me aprovimin e publikut. Publiku jo qytetari është aleati i krijuesve të krizës.

Përpjekja për ta sjellë në “cajtnot” kundërshtarin, sjell nga ana tjetër përpjekjen për të dalë nga “cajtnoti” me forma, të zhagitjes së ligjshme. Ofendimet e partnerëve mbushin portalet dhe sidomos rrjetet sociale, duke liruar krejt energjinë negative që është mbledhur kafeneve dhe odave dhe duke e sjellë atë në sipërfaqe si “vox populi”.

Në fakt, mbi të gjitha, në kohën e medias totale, demokracia është argëtim i pafund për masën. Masa me asgjë nuk qesh më ëmbël, sesa me fatkeqësinë e vet.

Pse cajtnoti? Pse zhegitjet, dhe sllallomi nëpër normat kushtetuese dhe ligjore? Kjo tregon se, mbi demokracinë dhe mbi qëllimet e mira publike, janë qëllimet dhe interesa tjera, ato të oligarkisë, vendore dhe rajonale, e mbase edhe globale, dhe se e gjithë kjo do të zgjasë derisa të kapet kombinimi i duhur që premton bisedime me Serbinë? Formula që e mbajti Thaçin në pushtet ishte pak a shumë, se ai mund të bënte çka të donte në çështjet e brendshme, nëse bashkëpunonte në ato rajonale. Pra, problemi zgjidhet kur të sigurohet vazhdimësia, dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me individët, as me partitë.

Sidoqoftë, Albini ndodhet në “cajtnot”. Afati kushtetues prej pesëmbëdhjetë ditësh, tashmë ka filluar të rrjedhë. Kjo duket se ishte situata në të cilën Isa synonte të sillte Albin Kurtin. A do të bëjë marrëveshjen apo jo? Kush jep më shumë? Cili ambasador do të arrijë të bindë Isën apo Albinin? Për çka?

Rezultati do të tregojë qëllimet e vërteta. Ndërkohë duhet me e pranua se u kënaqëm. “Formimi i qeverisë” është seriali më i shikuar vendorë. Sezoni i tretë ...! Publiku kërkon argëtim, e qytetarët qeverinë! Kush do të fitojë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat